Ne rrjet

Tusha pështjellon KED. Vettingu “harron” përparësitë

Mentor Kasa - Kur u hodh shorti në Kuvend për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një organ i ngritur në kuadër të reformës së ndërmarrë për të gjithë sistemin, Vitore Tusha u përzgjodh si anëtare zëvendësuese.

Por, në listën e anëtarëve që zgjodhën goglat në dhjetor të 2017 janë edhe disa emra të cilët nuk e kanë kaluar sitën e vettingut si, Rovena Gashi, Artan Broci dhe Altina Xhoxhaj. Këtu ngërçi ligjor ka marrë përmasa edhe më të mëdha.

Në ditët e para të shtatorit të këtij viti, në çeljen e sesionit të ri parlamentar Gramoz Ruçi kritikoi punën e Kuvendit në drejtim të reformës në drejtësi. Ai tha se duhet vazhduar më shpejt dhe kërkoi bashkëpunimin mes të gjitha institucioneve.

Për Këshillin e Lartë të Emërimeve në Drejtësi ligji ngarkon Presidencën që të hedhë shortin për anëtarët e KED dhe nëse Presidenca nuk e bën këtë, kjo e drejtë i kalon Kuvendit. Po në shtator, Gramoz Ruçi i kërkoi Presidentit Ilir Meta që të hedhë shortin për të plotësuar vakancat e krijuara nga “kosa” e vettingut, e cila së fundmi “fshiu” edhe gjyqtarin Ahmet Jangulli.

Por, për një pjesë të mirë të anëtarëve aktualë të KED-së, vettingu nuk e ka thënë fjalën e fundit. E vetmja e djegur nga procesi i rivlerësimit edhe në Komisionin e Posaçëm të Apelimit është ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj, ndërsa për Rovena Gashin dhe Artan Brocin, KPA nuk ka marrë ende vendim.

Nisur nga kjo, Presidenca i është përgjigjur Kuvendit duke e njoftuar se në KED kuorumi ekziston dhe se nuk ka bazë ligjore që shorti të lihet jashtë marzhit kushtetues 1-5 dhjetor të çdo viti, ndryshe nga Kuvendi që mendon se shumica në këtë organ ka rënë.

Gjyqtarja Vitore Tush

Gjyqtarja Vitore Tusha është një prej tre emrave të zgjedhur si anëtarë zëvendësues në KED gjatë hedhjes së shortit. Por, tani emri i saj i është propozuar Kuvendit nga Presidenti i Republikës për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Gjasat që Tusha të fitojë besimin e socialistëve në Kuvend janë të pakta, por përsa kohë ajo është një kandidate, mundësitë janë.

E nëse realizohet skenari me më pak mundësi, atëherë Tusha do të heqë dorë nga karrigia e saj në KED për të drejtuar KLSH-në. Kjo lëvizje do të dërgonte në një tjetër dimension ngërçin në organet e drejtësisë së re.

Çfarë është KED?

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka një rol thelbësor në kuadër të reformës. Ai është organi që do të vlerësojë përmbushjen e kushteve e kritereve ligjore, profesionale dhe morale nga kandidatët për emërimet në të gjithë sistemin e drejtësisë.

Për të gjitha emërimet që bëhen nga Kuvendi, KED bën renditjen e kandidaturave, të cilat duhet të zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 84 votash nga parlamenti. Kur Kuvendi nuk e arrin shumicën, atëhere kandidatura e renditur e para në listën e kandidaturave të dorëzuar prej KED cilësohet e emëruar.

Kjo formulë do të zbatohet për zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pesë anëtarëve jogjyqtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të pesë anëtarëve joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Vetë KED përbëhet nga 9 anëtarë me një mandat njëvjeçar që nis më 1 janar të çdo viti dhe mbyllet më 31 dhjetor të po atij viti. Anëtarët përzgjidhen çdo vite me short që duhet të zhvillohet pesë ditët e para të muajit dhjetor dhe sipas formulës së përfaqësimit: dy anëtarë gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Lartë, një nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit, dy nga Prokurorët e Apelit dhe një anëtar gjyqtar nga Gjykatat Administrative.

Vettingu “harron” prioritetet

KPK-së dhe KPA-së i mjaftuan dy muaj, përkatësisht qershori dhe korrikut që të shkrinin dy gjykatat kryesore të vendit: atë Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Me ritmet e ndjekura para pushimeve të gushtit pritshmëritë e publikut ishin të mëdha në shtator.

Por, jo vetëm publiku. Në intervistat e fundit të dhëna si ambasadorë në Shqipërisë, si Donald Lu, ashtu edhe Romana Vlahutin u shprehën optimistë se ritmet e procesit do të mbeteshin të larta dhe ngritja e KED-së, KLGj-së dhe KLP-së ishte çështje muajsh.

Kryetarja e Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA, Natasha Mulaj, relatorja, Rezarta Schuetz dhe anetaret, Sokol Como, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, gjate nje seance te KPA. Foto LSA

Megjithatë, motorët e vettingut “u fikën”. Në shtator u zhvillua vetëm një seancë, në tetor katër të tjera dhe sinjale pozitive nuk mbërrijnë as nga ditët e para të nëntorit, jo se seancat po mungojnë, por se para KPK-së po dalin magjistratët, pra studentët e Shkollës së Magjistraturës që nuk kanë asnjë lidhje me nevojën urgjente për ngritjen e KLGJ-së e KLP-së.

Në një hark kohor të shkurtër, Vettingu ka thirrur tre studentë, që u shpallën fitues në muajin maj, ku u pranuan 9 studentë të rinj në Shkollën e Magjistraturës dhe si të tillë asnjëri prej tyre nuk e ka emrin në të ashtuquajturat “lista prioritare” të procesit.

Dy prej tyre, studentet Arnisa Këlliçi dhe Miranda Nakaj e kaluan procesin e vettingut, por jo 32-vjeçari, Artor Ylli. I riu megjithëse kaloi testin e shkollës, ngeli në atë të vettingut, ku KPK e gjeti fajtor për 14 mijë lek mospagese tatimesh.

“Unë banoj në shtëpinë e prindërve, s’kam asnjë pasuri kam vetëm llogarinë ku marr rrogën. Pasi nuk gjetën asnjë pasuri, ata gjetën një pretekst, që sipas tyre nuk kisha paguar detyrimet e tatimeve gjate kohës që isha ndihmës avokat. Në atë kohë unë isha në pamundësi t’i paguaja, sepse isha avokat i ri dhe nuk kisha punë, detyrimet e reja ishte një shumë prej 14 mijë lekë”, u shpreh Artor Ylli në një intervistë për Top Channel.

Absurdin e organeve të Vettingut e ka vënë re edhe vetë 32-vjeçari, të cilit i rrëzikohet shkolla nëse KPA nuk do ta shqyrtojë me përparësi apelimin e tij.

“Po bëhen përpjekje për të shpëtuar gjyqtarë e prokurorë të caktuar, gjithë kjo zvarritje, ngadalësimi i procesit të vettingut dhe fakti që filluan me ne, tregon qe procesi i vettingut ka probleme shumë të mëdha”, thotë ai.

Nga listat prioritare, mes emrave të pakontrolluar nga vettingu janë Luan Dervishi, kandidat për KLGJ e Besnik Çami, Shpëtim Kurti e Ramadan Troçi, kandidatë për KLP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë