Drejtësia

Unioni i Gjyqtarëve për kolegun Tonin Sterkaj: Sulm i pabesë e burracak me qëllim frikësimin e magjistratëve

Gazeta Si - Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e tij në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në derën e banesës së kolegut gjyqtar Tonin Sterkaj.

Në një deklaratë për shtyp, Unioni e konsideroi sulm të pabesë e burracak që ka për qëllim cenimin e rendit e të sigurisë publike, vendosjen e lëndës plasëse në derën e gjyqtarit.

Duke shprehur mbështetjen për gjyqtarin dhe familjen e tij “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dënon me forcë këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Z.Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi”, - thuhet në deklaratë.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se, ky sulm i pabesë e burracak ka për qëllim jo vetëm frikësimin e magjistratëve, por edhe cenimin e rendit e të sigurisë publike, si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë!’ thuhet në një reagim të sotëm të Unionit.

“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet ligjzbatuese të veprojnë më shpejt se rastet e mëparëshme, për të indetifikuar, kapur e vënë para përgjegjësisë penale çdo autor të mundshëm të këtij veprimi të shëmtuar krimininal, duke dhënë në mënyrë të veçantë mesazhin se, magjistratët në Republikën e Shqipërisë kanë mbështetjen maksimale të Shtetit, për të kryer detyrën e tyre në mënyrë të qetë e pa rrezikuar jetën, shëndetin, pronën e tyre dhe të familjarevë te tyre nga krimi, si një ndër kushtet themelore për forcimin e ligjit, shtetit të së drejtës dhe prospertitetin e vendit”, - vijon deklarata.

Një sasi e vogël tritoli u vendos paraditen e 28 prillit në portën e banesës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Tonin Sterkaj.

Në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij. Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera.

Dëshmia e gjyqtarit Sterkaj nuk ka ndihmuar hetuesit. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë