Treg

Turizmi kulturor buzë humnerës, miliona euro xhiro të humbura dhe punonjës të kualifikuar të larguar

Gjatë 2020-s sipas INSTAT kanë ardhur vetëm 31.954 turistë të huaj për të vizituar objektet kulturore shqiptare krahasuar me 585.350 syresh gjatë vitit 2019 kur pandemia nuk kishte shpërthyer ende globalisht.

Ekspertët e sektorit pohojnë për Gazetën “Si” se turizmi kulturor është në prag të humnerës dhe ka vuajtur e vazhdon të vuajë më shumë nga të gjithë nëndegët e turizmit.

Parashikimet janë pesimiste edhe për 2021.

“Turizmi kulturor është edhe sektori më i dëmtuar i turizmit. Sepse kryesisht varet nga turistët e huaj, me origjinë nga Europa Perëndimore ose Amerika, të cilët ishin edhe tregu që mungoi pothuajse tërësisht gjatë këtij një vit e gjysëm të pandemisë. Kompanitë e turizmit që punojnë me turizmin kulturor, kryesisht turoperatorët, agjencitë turistike, hotelet e profilizuara për këtë treg, guidat dhe transporti turistik, kanë humbur gjatë kësaj periudhe gati 90-95% të volumit që bënë në vitin 2019”, shprehet për Gazetën “Si” Kliton Gerxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike)

Ai konfirmon se flitet për miliona Euro xhiro. E keqja është, thotë Gërxhani, që me përhapjen e variantit Delta, këto tregje po ri-mbyllen, dhe datat e ardhjes së grupeve kulturore shtyhen nga muaji në muaj.

“Anullimet e fundit po kapin shtatorin, kështu që ka mbetur shpresa që diçka të mundet të bëhet në tetor ose nëntor. Që do të thotë në rastin më të mirë, ne mund të bëjmë rreth 10-20% të volumit të 2019-s, dhe në rastin më të keq ZERO, duke mbushur dy vite të plota pa biznes dhe me stafin e kualifikuar që është larguar dhe vazhdon të largohet”, shprehet Gërxhani.

Por, në të njëjtën kohë ka një specifikë për ata që konsumojnë turizmin kulturor, target grupi është kryesisht mosha e tretë, e cila ka qenë më e prekura nga Covid-19.

Kjo kategori karakterizohet nga një kuriozitet i thellë për të vizituar vende të reja, kryesisht në grupe me bashkëmoshatarë. Por frika e virusit, I bënë këta njerëz ti shtyjnë udhëtimet e tyre. Sipas ekspertëve, gjithçka do të varet nga zhvillimet në lidhje me virusin, variantet e tij dhe vaksinimin në masë në rang global.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë