Ne rrjet

Turqia drejt përfundimit të centralit të parë bërthamor

Gati një vit pas nisjes së ndërtimit, Turqia duket të jetë shumë pranë ndërtimit të centralit të saj të parë bërthamor, i cili duket se ardhur si dhuratë nga Vladimir Putin.

Më 8 mars, një nga reaktorët e centralit përfundoi, ndërkohë që kompania ruse ka nisur ndërtimin e njësisë së dytë. Dega e kompanisë ruse “Rosatom” njoftoi të hënën se 70 për qind e të gjithë centralit ishte ndërtuar, ndërsa pjesa tjetër do të përfundonte deri në fund të vitit.

Ndërmarrja ruse do të ndërtojë plot katër reaktorë, secili me një kapacitet prej 1.2 gigavatt. Centrali parashikohet të punojë 8,000 orë në vit dhe të prodhojë 35 miliardë kilovatorë energji elektrike me kapacitet të plotë. Sipas autoriteteve turke, kjo do të plotësonte rreth 10 për qind të kërkesave elektrike të Turqisë. Të katër reaktorët pritet të përfundojnë në vitin 2025.

Gjatë takimit të së hënës me Presidentin Erdogan, Vladimir Putin ka përshëndetur bashkëpunimin e madh midis Moskës dhe Ankarasë, duke veçuar ndërtimin e centralit bërthamor.

“Të dyja vendet kanë zbatuar një numër projektesh të mëdha, duke përfshirë centralin Akkuyu dhe tubacionin e gazit TurkStream”, tha ai.

Por pak ditë më parë, Parlamenti Europian i bëri thirrje qeverisë turke të ndalojë ndërtimin e këtij centrali.

Para diskutimit rreth reaktorit bërthamor, Komisioni për Punë të Jashtme i PE-së kishte përgatitur një raport në të cilin Turqia u akuzua se vepronte kundër Konventës mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, e njohur edhe si Konventa e Espoos.

Vendet që janë pjesë e Espoos janë të detyruara të bëjnë një vlerësim të ndikimit në mjedis përpara se të ndërtojnë një reaktor të energjisë bërthamore.

Sipas raportit, qeveria turke duhet "të përfshijë, ose të paktën të konsultohet, me qeveritë e vendeve fqinje, si Greqia dhe Qipro, në lidhje me çdo zhvillim të mëtejshëm në centralin “Akkuyu".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë