Analize

Turqia nis kërkimet për naftë në Kretë, Greqia në alarm

Turqia ka konfirmuar se nis së shpejti shpimet për naftë pranë ishullit të Kretës, duke alarmuar autoritetet greke. Një anije eksploruese turke së shpejti do të fillojë të kërkojë për hidrokarbure në juglindje të ishullit grek, në një zonë që Greqia e cilëson si pjesë të zonës së saj ekskluzive ekonomike (EEZ). Mediat greke kanë reaguar të alarmuara, me shumë prej tyre që e cilësojnë si një provokim të jashtëzakonshëm ushtarak.

Ankaraja do të dërgojë anijen kërkimore “Oruc Reis” në jug-lindje të Kretës gjatë ditëve në vazhdim, raportoi të mërkurën media pro-qeveritare “Yeni Safask”. E përditshmja turke shkruan se anijet do të veprojnë pranë Kretës, në përputhje të plotë me marrëveshjen e nënshkruar nga Turqia dhe Libia, e cila i çon kufijtë turk deri në Kretë.

Sipas raportimeve, Turqia është duke pritur që Organizata e Kombeve të Bashkuara të miratojë marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria turke dhe Qeveria e Akordit të Kombeve të Bashkuara të Libisë në nëntor, por Greqia thotë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

Kjo marrëveshje i zgjeron kufijtë e Tuqisë rreth Kretës, Rodosit dhe disa ishujve të tjerë grekë. Turqia ka dëguar po ashtu anije për shpimin e naftës nga Qipro, të cilat vazhdojnë aktivitetet e tyre, nën mbrojtjen e marinës turke në zonën ekskluzive të ishullit.

Turqia nis kërkimet për naftë në Kretë, Gazeta Si, 2020

Sot presidenti Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se “Greqia ngadalë po pranon status quo-në në Mesdheun Lindor pas marrëveshje Turqi-Libi për kufijtë detarë”.

“Qëndrimi i vendosur i Ankarasë ka bërë që pjesa tjetër e vendeve të rajonit, por kryesisht Greqia, të pranojnë status quo-në që Turqia dëshiron në Mesdheun Lindor”, u tha Erdogan anëtarëve të parlamentit turk.

Në janar, kur Turqia njoftoi për herë të parë se do të dërgonte një anije pranë brigjeve të Kretës për të kërkuar për naftë. Si kundërpërgjigje, Athina zyrtare ka paralajmëruar se do të dërgojë trupa ushtarake në Libi.

Kryeministri Mitsotakis ka paralajmëruar po ashtu se Greqia do të përdorë fuqitë e vetos si anëtare i Bashkimit Evropian, në përpjekje për të bllokuar cdo marrëveshje që do të arrihet me Libinë nëse nuk anulohet marrëveshja detare e Turqisë.

Por presidenti turk i dërgoi sot një mesazh Athinës edhe për një gazsjellës që Greqia, Qiproja dhe Izraeli duan të ndërtojnë.

“Me Libinë, ne kemi nënshkruar marrëveshje që ripërcaktojnë zonat detare. Në zonat midis brigjeve të Turqisë dhe Libisë, nuk mund të bëhet tanimë asnjë kërkim për naftë pa miratimin e të dy vendeve”, pohoi Erdogan.

Ankaraja është përpjekur prej kohësh të shtrijë ndikimin e saj në jug dhe në perëndim, sa më pranë brigjeve greke por edhe atyre siriane. Përpjekjet e Turqisë për të ushtruar kontroll mbi këto ujërat lidhen jo vetëm me pretendimet territoriale, por edhe me qëllimin për të fituar para nga burimet natyrore të Mesdheut Lindor.

Turqia nis kërkimet për naftë në Kretë, Gazeta Si, 2020

Për dekada të tëra, Turqia është përjashtuar nga përfitimet e naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor, i cili ka rreth 3.5 trilion metra kub gaz natyror dhe 1.7 miliardë fuçi nafte të papërpunuar. Greqia, Qiproja, Egjipti dhe Izraeli kanë qenë më të shpejtë dhe më të suksesshëm se Turqia në identifikimin e fushave të naftës dhe gazit përgjatë brigjeve të tyre.

Anijet e kërkimit të naftës dhe shpimet në det të thellë i kanë kushtuar Ankarasë mbi 1 miliard dollarë në dekadën e kaluar, dhe nuk kanë dhënë akoma ndonjë zbulim madhor të naftës ose gazit. Në këto kushte, Turqia ka qenë e detyruar të fillojë kërkimet në ujërat e qeverive fqinje, përkatësisht pranë Greqisë dhe Qipros.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në një intervistë televizive në “CNN Turk” foli për disa ishuj grekë, duke thënë se sovraniteti i tyre nuk është vendosur.

“Ka disa ishuj për të cilët nuk është vendosur se kujt i përket sovraniteti i tyre. As Traktati i Lozanës dhe Traktati i Paqes i vitit 1948 nuk kanë saktësuar se kujt i përkasin. Ne themi se ato na përkasin; ata argumentojnë të njëjtën gjë për veten e tyre. Kjo është arsyeja pse ne lidhëm marrëveshjen me Libinë, në mënyrë që të mos marrim ishullin e Kardakut (Imias)”, tha Cavusoglu.

Më Shumë