Ngjarje

1.22 mld lekë për shpronësimet tek “Astiri”, por sa ndërtesa kompensohen?

Qeveria miratoi në VKM-në e mbledhjes së fundit shpronësimin e banorëve që preken nga zgjerimi i Unazës së Madhe në aksin nga Pallati me Shigjeta tek rrethrrotullimi “Shqiponja”. Pika e parë e këtij vendimi nuk lë vend për interpretim: ata që do të shpronësohen janë banorët që gëzojnë pronën e tyre dhe jo ata që nuk e kanë të legalizuar, e as të tjerët që janë në proces legalizimi.

Shuma e vendosur nga Qeveria për këtë qëllim është 1.22 miliardë lekë. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kërkohet që kompensimi të bëhet me vlerë të plotës, sipas masës së përcaktuar në listën e hartuar nga ARRSH dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Lexo edhe:
- “Astiri”, qeveria ndan paratë për banorët që u prishen shtëpitë

Vendimi hyn në fuqi menjëherë, ndërsa kërkohet që shpronësimi të fillojë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Por sa është numri i personave që përfitojnë nga ky vendim? Deri kur VKM-ja të publikohet e plotë në Fletoren Zyrtare, së bashku me listën me emrat që preken nga projekti kjo shifër nuk mund të thuhet e saktë.

Por, për të krijuar një ide po iu referohemi shifrave, edhe pse kontradiktore të publikuara nga autoritetet në vjeshtën e vitit të kaluar, atëherë kur nisën punimet, për t’u ndërprerë më pas nga skandali i kompanisë fantazmë “DH Albania”. Autoriteti Rrugor Shqiptar foli për 317 ndërtesa që shembeshin, prej të cilave ALUIZNI deklaronte në nëntor të 2018 se 163 ishin në proces legalizimi, por që nuk do të legalizoheshin.

Banorët që prekeshin nga ky projekt, me dhe pa legalizime kishin disa javë që protestonin vazhdimisht. Pas këtyre deklaratave të ARRSH dhe ALUIZNI-t, (që sot me ligjin e ri është shkrirë me hipotekën për të formuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës) banorët dolën në protestë para Kryeministrisë, ku nuk munguan përplasjet. Pas kësaj, ARRSH doli me shifra të tjera duke deklaruar se numri i ndërtesave që shembeshin ishte 195.

Por siç u mësua, në projektin unazës numri i saktë i objekteve që do të prekeshin nuk ishte përcaktuar. Pati edhe të paktën 7 kategori të ndryshme pronësie, të cilat sic pranoi ALUIZNI, do të ishin gabim të shembeshin pa kompesim.

Vetëm pasi protesta kulmoi me përplasje në kryeministri, rreth një muaj pasi u vendosën kryqet e parë për shembjen e 317 objekteve, Drejtoria a Autoritetit Rrugor, doli me një vlerësim të ri, duke deklaruar se në fakt numri i banesave që do të shemben është 195. Autoriteti shpjegonte se vetëm 71 objekte ishin të pajisura me dokumentacionin e plotë të pronësisë, ndërsa pjesa tjetër jo.

Ish-drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro fliste për takime në zyrën e tij me qytetarët e prekur në nëntor. Në këtë kohë, zyrtarizoheshin 46 objekte, pronarët e të cilëve ose kishin pranuar shpronësimin, ose kishin bërë kërkesë që prona t’u vlerësohej për shpronësim.

“Çorapi” me listën vazhdoi edhe më tej, megjithëse punimet u ndalën pas anulimit të tenderit për lotin 1, të fituar nga kompania “DH Albania”. Në atë kohë, ALUIZNI ndryshonte shifrat dhe fliste për 107 banesa që nuk do të legalizoheshin.

Gjatë atyre ditëve, Autoriteti Rrugor Shqiptar vijonte takimet me një pjesë të banorëve. ARRSH njoftonte me bujë se banorët priteshin personalisht nga drejtori i asaj kohe, Afrim Qendro, që kishte sqaruar deri në 70 për qind të pronarëve të objekteve që prekeshin nga projekti. Këtu, shifra e objekteve ndryshoi sërish. ARRSH nuk fliste më për 307 objekte, por për 242 që prekeshin nga ndërtimi i të tre loteve.

E sigurtë është se projekti cenon banesat e dhjetra familjeve, me dhe pa dokumentacionin e pronësisë. Mes banorëve në fjalë kishin qarkulluar lajmet se rruga do t’u prishte pronat, por në protestë të organizuar u ngritën vetëm pasi u zyrtarizua si projekti, ashtu edhe kompanitë fituese.

Vetë Kryeministri Edi Rama ftoi banorët që t’i hapnin udhë ndërtimit të projektit dhe akuzoi Partinë Demokratike se po përdorte për qëllime politike protestën e tyre. “Mos u bëni mish për top”, shprehej Kryeministri më 23 nëntor. Banorët thanë se nuk do të lejonin shembjen e shtëpive të tyre, me ose pa legalizimin, nëse nuk do të dëmshpërbleheshin. Madje edhe në protestën e së mërkurës ata u shprehën kundër VKM-së që miratoi qeveria për shpronësimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë