Gazeta Si - Një ditë pas incidenteve të radhës në Parlament, policia ka referuar në SPAK deputetët e Berishës dhe Bardhit.
Zjarri që iu vu letrave dhe tymueseve janë bërë objekt i padisë që ka paraqitur Komisariati 1 në Tiranë. Po ashtu në denoncim është vendosur dhe zhvendosja e karrigeve.
Fletët e ndezura në flakë të hënën dhe tymueset e dy ditëve të fundit, janë mbledhur në cilësinë e provës.
LEXO EDHE:
- 8 minuta seancë me kapsolla e tymuese/ PS kalon buxhetin, taksat kombëtare e akcizat për vitin 2024 (foto, video)
- ‘Në Itali i nxjerrin prej këmbësh’/ PS nxjerr grupin Bardhi-Berisha nga Kuvendi me ndryshim rregullore: Kush ndez flakadanë përjashtohet dy muaj
Po ashtu, edhe pamjet e Kuvendit ku deputetët e opozitës mbledhin karriget duke i zhvendosur pranë foltores, janë bërë pjesë e dosjes së paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.
Këto foto tregojnë efektivët pas përplasjeve të së enjtes, ku kanë bërë edhe ekspertizën mbi ngjarjet duke e konsideruar edhe sallën e parlamentit si skenë të ngjarjes.
Më herët ka qenë Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, që ka kërkuar hetimin dhe dënimin e parlamentarëve që kryejnë veprime të dhunshme, apo ndezin lëndë piroteknike sipas parashikimeve të Kodit Penal.
Por, ndryshe nga data 4 dhjetor referimi i materialeve në SPAK nga komisariati nr.1 nuk është bërë me emra konkretë.
Materiali është referuar për grupin parlamentar të opozitës ditën e djeshme pas seancës parlamentare. Mësohet se deputetët "kryengritës" akuzohen për shkatërrim prone dhe përdorim i lëndëve piroteknike.
Më datë 4 dhjetor, komisariati nr.1 krahas materialeve të tjera hetimore, referoi në SPAK edhe emrin e deputetëve Flamur Noka dhe Albana Vokshi për incidentet e ndodhura në Kuvend javën e kaluar.
Të enjten e 7 dhjetorit, PS miratoi mes kaosit në Kuvend buxhetin në 7 minuta mes tymueseve dhe shpërthimeve me shashka të hedhura nga ligjvënësit opozitarë.
Menjëherë pas seancës, në allën e Kuvendit zbarkuan agjentë të BKH-së me veshje speciale për të mbledhur prova për mjetet piroteknike që u përdorën nga deputetët e Rithemelimit.
Në seancat e fundit parlamentare, ka mbizotëruar tensioni dhe kaosi, pasi deputetë e opozitës kanë përmbysur karriget dhe ndezur tymuese e kapsolla në sallë.
Opozita ka tentuar të bllokojë punën në Kuvend, pas përjashtimit me 10 ditë të 6 deputetëve; Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti.
Megjithatë, tymueset dhe rrëmuja e shkaktuar nuk e pengoi një ditë më parë mazhorancën, që të votojë brenda pak minutave Buxhetin e vitit 2024.
Ende nuk ka të dhëna nga SPAK nëse ka regjistruar procedimi penal apo dhe si do të veprohet me rastin, por deputetët e opozitës kanë theksuar se nuk tërhiqen nga protesta nëse mazhoranca nuk do të miratojë komisionet hetimore, si dhe nuk do të ndryshojë emrat që do të votojnë reformën zgjedhore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.