Presidenti Trump kërcënoi të mërkurën se do të marrë masa për rregullimin ose mbylljen e kompanive të caktuara të mediave sociale. Kërcënimi vjen një ditë pasi kompania Twitter Inc për herë të parë u shtoi një paralajmërim disa prej tweet-eve të Presidentit, duke i shtyrë lexuesit të kontrollonin me fakte disa nga pohimet e tij.
Të martën, kur ata që shikonin tweet-et e Presidentit Trump klikonin në paralajmërimin e vendosur nga Twitter-i, rrjeti social i drejtonte ata tek një njoftim i titulluar: Trump bën pretendimin e pabazuar se fletëvotimet me postë do të çojnë në mashtrim zgjedhor.
Paralajmërimi përmbante një link që të çonte tek shkrime të rrjetit CNN dhe gazetës Washington Post, si dhe përfshinte një shënim me titull “Çfarë duhet të dini”, si më poshtë:
"Çfarë duhet të dini:
- Trump pretendon në mënyrë të gabuar se fletëvotimet me postë do të çonin në "zgjedhje të falsifikuara". Por, kontrolluesit e fakteve thonë se nuk ka asnjë provë që fletëvotimet me postë kanë lidhje me mashtrim zgjedhor.
- Trump pohon në mënyrë të rreme se Kalifornia do të dërgojë fletëvotimi me postë për "këdo që jeton në këtë shtet, pavarësisht se cili është ose si ka ardhur aty.” Në fakt, vetëm votuesit e regjistruar do të marrin fletëvotime.
- Megjithëse Trump kishte në shënjestër Kaliforninë, fletëvotimet me postë tashmë përdoren në disa shtete, si Oregoni, Juta dhe Nebraska."
Presidenti kishte thënë përmes një postimi se votat e dërguara me postë do të bëheshin shkak për “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara.
Sot në mëngjes Presidenti shkroi në Twitter se "Republikanët ndiejnë se platformat e mediave sociale i lënë në heshtje të plotë zërat konservatore. Ne do t'i rregullojmë ato fuqishëm, ose do t'i mbyllim para se të lejojmë që kjo të ndodhë".
Paralajmërimi i Twitter Inc.
Të martën kompania Twitter për herë të parë paralajmëroi përdoruesit të kontrollonin faktet në postimet që vë Presidenti Trump në Twitter. Kompania paralajmëronte se pretendimet e presidentit për dërgimin e votave me postë ishin të pavërteta dhe të kundërshtuara nga faktet.
There is NO WAY (ZERO!) that Mail-In Ballots will be anything less than substantially fraudulent. Mail boxes will be robbed, ballots will be forged & even illegally printed out & fraudulently signed. The Governor of California is sending Ballots to millions of people, anyone.....
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) May 26, 2020
Një pikëçuditëse ngjyrë blu nxit përdoruesit të “kontrollojnë faktet për votat”.
"Presidenti Trump ngre pretendime të pabaza se fletëvotimet e dërguara me postë do të çojnë në falsifikime votash” shkruante një faqe pasuar me shpjegime për ato që i cilësonte si pretendime fallso.
Presidenti kishte thënë përmes postimit në Twitter se votat e dërguara me postë do të sillnin “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara. Ai veçonte guvernatorin e Kalifornisë lidhur me këtë temë, megjithëse ky nuk është shteti i vetëm që lejon votimin me postë.
"Unë, si President, nuk do të lejoj që kjo të ndodhë," shkruante ai.
.@Twitter is now interfering in the 2020 Presidential Election. They are saying my statement on Mail-In Ballots, which will lead to massive corruption and fraud, is incorrect, based on fact-checking by Fake News CNN and the Amazon Washington Post....
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) May 26, 2020
Kalifornia po planifikon t'i dërgojë çdo votuesi të regjistruar një fletëvotim me postë për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ky plan bëri që Komiteti Kombëtar Republikan të padisë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom.
Sekretari i shtetit i Kalifornisë Alex Padilla tha se veprimi i ndërmarrë nga Twitter-i për t’u shtuar shenjën e paralajmërimit tweet-eve të Presidentit Trump "është një hap i vogël në drejtimin e duhur. Por ne të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të ekspozuar gënjeshtrat." "Presidenti, - tha ai, - po përhap me qëllim informacione të rreme për votimin me postë, duke u përpjekur haptazi të shtypë votën."
.@Twitter "fact-checking" @realDonaldTrump is a small step in the right direction. But we can all do our part to call out the lies. The president is intentionally spreading false information about vote by mail and blatantly trying to suppress the vote. RT the TRUTH. pic.twitter.com/oaJGH41K1I
— Alex Padilla (@AlexPadilla4CA) May 26, 2020
Twitter pohoi se kjo ishte hera e parë që vendoste një paralajmërim lidhur me një postim të presidentit, që lidhet me politikën e re të kësaj kompanie të vënë në funksionim në fillim të muajit për të luftuar dizinformimin./voa
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.