Gazeta Si – Presidenti Trump tani ka përfunduar takimin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që u parapri nga takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski.
“Presidenti Trump ka përfunduar takimet e tij në Zyrën Ovale me Presidentin Zelensky dhe Kryeministrin Netanyahu. Të dy takimet ishin pozitive dhe produktive!”, shkroi në X zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ky është takimi i parë mes Trumpit dhe Netanyahut që nga fillimi i luftës kundër Iranit më 28 shkurt dhe i teti që nga fillimi i mandatit të dytë presidencial të Trumpit.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, dy liderët do të diskutojnë konfliktin me Iranin, praninë e Izraelit në Libanin jugor dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.
Më herët, në takim me presidentin amerikan ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Por mes tij dhe Netanyahut nuk do të ketë takim.
Trump u është përgjigjur edhe lajmeve se Netanyahu do t’i paraqesë informacione të reja të inteligjencës mbi rindërtimin e programit bërthamor iranian.
“Nuk kam nevojë që Bibi të më thotë këto gjëra. Ai m’i thotë sepse dëshiron që unë të mbetem i përfshirë”, tha presidenti amerikan.
Trump u shpreh i irrituar nga fakti që Netanyahu i bëri publike këto pretendime.
“Dëgjova Bibin duke e njoftuar këtë dhe mendova: pse nuk ma thotë vetëm mua? Pse duhet t’ia shpallë gjithë botës?”, shtoi ai.
Ndërsa vizita e presidentit ukrainas në Uashington pritet të shërbejë për më shumë mbështetje nga SHBA, sidomos për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
“Presidenti dhe unë diskutuam për licencat për prodhimin e raketave interceptuese Patriot dhe disa ide të tjera që mund të ndihmojnë,” shkroi Zelensky në një reagim të postuar në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje