Mjedis

Turbulenca në fluturim: Pse me ndryshimet klimatike incidentet e avionëve janë në rritje

Javën e fundit, tre aeroplanë kanë përfunduar në mes të rrymave ajrore në lartësi të mëdha: një person ka vdekur dhe 27 janë plagosur. Sipas ekspertëve, këto turbulenca do të trefishohen në të ardhmen. Platforma që paralajmëron pilotët

Gazeta Si - Një i vdekur në 3 mars në qiellin mbi New England, shtatë persona u shtruan në spital më 2 mars në Virxhinia, njëzet të plagosur më 1 mars në Mauritius, 36 të tjerë (përfshirë 11 rëndë) mbi Haëaii dhjetorin e kaluar.

Katër raste nuk kanë ende një tendencë shkencore, por të brendshëm janë të shqetësuar për këtë rritje të dëmeve në njerëz dhe prona (aeroplanë) të shkaktuar nga turbulencat në fluturim javët e fundit.

Mbi të gjitha, sepse ndodhin gjithnjë e më shumë në fazën e “kryqëzimit”, atë ku pasagjerët zakonisht nuk vendosin rripat e sigurimit.

Shkaqet? Nga njëra anë, ndryshimi i klimës. Nga ana tjetër, Covidi, i cili me pothuajse reduktimin e udhëtimeve prej disa muajsh, ka përkeqësuar parashikimet e motit në lartësi të mëdha.

Pikiatë

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), agjencia hetuese amerikane që heton aksidentet e transportit, thekson se turbulencat rrallë shkaktojnë vdekje.

E megjithatë, më 4 mars, një person humbi jetën, ndërsa ishte me katër të tjerë në bordin e një “Bombardier Challenger 300”.

Avioni privat, i cili u nis nga Keene, New Hampshire dhe ishte nisur për në Leesburg, Virxhinia, hasi në turbulenca të papritura aq të dhunshme sa, sipas të dhënave të mbledhura nga “Flightradar24”, arriti një shpejtësi vertikale prej 37.7 metra në sekondë: kush ishte në bord u përplas shumë dhunshëm dhe aktualisht nuk është e qartë nëse udhëtari i ndjerë e kishte të lidhur rripin apo jo. Avioni më pas u devijua në Aeroportin Ndërkombëtar “Bradley”, Konektikat, SHBA

Të plagosurit

Një ditë më parë, një “Airbus A330” i kompanisë “Lufthansa”, që u nis nga Austin, Teksas për në Frankfurt, u devijua për në Uashington, pasi u përball me "turbulenca të konsiderueshme": shtatë persona u dërguan në spital me lëndime të lehta.

Avioni, shpjegoi Administrata Federale e Aviacionit, po fluturonte mbi Tenesi në një lartësi prej 11,300 metrash kur humbi 305 metra lartësi për shkak të turbulencës së papritur.

Më 1 mars, një “Condor A330-900”, që u nis nga Frankfurti për në Mauritius me 285 persona në bord, përfundoi në mes të një mase ajrore të paqëndrueshme dy orë para uljes: 20 pasagjerë u plagosën dhe avioni, i ri, kishte disa dëmtime strukturore.

Në dhjetor, turbulencat e forta gjatë zbritjes shkaktuan 36 lëndime në fluturimin e kompanisë “Hawaiian Airlines” që nisej nga Phoenix, Arizona, me destinacion Honolulu: 20 u transportuan në spital dhe 11 lëndime u raportuan të cilësuara si "të rënda".

Statistikat

Një raport NTSB i vitit 2021, bazuar në të dhënat e mbledhura midis viteve 2009-2018 pretendon se 37.6% e aksidenteve gjatë fluturimit që përfshijnë avionë pasagjerësh, janë shkaktuar nga turbulencat.

Nën akuzë janë mbi të gjitha "Cat", "turbulencat në ajër të pastër", të vështira për t'u parashikuar dhe për rrjedhojë më të rrezikshme, sepse gjenerohen nga energjia e rrjedhës së ajrit dhe nuk duken drejtpërdrejt.

Sipas Qendrës Kombëtare për Kërkime Atmosferike (NCAR) vetëm në SHBA, pilotët dërgojnë rreth 65,000 raporte në vit për turbulenca "të moderuara" dhe 5,500 "të rënda".

Për aviacionin e përgjithshëm - d.m.th. fluturime private - vlerësohet të jetë 40 vdekje në vit. Dhe kostot janë të mëdha.

Mes lëndimeve (të cilat duhet të trajtohen në spital), mungesave në punë, padive për lëndime, dëmtimit të avionit, vonesave, inspektimeve dhe riparimeve, shpenzimet vjetore variojnë nga 150 deri në 500 milionë dollarë.

Ngrohja globale

Janë dy elementë që kontribuojnë për t'i bërë fluturimet më "të gjalla". Sipas disa studiuesve, kryesori është ndryshimi i klimës.

Një nga studimet më të cituara është ai i vitit 2017 nga Paul Williams, profesor i shkencave atmosferike në Universitetin e Reading, në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Williams, ngrohja globale po modifikon rrymat e ajrit dhe sipas simulimeve kompjuterike, ai vlerëson se në dekadat e ardhshme (2050-2080) turbulencat e forta janë të destinuara të dyfishohen ose trefishohen në të gjithë botën, veçanërisht në zonat e korridoreve të rrugëve më të ngarkuara. Por jo vetëm, sepse ky fenomen në të ardhmen mund të rrisë kohëzgjatjen e turbulencës nga 10 minuta - në një fluturim transatlantik - në 20-30 minuta.

Është gjithashtu për këtë arsye, që kompanitë po diskutojnë nëse është e përshtatshme të zgjasin kohëzgjatjen e treguesit që kërkon nga udhëtarët të mbajnë rripat e sigurimit.

Parashikime më pak të sakta

Elementi i dytë që nuk po ndihmon për të shmangur të ashtuquajturat “gropa të ajrit”, është për shkak të Covid 19.

Për vite të tëra, linjat ajrore kanë marrë pjesë në programe të ndryshme për të ndarë, në kohë reale, të dhënat e motit të mbledhura nga avioni i tyre, të cilat më pas përdoren nga avionë të tjerë për të fluturuar në siguri të plotë, duke shmangur zonat problematike.

Në vitin 2019, kishte mesatarisht 189,000 fluturime në mbarë botën çdo ditë, sipas analizës së “Corriere della Sera” pas të dhënave të ofruara nga “Flightradar24”.

Në vitin 2020 - me shpërthimin e pandemisë në të gjithë globin, mbylljen e kufijve dhe pezullimin e udhëtimeve - mesatarja ra në 136,000 (veçanërisht avionë mallrash dhe privatë), në 2021 në 173,000. Nga 1 janari deri më 5 mars 2023, shifra u rrit në 182,000.

Programet e monitorimit

Me pak fjalë, sipas pilotëve dhe ekspertëve, për disa vite, raportet e motit ishin shumë më pak të sakta se dikur.

Në fakt, çdo avion është i pajisur me një radar moti, i cili shërben kryesisht për të kontrolluar situatën përgjatë itinerarit.

Të dhënat e mbledhura dërgohen më pas në serverë të ndryshëm për të përditësuar situatën e qiejve në mbarë botën çdo sekondë.

Ndër programet e ndryshme që ndihmojnë për të fluturuar në mënyrë të sigurt, është edhe platforma "Turbulence aware" e “Iata”-s (Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror), ku 15 transportues - duke përfshirë “Air France”, “Delta Air Lines”, “EasyJet”, “Lufthansa”, “Qatar Airways”, “Southwest” dhe “United” - transmetojnë në ndërfaqe të gjithë të dhënat metereologjike të mbledhura nga secili prej avionëve tuaj në fluturim.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë