Treg

Turizmi i 2021-shit shumë afër shifrave të 2019-s, pushuesit nga Kosova me peshën më të madhe

Për të gjithë 8-mujorin e vitit 2021, në Shqipëri hynë 4.3 mln shtetas të huaj, vetëm 8% më pak se në vitin 2019, sipas Instat.

Gjatë gushtit 2021 numri i vizitorëve ishte pothuajse shumë pranë shifrave të gushtiti të 2019-s, para pandemisë, 1.3% më i ulët.

Si gjithmonë, pjesa më e madhe e turistëve janë nga Kosova, të cilët përbëjnë 50% të të gjithë fluksit turistik dhe kanë pasur rritje krahasuar me 2019-n. Mbi 2.1 milionë shtetas nga Kosova vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të gushtit 2021 me një rritje 18% në raport me vitin normal 2019. Kjo rritje ka kompensuar disi rënien që erdhi nga vende të tjera, kryesisht nga BE që kishin vizituar vendin tonë më 2019.

Maqedonia e Veriut ishte vendi i dytë pas Kosovës me prurjet e larta turistike në Shqipëri. Gjatë 8-mujorit 2021 vizituan vendin 448 mijë shtetas nga Maqedonia kryesisht shqiptarë të trojeve, por ato ishin me rënie në krahasim me vitin 2019 me rreth 24%.

Gjithashtu rënie në raport me vitin 2019 shënuan të gjitha prurjet nga shtetet e tjera që janë burime për turizmin shqiptar, përveç Malit te Zi vizitoret e të cilit ishin më 2021, 54% më të larta se në vitin 2019.

Rënia më e madhe ishte për vizitoret nga Greqia dhe ato Spanja me 62% secila në raport me vitin 2019. Më rënie 17 % në raport me vitin 2019 ishin edhe turistet polak që vitet e fundit janë bërë një pjesë e rëndësishme e kërkesës për turizëm në vendin tonë

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë tetë-mujorit të 2021, është 4.4 mln duke u rritur me 2.5 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 .

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, që mat bilancin e udhëtimeve (shpenzimet që bëjnë të huajt në Shqipëri dhe ato që bëjnë shqiptarët jashtë), shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në 687 milionë euro në 6 mujorin e parë të vitit, me një rënie prej 20%, ose 167 milionë euro më pak, në krahasim me janar-qershor 2019, që deri tani mban rekordin si viti më i mirë deri tani për turizmin.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjithsesi hendeku me parakrizën ka filluar të ngushtohet që në tremujorin e dytë të vitit, teksa tkurrja ishte 11.6% në raport me periudhën përkatëse, nga 31% në tremujorin e parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Gusht 2021, janë 677.842. Krahasuar me Gusht 2020, ky numër është rritur me 2.2 herë, por mbetet poshtë nivelit të vitit 2019.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tetë-mujorit të parë të 2021, është 2.8 mln. Ky tregues është rritur me 47.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë por gati 30% më pak se në vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë