Analize

Turqia provokon Greqinë, kërkime për naftë buzë Kretës

Përpjekja e Turqisë për të nisur kërkimet për naftë pranë brigjeve të ishullit të Kretës ka çuar në rritjen e menjëhershme të tensioneve mes dy vendeve.

Greqia kundërshtoi ashpër planin e Turqisë për të kryer shpime nafte në Mesdheun lindor, duke e cilësuar si "provokimin e radhës".  Turqia njoftoi të premten se planifikon të fillojë kërkimi për hidrokarbure në Mesdheun lindor në tre ose katër muaj. Sipas Ankarasë, një anije eksploruese turke së shpejti do të fillojë të kërkojë për hidrokarbure në juglindje të ishullit të Kretës, në një zonë që Greqia e cilëson si pjesë të zonës së saj ekskluzive ekonomike (EEZ), dhe kërkimi pritet të zgjerohet më tej në Mesdheun Lindor. Kjo lëvizje nga ana e Turqisë vjen pas arritjes së një marrëveshjeje me Libinë për t’i çuar kufijtë e saj deri në Kretë. Marrëveshja ka cuar në një sërë detajesh detare mes dy vendet fqinje, me Greqinë që ka paralajmëruar madje se do të dërgojë trupa në Libi. Kjo marrëveshje i zgjeron kufijtë e Tuqisë rreth Kretës, Rodosit dhe disa ishujve të tjerë grekë. Turqia ka dëguar po ashtu anije për shpimin e naftës nga Qipro, të cilat vazhdojnë aktivitetet e tyre, nën mbrojtjen e marinës turke në zonën ekskluzive të ishullit.

Harta e Mesdheut Lindor, Gazeta Si, 2020

Qeveria greke thotë se pavarësisht kërcënimeve të Turqisë dhe pretendimeve të dy vendeve për ujërat territoriale në Mesdhe, ku në një pjesë të madhe mbivendosen hartat e pretenduara të Zonave Ekskluzive Ekonomike, kërkimet për naftë nuk do të vazhdojnë.

Në mbështetje të Greqise, Qipro ka shprehur zemërimin që Turqia ka dërguar anije për kërkimin e naftës dhe gazit në Egje, por edhe në brigjet e saj.

BE i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Turqisë që të përfundojë kërkimet e energjisë në brigjet e Qipros, duke argumentuar se shpimi është i paligjshëm sepse shkel zonën ekskluzive ekonomike të ishullit mesdhetar. BE ka reaguar ashpër disa muaj më parë, duke kërcënuar Turqinë më sanksione nëse Ankaraja nuk pranon të tërhiqet nga kërkimet për naftë në Mesdhe.

Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias tha në një deklaratë të hënën se kërkesa e Turqisë për të kryer "shpime nafte në zonën eksluzive ekonomike greke  është pjesë e një sërë veprimesh të Ankarasë për të uzurpuar sovranitetin  dhe të drejtat e Greqisë”.

"Veprimet e paligjshme të Turqisë ... nuk mund të përputhen me sovranitetin grek bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe ligjin detar," tha Dendias, duke shtuar se Greqia "është e gatshme të përballet me këtë provokim të ri, nëse Turqia ecën përpara me planet për kërkimet për naftë".

Anije turke në Mesdhe, Gazeta Si, 2020

Ai duket se i referohej deklaratës së ministrit të Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, kur foli për disa ishuj grekë tre muaj më parë, duke thënë se sovraniteti i tyre nuk është vendosur.

“Ka disa ishuj për të cilët nuk është vendosur se kujt i përket sovraniteti i tyre. As Traktati i Lozanës dhe Traktati i Paqes i vitit 1948 nuk kanë saktësuar se kujt i përkasin. Ne themi se ato na përkasin; ata argumentojnë të njëjtën gjë për veten e tyre. Kjo është arsyeja pse ne lidhëm marrëveshjen me Libinë, në mënyrë që të mos marrim ishullin e Kardakut (Imias)”, tha Cavusoglu.

Sipas agjencisë greke të lajmeve Ana, qeveria e Athinës thirri ambasadorin turk në ministrinë e jashtme të hënën në mbrëmje.

Marrëdhëniet greko-turke janë tensionuar ndjeshëm edhe për shkak të mbledhjes së mijëra refugjatëve në kufirin grek. Në mars Turqia inkurajoi dhjetëra mijëra azilkërkues të shkojnë  drejt Greqisë dhe të përpiqen të kalojnë në Bashkimin Europian. Javën e kaluar, Athina dërgoi 400 policë "si një masë paraprake" në kufirin e saj tokësor me Turqinë për të parandaluar një fluks të ri të mundshëm të emigrantëve.

“Etja” e Turqisë për naftë

Rivalitetet në Mesdhe janë të vjetra aq dhe të egra. Për dekada të tëra, Turqia është përjashtuar nga përfitimet e naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor, i cili ka rreth 3.5 trilion metra kub gaz natyror dhe 1.7 miliardë fuçi nafte të papërpunuar. Greqia, Qiproja, Egjipti dhe Izraeli kanë qenë më të shpejtë dhe më të suksesshëm se Turqia në identifikimin e fushave të naftës dhe gazit përgjatë brigjeve të tyre.

Anije në brigjet e Kretës, Gazeta Si, 2020

Anijet e kërkimit të naftës dhe shpimet në det të thellë i kanë kushtuar Ankarasë mbi 1 miliard dollarë në dekadën e kaluar, dhe nuk kanë dhënë akoma ndonjë zbulim madhor të naftës ose gazit. Në këto kushte, Turqia ka qenë e detyruar të fillojë kërkimet në ujërat e qeverive fqinje, përkatësisht pranë Greqisë dhe Qipros.

Pretendimet historike të Ankarasë në Detin Egje dhe në Qipro dhe ishuj të caktuar grekë kanë alarmuar fqinjët e saj mesdhetarë. Për më tepër, Turqia nuk është palë në marrëveshje të mëdha ndërkombëtare ligjore detare, të tilla si Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjet Detare, duke i dhënë asaj mundësinë e përcaktimit të zonave ekonomike dhe ujërave territoriale në rajon. Greqia dhe fuqitë e tjera mesdhetare kanë krijuar një strategji rajonale për të larguar Turqinë nga projektet e tyre ekonomike. Si shembull kryesor qendron gazsjellësin “EastMed”, një tubacion gazi natyror nënujor që do të dërgojë gazin nga fushat izraelite qipriote të naftës dhe në të gjithë Greqinë dhe Italinë. “EastMed” prite t’i zgjerojë eksportet e gazit edhe në Europë, ku kërkesa për energji po rritet. Por pavarësisht faktit se projekti kryqëzohet me ujërat turke, qeveritë mesdhetare e kanë përjashtuar Ankaranë, duke e perceptuar atë si një rival të padëshirueshëm, edhe pasi Turqia ofroi të kompensojë kostot nënujore të tubacionit. Dhe tanimë, Turqia duket se po përgatitet të hakmerret.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë