Treg

Tregu i sigurimit të jetës në rritje, ka ndikuar rritja e çmimit të pronave

Rritja e tregut të pronave duket se po tërheq në rritje kredinë bankare edhe atë të sigurimit të jetës.

Sipas të dhënave  nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF)  primet e shkruara bruto në tregun e sigurimit të jetës për katër muajt e parë të këtij viti u rritën 20% me bazë vjetore.

Statistikat e AMF tregojnë se numri i përgjithshëm i kontratave të sigurimit të jetës për periudhën janar-prill u rrit me 31%, ndërsa primet e shkruara bruto u rritën me 29%.

Sigurimi i jetës së debitorit solli më shumë se 71% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të jetës për këtë periudhë. Pandemia e rrit edhe më shumë peshën e këtij produkti, për shkak të rënies së dukshme të biznesit në produktet e lidhura me udhëtimet e shtetasve, sidomos në sigurimin e aksidenteve dhe jetës në udhëtim.

Sigurimi i jetës së debitorit është pothuajse i lidhur me kreditë e dhëna nga sektori bankar. Nga pikëpamja formale, ky sigurim është vullnetar, por në praktikë ai është një produkt i detyrueshëm, me të cilin bankat ngarkojnë kredimarrësit. Ai është i lidhur sidomos me kredinë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët, megjithëse banka të veçanta mund të kërkojnë një sigurim të tillë edhe për kreditë konsumatore, kur ato prekin vlera të mëdha.

Vitin e kaluar, shoqëritë e sigurimit të jetës raportuan gjithsej rreth 62 mijë kontrata të sigurimit të jetës, për një vlerë totale prej 759 milionë lekësh ose rreth 6.2 milionë eurosh.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë treguan se për periudhën janar-prill, sektori bankar disbursoi rreth 10.5 miliardë lekë ose mbi 85 milionë euro kredi të reja për shtëpi. Krahasuar me një vit më parë, kredia për shtëpi është rritur me 61%, duke arritur nivelin më të lartë në gjashtë vitet e fundit.

Rritja e çmimit të pronave ka bërë që individët të marrin hua në vlera mesatare më të larta për të përballuar blerjen e pronave. Për pasojë edhe shumat mbi të cilat sigurohet jeta janë më të mëdha, duke nxitur rritje të primeve të sigurimit të jetës. 

 Për katër muajt e parë të këtij viti, tregu i sigurimit të jetës përbënte rreth 7.3% të tregut total të sigurimeve në Shqipëri, sipas primeve të shkruara bruto, nga rreth 6.9% që ishte pesha e tij një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë