Ne rrjet

Tsipras “shtron” rrugën për njohjen e “Maqedonisë së Veriut”

Edhe pse miratimi i marrëveshjes së Prespës shkaktoi një “tërmet” politik në Maqedoni, Alexis Tsipras duket e ka situatën nën kontroll.

Me fitimin e votëbesimit në parlamentin grek, kryeministri grek hoqi pengesën e fundit që bllokonte ratifikimin e marrëveshjes, duke i dhënë fund kështu debatit historik mbi emrin e Maqedonisë.

Marrja e besimit të parlamentit me 151 vota i lejoi po ashtu kreut të qeverisë greke që të shmangte zgjedhjet e menjëhershme, të cilat do të vinin në rrezik jo vetëm qeverinë e tij, por edhe fatin e paktit të arritur mes Shkupit dhe Athinës.

Tsipras thirri mocion e mosbesimit pasi Panos Kammenos dha dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së emrit, duke propozuar madje që ky pakt të votohet me një referendum. "Mund të kesh fituar 151 ligjvënës për votëbesimin, por nuk do të kesh 151 deputetë për marrëveshjen e Prespës”, tha ai të mërkurën.

Por ashtu siç edhe pritej, Tsipras arriti shumicën e thjeshtë, falë 145 deputeteve të Syrizas, votave të Grekëve të Pavarur dhe një prej deputetëve të Potamit (Lumi). Ai e përshkroi votimin, i cili përkoi me një seancë të ngjashëm të mbajtur nga parlamenti britanik, si një "votëbesim mbi stabilitetin". "Shqetësimi ynë i vetëm është të vazhdojmë të adresojmë nevojat dhe interesat e popullit grek", tha kryeministri.

Alexis Tsipras

Ndërkohë që parlamenti në Athinë “gëlonte” nga debatet e ashpra, me deputetë të Demokracisë së Re që akuzonin qeverinë për tjetërsimin e identitetit grek, Shkupi zyrtar dërgoi një notë verbale në Ministrinë e Jashtme greke, duke e informuar se i kishte plotësuar të gjitha kushtet ligjore të kërkuara nga marrëveshja e nënshkruar.

Ky draft i hap rrugën Parlamentit grek që të debatojë dhe të votojë për marrëveshjen e Prespës, duke aprovuar kështu emrin e vendit fqinj si Maqedonia e Veriut.

"Pala greke informohet se Republika e Maqedonisë i ka plotësuar kushtet e brendshme ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes përfundimtare dhe se më 11 janar të vitit 2019, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi vendimin për shpalljen e amendamenteve XXXIII , XXXIV, XXXV, XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe Vendimni për shpalljen e Ligjit kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII deri XXXVI në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë ", thuhet në notën verbale të dërguar nga Shkupi.

Dokumenti i dërguar nga Shkupi në Ministrinë e Jashtme greke

Disa nga ekspertët sugjerojnë se Tsipras nuk do ta ketë të lehtë të arrijë shumicën e thjeshtë për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë. Propozimi përballet me rezistencë në Greqi, pasi për shumicën e grekëve, Maqedonia është emri i krahinës veriore të saj, i bërë i njohur falë Aleksandrit të Madh. Në bazë të kushtetutës së vendit fqinj, kryeministri duhet të sigurojë gjysmën e deputetëve të pranishëm në parlamentin me 300 vende gjatë votimit të marrëveshjes dhe duhet të ketë të paktën 120 vota për të fituar.

Në shumë qytete në Greqinë Veriore, të martën dhe të mërkurën u vendosën një sërë posterash për të nxitur ligjvënësit të votonin kundër marrëveshjes. Një sërë deputetësh gjithashtu thanë se kishin marrë kërcënime anonime. Policia bëri disa arrestime mbi vendosjen e posterave dhe po heton kërcënimet.

Alexis Tsipras

Tsipras, mandati katërvjeçar i të cilit përfundon në tetor, është përballur vazhdimisht me spekticizmin e parlamentit mbi marrëveshjen me Maqedoninë, edhe pse të mërkurën duket se “erërat” lëvizën në favor të tij.

Rafitikimi i marrëveshjes duket do të varet nga qëndrimi i deputetëve të Potamit, partisë së vogël pro-BE, pozita e së cilës u forcua këtë javë pasi një nga ligjvënësit e tyre votoi pro Tsipras. Dritat po drejtohen tanimë nga Potami, e cila ka gjashtë vende në parlament dhe mund t’i sigurojë mbështetjen që i duhet kryeministrit, nëse deputetët e Grekëve të Pavarur vendosin të votojnë kundër marrëveshjes së Prespës.

Qëllimi i qeverisë për të vazhduar negociatat kokë më kokë me deputetët u tregua edhe nga zëvendëskryeministri Yiannis Dragasakis në fjalimin e tij në parlament të mërkurën, duke deklaruar se mosratifikimi i marrëveshjes do të shënonte fillimin e një tronditjeje të madhe të peizazhit politik në Greqi dhe rajon.

Ndërkohë, udhëheqësi kryesor i opozitës, Kyriakos Misotakis, quajti Tsipras një "gjuetar fati" dhe një "demagog të lirë", i cili kishte ndërtuar një marrëveshje të bazuar mbi gënjeshtra. "Ju e morët pushtetin me gënjeshtra, e menaxhuat me gënjeshtra, dhe do ta lini me gënjeshtra", tha Mitsotakis gjatë debatit të votimit të besimit.

Ndërkohë Tsipras këmbënguli që qeveria e tij ka detyra shumë të rëndësishme për të kryer.
Athina nuk ka dhënë një datë për votimin mbi marrëveshjen e Maqedonisë, por mediat greke thonë se ajo do të mbërrijë në parlamentin grek në fillim të javës së ardhshme. Deri atëherë, kryeministri Tsipras mendohet ta ketë përgatitur “terrenin” për kalimin e saj, duke i siguruar kështu vendit të tij, por edhe Maqedonisë, një “plus” të madhe në arenën ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë