Futboll

Triumfon Partizani, tifozët e kuq ironi me policinë dhe FSHF-në

Fitore e pastër e Partizanit në ndeshjen hapësë të javës së 5-të të Superiores. Të kuqtë kanë fituar 2-0 ndaj Flamurtarit, duke e futur këtë ekip në një minikrizë, edhe pse është ende nisja e kampionatit. Mensah në pjesën e parë dhe Telushi në kohën shtesë, shënuan dy golat për skuadrën e drejtuar nga trajneri Skënder Gega. Partizani ngjitet në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka Skënderbeu kryesues që pret në Korçë Tiranën. Kundër dëshirës së tyre, të kuqtë do të bëjnë “tifo” këtë radhë për bardheblutë, pasi u intereson një ndalesë e korçarëve. Për t’u veçuar është fakti se në këtë ndeshje ktheheshin pas dënimit nga Disiplina tifozët e kuq, të cilët kanë shpalosur një banderolë ironike në stadiumin “Selman Stërmasi” për FSHF-në dhe Policinë e Shtetit. Në këtë banderolë gjigante shfaqeshin efektivë policie, logoja e FSHF-së dhe shenja “1×2”, që nënkupton bastet dhe futbollin e korruptuar.

Banderola ironike e tifozëve të Partizanit

Ishte një ndeshje që duhej fituar dhe Paritzani ia arriti qëllimit. Me ndryshime në formacion, ku Mensah luante titullar në sulm, në vend të Hebajt të dëmtuar, skuadra kryeqytetase domonoi në lojë dhe pas 21 minutash lojë e pa veten në avantazh. Mensah shënoi me një veprim të bukur teknik në zonë, duke nxjerrë jashtë loje portierin Koliçi. Në pjesën e parë Partizani pati edhe dy raste të tjera të mira me Asanin, por pa mundur t’i shfrytëzojë. Vlonjatët u munduan të reagonin në pjesën e dytë dhe e spostuan disi lojën, megjithatë kërcënimet në portën e Hoxhës nuk ishin konkrete. As ndërrimet e trajnerit Daja nuk dhanë rezultat. Në kohën shtesë Bruno Telushi, ish-kapiteni i Flamurtarit, dyfishoi shifrat me një goditje dënimi.

Një goditje e fortë për vlonjatët, ku gjërat nuk po shkojnë mirë, gjë që e vërteton edhe nervozizmi i Torasës në momentin e zëvendësimit, kur ai hoqi fanellën në mënyrë demonstrative. Partizani e pret kështu si duhet derbin e javës së ardhshme me Tiranën, ndërsa te Flamurtari situata është vështirësuar pas dy humbjeve radhazi. Por më shumë është mënyra e lojës që nuk bind te vlonjatët. Useini edhe këtë ndeshje nuk luajti asnjë minutë dhe kjo është një çështje që vlon, ndërkohë që edhe Musta e nisi ndeshjen nga stoli. Lojtarët me më shumë përvojë nuk po japin atë që duhet.

Të kuqtë festojnë golin e Bruno Telushit

Trajneri Skënder Gega, pas fitores ndaj vlonjatëve u shpreh: “Dua t’i uroj Flamurtarit dhe Dajës suksese në ndeshjen tjetër. Jemi rivalë, por duhet ta duam njëri-tjetrin dhe të transmetojmë “fair-play”. Ishte ndeshje vendimtare dhe e fituam. Tani po njohim më mirë njëri-tjetrin dhe filozofinë e klubit. Jam shumë i kënaqur, sepse luajtëm futboll të mirë, ku ekipi zbatoi detyrat dhe ishte luftarak. Na presin ndeshje të rëndësishme dhe dua të vazhdojmë me këtë ritëm. Trysnia ishte e madhe, i besova Mensah dhe ai e tregoi veten”. Kurse trajneri Ilir Daja theksoi: “Nuk duhet t’i dramatizojmë gjërat. Flamurtari nuk luajti një pjesë të parë të mirë, por kjo erdhi për shkak të kundërshtarit. Rastet për shënim të Partizanit erdhën nga gabimet e mbrojtësve tanë, që do të thotë se ekipi ka shumë tension dhe ky është problem. Torasa nuk ka gjendjen e duhur fizike, Alvesh po ashtu, pasi erdhi ditët e fundit, ndërkohë që na ka munguar Alla. Disa lojtarë nuk e kanë eksperiencën për ndeshje të tilla. Kam rezerva edhe për gjykimin, sepse ka lejuar shumë pak lojë efektive”.

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, dhe stafi i tij

Java e 5-të vazhdon me një tjetër sfidë shumë interesante, Skënderbeu-Tirana, që luhet të shtunën në mbrëmje. Ndeshjet e tjera janë Luftëtari-Teuta, Kastrioti-Laçi dhe Kukësi Kamza.  

 

Më Shumë