Ne rrjet

“Turizmi i protestave”, shaka me zarar. Vendet e BE një hap para apelit për të mos na vizituar

Sabina Veizaj – Vendet nordike dhe ato të BE-së janë të shqetësuar për shtetasit e vet në Shqipëri në këto ditë protestash dhe tensionesh të thekshme në rrugët e kryeqytetit.

Departamenti i jashtëm suedez u sugjeron turistëve të vet në vendin tonë, t’u shmangen lagjeve rreth Bulevardit të “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Të tregojnë vigjilencë, t’u ikin turmave të njerëzve, të kenë kujdes në çrregullime trafiku dhe të informohen rregullisht nga mediat për gjendjen në vend.

Mesazh pothuajse të njëjtë kanë lëshuar edhe ministritë e jashtme të vendeve të tjera nordike dhe vendet e BE-së.

Britania e Madhe ka rifreskuar informacionin në zërin e sigurisë për shtetasit e saj që udhëtojnë drejt Shqipërisë. Informacioni është dhënë më datën 8 maj dhe është rifreskuar sot më 14 maj.

Në të citohet se “një demonstratë e madhe ndodh të shtunën në mbrëmje dhe ju duhet të informoheni nga mediet lokale për të rejat e fundit duke u treguar vigjilent dhe të evitoni çdo grumbull personash në protestë”.

Zakonisht kjo është një gjuhë paralajmëruese e cila u paraprin udhëzimeve zyrtare që të mos vizitohen vende të konisderuara si vatra krize dhe turbullirash. Dhe si rrjedhojë ata që nuk u nënshtrohen këtyre udhëzimesh nuk mund të pretendojnë ndihmë konsullore dhe rimbursim për çdo tu ndodhë nga agjencitë e sigurimit.

Dhe këto thirrje duket se kanë zenë vend tek qytetarët e huaj që kanë planifikuar dhe dëshiruar të vizitojnë Shqipërinë.

Kliton Gërxhani, kreu i Shoqatës ATOA, (Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) thotë se më të tremburit ndër turistët janë ata italianë, austriakë dhe të vendeve nordike.

Gërxhani pohon për Gazetën “Si” se italianët që zakonisht vijnë në grupe këtë periudhë për të bërë eksplorime kulturore, kanë anuluar, sëbashku me ata që vizitojnë Shqipërinë për konferenca dhe trajnime.

Gërxhani thotë se deri në fund të qershorit zyrtarisht prenotohet për pushimet e verës, por me këtë situatë vështirë të ketë turizëm këtë vit sipas tij, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet, apo në rastin ekstrem shtyrjen e tyre.

Prandaj, thotë ai “Turizmi i protestave” ishte shaka me zarar”.

Por thirrjet e ambasadave të huaja dhe konsullatave vlerësohen negativisht nga ekspertët dhe bizneset e turizmit në vend.

“Turistët nuk kanë këtë mendim. Turistët vijnë dhe kënaqen në Shqipëri. Nëse dilni si në Tiranë, si në qytete të tjera do të përballeni me turistë. Këtë e bëjnë mediat e huaja që aplifikojnë në ekranet dhe shkrimet e tyre gjendjen në Shqipëri. Sigurisht që situata nuk është e qetë dhe palët duhet të gjejnë zgjidhje urgjente sepse është në dëm të ekonomisë; turizmit dhe investimeve të huaja”, thotë për Gazeta “Si”, Zak Topuzi, kreu i shoqatës Hoteleri Turizëm.

Nga të dhënat paraprake atij i rezulton se 15 % e rezervimeve për trajnime, workshope dhe konferenca i kanë pezulluar ato, por megjithatë eksperienca e ka treguar, thotë Topuzi që kur situata është qetësuar dhe ka shkuar në vend, ata kanë ardhur.

Sipas Topuzit, periudha që jemi është e favorshme për turizmin kulturor dhe kjo kategori turistësh që vjen për të eksploruar Shqipërinë po kthehet mbrapsht. Ai ngre shqetësimin edhe për rezervimet e pushimeve verore. “Duke u nisur nga vitet e mëparshme tanimë duhet të kishin nisur rezervimet në masë, por situata i ka sprapsur të huajt. Sepse ata nuk ndjehen të sigurt për të kaluar pushimet në Shqipëri duke parë nga mediet e tyre se çfarë po ndodh këtu”- shprehet Topuzi duke shtuar se “turizmi sot për sot është industria më e rëndësishme e ekonomisë në vend dhe ne jemi shumë vite mbrapa rajonit me mungesë rezortesh dhe hotelesh me peshë. Aktualisht vetëm një hotel me 5 yje kemi që funksionon “Hilton Garden”, kurse të tjerët janë veç kontrata. Kjo gjendje ndikon negativisht në vendosmërinë e investitorëve për të ivestuar dhe punuar këtu. Trendi ka qenë në rritje për turizmin vitin e fundit, por kjo situatë po na kthehet në bumerang.”

Turizmi në vend sipas të dhënave të INSTAT vitet e fundit ka pasur trend rritës, veçanërisht gjatë vitit 2018-të.

Gjatë vitit 2018, numri i vizitorëve që kanë vizituar kala dhe monumete të tjerë ka pasur rritjen mesatare vjetore më të lartë me 53,4 %, i ndjekur nga numri i vizitorëve në muze me 51,2 %, krahasuar me vitin 2017.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën 2014-2018 numri vizitorëve që kanë vizituar parqet arkeologjike, muzetë dhe kalatë në Shqipëri ka qenë afërsisht 3 milionë persona.
Rritja ka qenë gati dyfish për vitin 2018.

Por nga pamjet e tmerrshme të lokalizuara në disa destinacione të Tiranës dhe të shfaqura si në mediet shqiptare dhe ato të huaja, në mos i kanë tmerruar dashamirësit e Shqipërisë që kishin vendosur ta vizitonin vendin tonë, i kanë lënë pezull duke reflektuar vendimin e tyre.

Për rrjedhojë edhe bizneset e Tiranës e të vendeve turistike bregddetare dhe jo vetëm kanë humbur.

 

Më Shumë