Ne rrjet

Trump kërcënon aleatët e NATO-s: Financoni ushtrinë, ose përballuni me sanksione

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’u vendosin sanksione tregtare vendeve që mendojnë se nuk kanë kontribuuar mjaftueshëm në aleancën ushtarake të NATO-s. Presidenti Donald Trump e paralajmëroi këtë fill pas rikthimit në Uashington pas samitit të Aleancës në Londër.

Zbatimi i rregullit për shpenzimin e 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ushtrinë dhe NATO-n ka qenë një prej zotimeve të shefit të Shtëpisë së Bardhë, që ka kërcënuar edhe në të shkuarën vendet anëtare të Aleancës që të hapin thesin e shpenzimeve për ushtrinë. Ai foli për disa vende që po i afrohen objektivit, pa përmendur emra dhe disa të tjera që mbeten ende larg.

“Shumë vende janë afër dhe po afrohen. Disa nuk janë shumë afër dhe ne mund të ndëmarrim gjëra që kanë të bëjnë me tregtinë. Nuk është e drejtë që ata të kenë mbrojtjen amerikane dhe të mos paguajnë”, deklaroi Trump.

Reagimi i Trump mbërrin pas përplasjes së fortë që kreu i SHBA pati me Presidentin francez, Emmanuel Macron mbi të ardhmen e Aleancës, që u mblodh në Londër për të shënuar 70-vjetorin e themelimit.

Trump kërkoi nga vendet europiane që të paguajnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, ose të bëjnë lëshimë ne favor të interesave tregtare amerikane. Megjithatë, pavarësisht kritikave për Aleancën, Trump tha se ajo mbetet e shëndoshë dhe se marrëdhëniet e SHBA me aleatët e saj janë të jashtëzakonshme.

Por, nuk mendoi kështu Presidenti francez, Emmanuel Macron. Para këtij samiti ai tha se NATO është klinikisht e vdekur dhe u përplas në deklarata në distancë me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan. Macron këmbëngul për një reformim të aleancës dhe një rrugë që e sheh si hap në drejtimin e duhur për reformimin e kësaj aleance është ngritja e një mekanizmi të përbashkët mbrojtës të vendeve të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë