Ne rrjet

Trump: Kina përhapi qëllimisht koronavirusin për motive ekonomike

Presidenti Donald Trump akuzoi sot Kinën se mund të ketë përhapur qëllimisht koronavirusin, duke u bërë kështu shkaktare e pandemisë globale.

“Ka shanse të jetë e qëllimshme,' tha Trump për përhapjen e koronavirusit që filloi në Wuhan dhe u përhap në mbarë globin në fillim të këtij viti. Pa dhënë prova, presidenti spekuloi se Kina mund të ketë pasur motivime ekonomike për ta lejuar virusin të dalë nga kufijtë kinezë.

Trump pretendoi se Kina mund të kishte lejuar që koronavirusi të përhapej në mbarë botën për të dëmtuar ekonominë amerikane.

“Kina e pranon se vendi është në rrëmujë totale. Ata thonë se Shtetet e Bashkuara po na vrasin ekonominë. Dhe arsyeja janë tarifat që janë vendosur”, tha Trump.

Ai tha se nuk kishte raporte inteligjence për të mbështetur këtë akuzë. Kina testoi gati 11 milion njerëz në Wuhan, qyteti ku ndodhi shpërthimi, kur virusi u shfaq për herë të dytë. Trump tha se ai nuk kishte plane për të bërë testime në SHBA në këtë nivel.

“Unë personalisht mendoj se testimi është i mbivlerësuar, edhe pse krijova makinerinë më të madhe të testimit në histori”, tha Trump.

Zyrtarë të inteligjencës dhe ata të sigurisë kombëtare të SHBA-së thonë se qeveria e Shteteve të Bashkuara po shqyrton seriozisht mundësinë që koronavirusi ta ketë origjinën në një laborator kinez dhe jo në një treg të gjësë së gjalle.

Presidenti amerikan Donald Trump i bëri të qarta dyshimet e Shtëpisë së Bardhë një muaj më parw, duke thënë se ekspertët amerikanë po përpiqen të përcaktojë nëse koronavirusi erdhi nga laboratori i virologjisë në Wuhan të Kinës.

Ka shumë raporte se virusi filloi në një laborator të Wuhan jo si armë biologjike, por si pjesë e përpjekjes së Kinës për të demonstruar se aftësitë e saj për të identifikuar dhe luftuar viruset janë të barabarta ose më të mëdha se aftësitë e Shteteve të Bashkuara.

Ky raport dhe dyshimet e hedhura nga inteligjenca amerikane kanë bërë që Shtëpia e Bardhë ta marrë seriozisht se Covid-19 u krijua në laboratorin e Wuhanit, ku zhvillohen eksperimentet e virologjisë dhe standardet e dobëta të sigurisë atje, bënë që dikush të infektohej dhe koronavirusi të shfaqej në një treg të gjësë së gjallë ku virusi filloi të përhapet.

Një zyrtar i inteligjencës bëri të ditur për rrjetin televiziv amerikan “CNN”së tani për tani dyshimet e SHBA-së janë se virusi doli aksidentalisht jashtë laboratorit. Burime të tjera i thanë “CNN” se inteligjenca amerikane nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë teorinë, por po përpiqet të zbulojë nëse dikush ishte infektuar në laborator dhe mund të ketë infektuar pastaj të tjerët.

Presidenti Donald Trump dhe presidenti kinez, Xi Jinping, Gazeta Si, 2020

Teoria e krijimit të Sars-COV-2 në laborator është mohuar nga qeveria kineze, e cila thotë se Trump po mundohet të gjejë një rrugëdalje nga kriza e rëndë shëndetësore në SHBA duke fajësuar Pekinin.

Por publikimi i disa kabllove të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2018 ngre shqetësime në lidhje me sigurinë dhe menaxhimin e Institutit të Virologjisë Wuhan. Kur u pyetën për këto kabllo, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili ka vazhduar ta quajë koronavirusin “virusin e Wuhanit”, nuk i hodhi poshtë. Pompeo i bëri thirrje Pekinit të ndajë gjithçka që di për virusin e ri.

“Partia Komuniste Kineze nuk u dha Amerikanëve qasje në të dhënat e të prekurve kur ne ua kërkuam në fillim të epidemisë,” tha Pompeo në fillim të kësaj jave. “Pastaj ne e dimë që ata kanë këtë laborator. Ne e dimë që ai ndodhet pranë tregut të gjësë së gjallë. Ne e dimë se virusi vetë ka origjinën në Wuhan. Pra, të gjitha këto të dhëna do të mblidhen dhe do të formojmë tablone e plotë. Ende ka shumë që nuk dimë dhe duhet të gjejmë përgjigje” .

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë