Para

Troje e ndërtesa, si ndahen 1.22 mld lekët për “Astirin”

Janë 146 persona që do të ndajnë mes tyre 1.22 miliardë lekët e vendosura në dispozicion nga Qeveria si dëmshpërblim për prishjen e ndërtesave që preken nga zgjerimi i Unazës së Madhe në aksin nga Pallati me Shigjeta tek Rrethrrotullimi Shqiponja.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpronësimin e tyre së bashku me listën me emrat që përfitojnë në mbledhjen e mbajtur më datë 17 prill. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare, së bashku me detajet për shumën dhe sipërfaqen që zotërojnë personat në fjalë.

Një pjesë e mirë e parave shkon për dëmshpërblimin e kategorisë truall, më pas të ndërtesës dhe në fund tokë arë. Lista është përfundimtare dhe ajo përfshin vetëm personat të cilët kanë dokumentacionin e nevojshëm që provojnë se zotërojnë truallin në fjalë, apo që kanë ndërtuar mbi pronat e tyre dhe jo ata që kanë ndërtuar në tokë shteti, apo të zaptuar.

Vlera përgjatë pronës varion nga 4242 lek për metër katrorë deri në 38614 lek për metër katrorë. Këto janë çmimet e vendosura nga komisionet e vlerësimit të pronës, që kanë marrë për bazë llojin e pronës që shpronësohet, distancën nga rruga kryesore dhe zonën në të cilën ndodhet ajo.

Ata që nuk kanë të legalizuara ndërtimet nuk përfitojnë dëmshpërblim. Por, thuajse të gjithë personat e kësaj kategoria kanë qenë në proces legalizimi prej vitesh. Legalizimi i pronës së tyre është zvarritur edhe për shkak të mbivendosjes së pronave, ndërtimit në truall të tjetërkujt dhe mosplotësimit të dokumentacionit të plotë në kohë.

Sot, pjesa më e madhe e këtyre banorëve vazhdojnë të protestojnë çdo ditë prej 6 muajsh tashmë, duke bllokuar për 60 minuta rrugën. Ata kërkojnë që t’u njihet investimi i kryer ndër vite dhe të dëmshpërblehen për të.

Shpronësimet, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave bëhen në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ky i fundit thotë se janë 242 objekte që prishen, por kjo shifër ka ndryshuar që prej 1 shtatorit 2018, kohë kur u çel tenderi për ndërtim e këtij aksi dhe për më tepër shpesh të dhënat kanë qenë kontradiktore mes institucioneve të përfshira në këtë proces, si ALUIZNI dhe Hipoteka, që sot me ligjin e ri janë shkrirë për të formuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Dëmshpërblimet prekin të gjitha ndërtesat dhe pronat e vendosura në të dyja kahet e rrugës përgjatë gjithë gjatësisë së këtij segmenti, që në tenderin e hedhur nga Qeveria është i ndarë në tre lote. Për lotin 2 dhe 3 kompanitë fituese janë Salillari dhe Victoria Invest, ndërsa për lotin 1 nuk ka ende një kompani, pas anulimit të tenderit të fituar nga “DH Albania”. Kjo e fundit u kap me dokumentacion të falsifikuar dhe skandali pasoi një furtunë edhe në Qeveri dhe institucionet e tjera.

Për këtë lot, Qeveria rihapi garën tenderuese. Gjashtë kompani shfaqën interes dhe paraqitën ofertat e tyre. Edhe ritenderimin, Partia Demokratike e cilësoi si korruptiv dhe me fitues të paracaktuar kompaninë “Gjoka Construction”.

Por, tenderi u anulua. Autoritetit Rrugor Shqiptar njoftoi në fund të janarit se janë skualifikuar të gjitha kompanitë e ofruara për ndërtimin e këtij Loti.

“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave u ka ofruar të gjitha kompanive skualifikimin e ofertave të paraqitura për Lotin e Parë, pasi nuk plotësojnë kriteret. Sot do i paraqes ministres Balluku një raport mbi këtë proces transparent. Kompanitë janë partnere të ARRSH dhe dialogu dhe transparenca do jenë parësore. Kompanitë kanë të drejtën të ankimojnë. Në lotet e tjera të projektit do vijojnë punimet dhe shpronësimet, pasi ky projekt do të realizohet”, deklaronte drejtorja e ARRSH, Sonila Qato.

Por cilat ishin 6 kompanitë që ishin në garë për Lotin e Parë për herë të dytë pas anulimit të tenderit të parë në këtë projekt?
1-Curri sh.p.k. & Vëllezërit Hysa sh.p.k. & Agri Konstruksion
2-GD Granit AD Skopje
3-Gjoka Konstruksion SH.A. & Shansi ivest sh.p.k.
4-Geci sh.p.k.
5-ANK sh.p.k.
6-Baftjar Murati

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës kompaninë “DH Albania” për dy vepra penale; falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.

“DH Albania” është kompania që fitoi tenderin 18 mln euro në ‘Lotin 1’ tek Unaza e Re, duke krijuar imazhin e rremë se kjo është një kompani 20-vjeçare dhe me eksperiencë në projektet e infrastrukturës. E vërteta është se kjo kompani është themeluar më 25 qershor 2018, vetëm dy muaj përpara zhvillimit të tenderit.

ARRSH në padi theksonte se kompania kishte paraqitur dokumente të rreme. “Kompania ‘DH Albania’ ka paraqitur dokumente të rreme në lidhje me të dhënat e shoqërisë mëmë Dunëell Haberman në SHBA, si aktin e themelimit të dorëzuar në QKB ku pretendon se është themeluar më 25 qershor në 1998, kur në fakt rezulton se data reale është më 25 qershor 2018 si edhe dokumente të tjera.

“Institucioni jonë gjendet në kushtet e mashtrimit dhe falsifikimit të qartë të dokumenteve, veprime që dëmtojnë imazhin e institucionit dhe buxhetit të shtetit. Kërkojmë hetimin e kompanisë dhe vendosjen e personave përgjegjës përballë përgjegjësive ligjore”, thuhej në padinë e ARRSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë