Ne rrjet

Trump kërkon që Lindja e Mesme të futet në NATO!

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të papritur të enjten, duke kërkuar anëtarësimin e vendeve të Lindjes së Mesme në NATO. Duke folur për tensionet në rajon, Trump tha se se ai mbështet zgjerimin e NATO-s, për të përfshirë aty vende të Lindjes së Mesme.

“Unë mendoj se NATO-ja duhet të zgjerohet dhe ne duhet të përfshijmë Lindjen e Mesme, absolutisht” u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ai dukej se po i referohej Izraelit si vendit të parë që mund të bëhej pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, i cili është edhe aleati më i besuar i SHBA-së në Lindjes në Mesme.

Presidenti tha me shaka se organizata mund të quhet NATO-ME, ose NATO plus Lindja e Mesme. Ai tha se ia hodhi si mundësi këtë emër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në një telefonatë të mërkurën.

Presidenti foli të mërkurën për rritjen e përfshirjes së NATO-s në rajon, pas sulmeve iraniane kundër trupave amerikane në Irak, të kryera si hakmarrje për vrasjen me dron të gjeneralit iranian Kasem Soleimani, i cili luajti rol në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në rajon.

“Ne mund të kthehemi në shtëpi, të kthehemi përgjithësisht në shtëpi dhe të përdorim NATO-n”, tha Presidenti Trump. “Ne e kapëm ISIS-in, i bëmë Europës një nder të madh”, shtoi ai.
Ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison, tha të enjten se lufta kundër Shtetit Islamik është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO.
“Unë mendoj se ajo që presidenti po kërkon është që aleatët tanë të punojnë më shumë me ne në Irak,” i tha ajo rrjetit CNBC. “Dhe kjo është diçka që Këshilli ynë i NATO-s do të duhet të diskutojë dhe të vendosë që ne të bëjmë më shumë”, vijoi ambasadorja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë