Treg

Tregu i sigurimeve u rrit me 18% për 9-mujorin

Tregu i sigurimeve arriti një volum total të primeve të shkruara bruto prej 14.2 miliardë lekësh ose rreth 116 milionë eurosh gjatë 9-mujorit.

Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se tregu po ruan ritme dyshifrore të rritjes, me 18% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, tregu është në rritje me 10.4% më shumë.

Tregu shqiptar i sigurimeve mbetet kryesisht i varur nga produktet në segmentin e sigurimeve motorike. Për 9-mujorin, primet në klasat e sigurimeve të detyrueshme motorike u rritën me 13.8% krahasuar me një vit më parë.

 Normën më të lartë të rritjes e shfaqin produktet që vitin e kaluar u ndikuan më shumë nga pandemia. Këtë vit primet nga policat kufitare janë rritur me 146.6%, ndërsa ato nga kartoni jeshil me 27.55%. Sigurimi i brendshëm motorik TPL deri tani po shënon një normë rritjeje me 8.8%.

Ritme të larta të rritjes po shfaq edhe sigurimi KASKO i automjeteve, me 27.25% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rikthimi i turizmit hyrës dhe rritja e kërkesave për makina me qira ka ndikuar në përmirësimin e këtij tregu.

Edhe sigurimi i katastrofave gjithashtu po shfaq ritme të larta të rritjes për këtë vit.

Primet e shkruara bruto arritën vlerën e 1.42 miliardë lekëve, me një rritje prej 44.2% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, rritja e numrit të kontratave në klasat e sigurimit të pronës është disa herë më e ulët, me vetëm 10.9%. Kjo tregon që pjesa më e madhe e rritjes në këtë produkt ka ardhur nga shtrenjtimi i primeve ose nga rritja e vlerës së përgjegjësive të siguruara.

Në të njëjtën tendencë të rimteve të larta të rritjes është edhe tregu i sigurimit të jetës. Për 9-mujorin, primet e shkruara bruto janë rritur me 25.2% krahasuar me një vit më parë. Ky treg vazhdon të dominohet nga sigurimi i jetës së debitorit, ku primet këtë vit janë rritur me 31% dhe përbëjnë pothuajse 70% të totalit të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë