Futboll

Turneu i “yjeve”, flasin protagonistët: Prisnim më shumë, ku janë tifozët?

Tifozët duke mos shkuar në stadium, ‘’braktisën’’ turneun e bamirësisë. Në Air Albania ishin pak më shumë se 6 mijë spektatorë nga 22 mijë që është kapaciteti. Kjo ka zhgënjyer organizatorët, por edhe vetë protagonistët. Gianni De Biasi, i cili drejtoi përfaqësuesen e yjeve të Italisë, u shpreh i zhgënjyer nga ky mosinteresim.

Gianni De Biasi

“Të them të vërtetën prisja më shumë tifozë, nuk e di të them se sa është reklamuar ky aktivitet, por ata që ishin meritojnë respekt, pasi bënë diçka të mirë për ata që nuk janë mirë në këtë moment”.

Nga ana tjetër më optimist duket organizatori i këtij turneu, Andi Lila, i cili mban postin e presidentit të Sindikatës së Futbollistëve Shqiptarë.

Andi Lila

“Të jem i sinqertë jam më shumë se i kënaqur. Në radhë të parë dua të falënderoj bashkëpunëtorët e mi dhe të gjithë vullnetarët. Nga i pari tek i fundit. Arritëm të bëmë një ndeshje të tillë. Akoma nuk kam shifra, por shpresoj që të jenë 10 mijë ose më shumë. Nuk e di sa të ardhura janë, do dalim me shifra ekzakte, sepse nuk dua të gaboj, sepse keqinterpretohet. Ne jemi të ri, akoma nuk e kemi përvojën e duhur. Duam ta vazhdojmë dhe të bëjmë këto ndeshje 1 herë në vit për bamirësi”. deklaroi Lila, ndërsa Strakosha shtoi:

Foto Strakosha

“Aktiviteti ishte i bukur për qëllimin që u bë dhe si u organizua. Prisja diçka më shumë nga tifozët, jo vetëm për të mbështetur skuadrën, por që të mbushnin stadiumin pasi kjo ishte një nga mundësi që mund të solidarizoheshim dhe të ndihmonim banorët e prekur nga tërmeti”.

Menjëherë pas sfidës ku Greqi-Turqi, ka folur presidenti i Sindikatës Greke,Georgios Bantis.

Georgios Bantis

“Që nga maji i 2019, jam president i Sindikatës Greke. Në futboll dhe sport jemi të gjithë vëllezër, dhe kur një nga vëllezërit tanë është në dhimbje ndjejmë të njëjtën gjë edhe ne. Sot erdhëm këtu për të bërë më të mirën dhe për të treguar që jemi vëllezër. Besoj se mund të zhvillojmë përsëri ndeshje të tilla. Mendoj se këtë duam të gjithë. Të gjithë ne duhet të tregojmë, se futbolli duhet të na bëjë një bashkë, dhe nëse nuk bëhemi nuk ka pse të ekzistojë futbolli”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë