Sport

Tsitsipas, ylli i “Australia Open”, në gjysmëfinale e pret Nadal

Edhe pa qenë i frymëzuar si dy ditë më parë, kur bëri bujë me eliminimin e Roger Federer, greku grintoz Stefano Tsitsipas është kualifikuar për në gjysmëfinale, duke mundur spanjollin Bautista Agut 7-5, 4-6, 6-4 dhe 7-6. Pas 3 orë e 15 minutash, 20-vjeçari e sheh veten në gjysmëfinale të “Australia Open”, ku e pret Rafael Nadal.

“Po jetoj një ëndërr, - thotë Tsitispas, - po jetoj momente, për të cilat kam punuar fort gjithë këto vite. Kam shumë emocione, por janë emocione që arrij t’i kontrolloj, sepse e di sa më është dashur të punoj për të arritur deri këtu”. Tenisti grek ia doli të kalojë edhe provën e vështirë ndaj një kundërshtari më të dobët, pas asaj fitoreje brilante ndaj një “shenjti” si Federer. Suksesi i 20-vjeçarit ka intriguar të pasionuarit pas këtij sporti, ndërkohë që ai është një “kërcënim” tashmë për emrat e mëdhenj si Rafel Nadal dhe Novak Djokoviç. Nadal kërkon suksesin në Australi prej 10 vitesh, ndërsa Djokovic do me çdo kusht të ketë vazhdimësi, pas paraqitjes së jashtëzakonshme në 2018-ën.

Stefanos Tsitsipas

Tsitsipas nuk e pati të lehtë ndaj Agut. Në tre setet e para ai ishte prapa: 2-0, 3-1 dhe 4-2. Dy reagime në setin e dytë treguan sërish forcën mentale të atij që tashmë të gjithë e konsiderojnë yllin e ri të tenisit. Në setin e katërt Tsitsipas ishte gjithmonë përpara dhe e mbylli “tie break” 7-2, pasi shpërdoroi një “match point” në 6-5 30-40, të ofruar nga spanjolli nga një faull i dyfishtë. Tsitsipas është gjysmëfinalisti më i ri në moshë i “Australia Open” në 15 vitet e fundit. I riu i fundit që kishte arritur në këtë pikë të turneut, është Andy Roddick, në vitin 2003. Me kalimin në gjysmëfinale, Stefanos Tsitsipas ka kapur për momentin vendin e 12-të në renditjen botërore. Vetëm kalimi në finale do ta fuste atë në 10-shen më të mirë, por në gjysmëfinale e pret Rafael Nadal, i cili eliminoi surprizën Frances Tiafoe.

Rafael Nadal mposhti pa vështirësi Tiafoe, 6-3, 6-4 dhe 6-2. Tenisti nga Majorka ishte në formë të shkëlqyer dhe ka arritur gjysmëfinalen e 11-të të karrierës pa humbur asnjë set. Nadal nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim fitoren, pasi dominoi në çdo set.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë