Ne rrjet

Trump: Duan të më shkarkojnë sepse po luftoj për ju!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur procedurën për shkarkimin e tij, të nisur nga demokratët, si “mashtrimin më të madh” në historinë e politikës amerikane, duke deklaruar se SHBA-të janë më në rrezik se kurrë më parë.

Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Trump i është kundërpërgjigjur publikisht nisjes së hetimeve ndaj tij lidhur me dyshimet se i ka bërë presion Kievit zyrtar, që të hetojë djalin e kundërshtarin e tij politik, ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden.

Trump tha se demokratët - të cilët javën e kaluar nisën procedurat për shkarkimin e presidentit - duan “të marrin gjithçka”.

“Demokratët duan të marrin armët tuaja, lirinë tuaj dhe unë kurrë nuk do të lejoj të ndodhë që një gjë e tillë”, deklaroi presidenti duke qendruar jashtë Shtëpisë së Bardhë.
“Të drejtat amerikane po kërcënohen nga demokratët. Ata duan të heqin kujdesin tuaj shëndetësor, ata duan të heqin të drejtën e votës, ata duan të marrin lirinë tuaj. Sepse vendi ynë është në rrezik si kurrë më parë. Është shumë e thjeshtë. Ata po përpiqen të më ndalojnë mua sepse unë po luftoj për ju”, u shpreh Trump.

Në një postim të njëpasnjëshëm në Twitter, Trump përsëriti akuzën se hetimi ndaj tij është një "gjueti shtrigash”, dhe akuzoi senatorin demokrat Adam Schiff e kishte shpifur ndaj tij.

https://twitter.com/realdonaldtrump/status/1178055467987275776

"Si mund të shkarkosh një President që ka krijuar Ekonominë më të madhe në historinë e vendit tonë, ka rindërtuar tërësisht Ushtrinë tonë, e cila tanimë më e fuqishme se sa ka qenë ndonjëherë ne 45 vjet dhe shumë më tepër?" pyet Trump në një postim.

Në thelb të skandalit për shkarkimin e tij, është publikimi i një raporti për telefonatën ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Gjatë kësaj bisede, Trump i ka kërkuar ndihmë Zelenskiyt për të hetuar Bidenin dhe djalin e tij Hunter, i cili ka qenë anëtar i bordit të një kompani energjetike në Ukrainë.

Trump, kishte bllokuar ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej 400 milionë dollarësh, para se kjo bisedë telefonike të ndodhte. Shtëpia e Bardhë, më 25 shtator, publikoi një transkript prej pesë faqesh të bisedës telefonike Trump-Zelenskiy.
Sipas një memoje, Trump i ka thënë Zelenskiyt se avokati i tij personal, Rudy Giuliani dhe Prokurori i Përgjithshëm, William Barr do të ndiqnin hetimin në Ukrainë dhe ata do të ishin kontakti kryesor për këtë çështje.

Giuliani ka konfirmuar se ka kontaktuar me autoritetet ukrainase për një hetim të mundshëm ndaj Bidenit dhe djalit të tij.

Në një postim në rrjetet sociale më 28 shtator, Giuliani tha se demokratët dhe mediat, janë bashkuar që ta shkatërrojnë atë dhe presidentin.

“E dija se mediat dhe demokratët e korruptuar do të përpiqeshin të na shkatërronin”, tha Giuliani, i cili në të kaluarën ka qenë kryebashkiak i Nju Jorkut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë