Ne rrjet

Trump nuk tërhiqet: Po persekutohem nga Biden, sepse jam në krye të sondazheve

Gazeta Si - Nën masa të forta sigurie ish-Presidenti amerikan Donald Trump u paraqit të enjten përpara gjykatës federale në Uashington.

Ashtu siç ishte shprehur edhe më herët, edhe përpara gjykatës ai e deklaroi veten të pafajshëm për akuzat se ai orkestroi një komplot në përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, në atë që prokurorët amerikanë e quajnë një përpjekje të paprecedentë të presidentit të atëhershëm për të minuar shtyllat e demokracisë amerikane.

Kjo pasi sipas akuzës çoi në ngjarjet e dhunshme në Kapitol në 6 janar 2021. Para gjykatës Trump foli shumë pak pasi u lexuan akuzat ndaj tij.

77-vjeçari përballet me katër akuza ku më e rënda parashikon një dënim maksimal prej 20 vjetësh. Ndaj ish-Presidentit nuk u kërkua ndonjë masë arresti, por gjykata i kërkoi Trump që të mos përpiqej të dëmtonte procesin.

Pas seancës në Uashington, Trump u kthye në Nju Xhersi. Para se të nisej, ai u tha gazetarëve: “Është një ditë e trishtuar për Amerikën. Kjo është përndjekje e një kundërshtari politik”.

Më pas, në rrjetet e tij sociale “Truth”, Trump nisi një sulm ndaj presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden: “Pavarësisht se më duhej të shkoja në një Uashington të ndyrë, dekadent dhe shumë të rrezikshëm dhe se më pas u arrestova nga kundërshtari im politik, ‘i korruptuari’ Joe Biden', i cili po humbet me mua në sondazhe, kam kaluar një ditë të mirë!"

Trump e ka portretizuar këtë aktakuzë, si dhe rastet e tjera penale kundër tij, si një “gjueti shtrigash” që synon të prishë fushatën e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Ky është procesi i tretë penal që hapet ndaj Trump i cili është fokusuar tashmë në garën presidenciale të vitit të ardhshëm. Trump është akuzuar edhe për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga detyra dhe se ka paguar për heshtjen e një aktoreje për filmat për të rritur.

Seanca e radhës është caktuar për në 28 gusht, por gjyqtari i tha dje se nuk do të duhet domosdoshmërisht të paraqitet personalisht. Dhe atij i mjaftoi Uashingtoni: si i pandehur, jo si president i mundshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë