Ne rrjet

Tsipras, kryeministri i parë grek që viziton Shkupin

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, një kryeministër grek do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shkup. I shoqëruar nga 120 biznesmenë dhe gjashtë ministra, Alexis Tsipras do të takohet me homologun e tij maqedonas Zoran Zaev për të zgjeruat më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

Sipas agjendës së publikuar nga mediat greke, Tsipras do të mbajë fillimisht bisedime me Zaev dhe kabinetin e tij qeveritar. Më pas dy kryeministrat do të marrin pjesë në takimin e Këshillit të Bashkëpunimit Greko-Maqedonas, për të mbajtur me pas një konferencë të përbashkët për shtyp.

Tsipras gjithashtu planifikon të takohet me kryetarin shqiptar të parlamentit të Maqedonisë Veriut, Talat Xhaferi. Pasdite, Tsipras dhe Zaev do të marrin pjesë në një forum biznesi.

Vizita e tij pritet të jetë një shtysë e madhe mbështetjeje për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në qershor dhe është sinjali për klimë e mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev

Damjan Mançevski, ministri maqedonas për Administratën përshëndeti vizitën e kryeministri grek Alexis Tsipras, duke thënë se ajo do të hapte rrugën për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik mes dy vendeve.

Në një intervistë, Mançevski theksoi rëndësinë e vizitës historike, duke theksuar se të dy vendet nuk kanë më "mosmarrëveshje politike" dhe mund të përqendrohen vetëm tek zgjerimi i bashkëpunimit.

"Jemi në fazat fillestare, mundësitë para nesh janë të mëdha," tha ai.

Ai tha se qeveria në Shkup ishte e përgatitur të nënshkruante "disa marrëveshje dypalëshe specifike që do të kenë rezultate të prekshme që nga dita e parë e zbatimit të tyre".

Ai gjithashtu shprehu bindjen e tij se marrëveshja e Prespes do të ofronte shumë mundësi për bashkëpunim ekonomik.

Megjithatë, vizita e Tsipras në kryeqytetin maqedonas duket se nuk është pritur aq mirë në shtëpi. Udhëheqësi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis tha se nëse ai vjen në pushtet, do të vërë veton mbi anëtarësimin e Maqedonisë se Veriut në Bashkimin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë