Ekonomi

Rënia e tregut të aksioneve. Analistët: S’ka argumente për recesion

E enjtja ishte një tjetër ditë e tmerrshme për aksionet. S&P 500, indeksi i shumë prej kompanive amerikane, ra në 2,447.89, 16 % më pak nga piku. Dhe një masakër tjetër është gati e mundshme. Ekonomia kineze po ngadalësohet aq shumë saqë edhe Apple shqetësohet se nuk do të bëjë shitjet e pritshme. Nga Uashingtoni vijnë sinjale kaosi. Dhe disa indikatorë të aktivitetit ekonomik të SHBA-ve, të tilla si indeksi i ISM-së, gjerësisht i ndjekur për prodhimin, kanë filluar të sinjalizojnë shqetësimin.
Por këto ngrenë të paktën një pyetje interesante: Pse shumë analistë të shquar pararshikojnë që aksionet do të rriten këtë vit?

Sipas Bloomberg, në prag të Vitit të Ri, 22 analistë parashikuan se S&P do ta mbyllte 2018-n në 2,975. Që do të thotë 22 % më lart se mbyllja e të enjtes. Askush nuk mendonte që S&P do të zbriste kaq poshtë; parashikimi më i ulët ishte 2,665.

Çfarë shkakton?

Një përgjigjje është se analistët besojnë shumë. Megjithatë, të paktë qenë ata që parashikuan se S&P do ta mbyllte 2018-n kaq poshtë. Dhe është shumë e rëndë të parashikosh korrigjimet dhe bear markets - (Bear Market është situatë tregu financiar që nënkupton pesimizmin ndaj tregut ku çmimet bien dhe inkurajohen blerjet) - madje as krizën financiare që nisi më 2007 dhe i zuri shumë syresh në befasi.
Por referuar intervistave të ndryshme me shumë analistë, ka një tjetër mundësi: Ekonomia është thelbësisht e fortë dhe tregu i aksioneve ka reaguar në mënyrë të ekzagjeruar ndaj shqetësimeve për një ngadalësim modest të ekonomisë.

“Ndjehet sikur ka një hendek të madh mes asaj që po ndodh në Main Street dhe asaj që po ndodh në Wall Street,” tha Noah Weisberger, drejtor menaxherial i strategjisë amerikane të portofolit në AB Bernstein. “Gjithçka që po ndodh ka të bëjë me një shkallë modeste të ngadalësimit të ekonomisë.”
"Motorët kryesorë të ekonomisë, siç është besimi i konsumatorit, tregu i punës dhe fitimi i korporatave, janë pothuajse të gjitha të qëndrueshme", shtoi Jill Carey Hall, pjesë e Bank of America Merrill Lynch.

“Fitimi i korporatave ka qenë i fortë dhe kompanitë kanë një parashikim të shëndetshëm për vitin që ka hyrë,” tha ajo. “Të dhënat e ekonomisë amerikane kanë qenë të forta. Të gjitha masat e sugjeruara do të reflektohen në vazhdim."

Që prej krizës financiare, ekonomia amerikane ka përjetuar zgjerimin e dytë më të gjatë në kohë në historinë e vendit. Papunësia ka rënie historike, pagat kanë nisur të rriten dhe deri në fund të 2018, tregu i aksioneve ka qenë në një rritje të pandalshme. Konsumi final, një motor i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik, ka dërguar një sinjal dobësimi. Industria me pakicë, për shembull, ka pasur performancën më të lartë të shitjeve të gjashtë viteve të fundit.

“Ne kemi parë rritjen e shitjeve me pakicë të përshpejtohet, disa prej tyre si rezultat i uljes së taksave, por gjithashtu prej të ardhurave të qëndrueshme nga punësimi dhe rritja ekonomike", tha Keith Parker, shef i kapitalit privat tek UBS. "Ju e shikoni rritjen e të ardhurave të lidhur me rritjen e shpenzimeve dhe konsumatorët janë ata që e drejtojnë ekonominë".

Kërcënimi më i madh ndaj konsumatorëve në këtë moment është pasiguria politike, sipas Conference Board, një grup kërkuesish biznesi, i cili tha se indeksi i besimit të konsumatorit ra në dhjetor më shumë se ç’pritej. Shqetësimet rreth një ngadalësimi të ekonomisë kanë shpënë pritshmëritë e konsumatorëve në pikën më të ulët që prej nëntorit 2016.
Pas vitesh zgjerimi, ekspertët dakordohen që Shtetet e Bashkuara janë me shumë mundësi pranë fundit të ciklit të tyre ekonomik dhe tregu është bërë më i lëkundur. Kjo ka nxitur shumë shqetësime, përfshirë rritjen e normës së interesit dhe një tërheqje në rritjen ekonomike globale nga konflikti tregtar i SHBA-së me Kinën.

Tregu synon të prezantojë një çmim me risk të lartë. E ndërsa pasiguritë kalojnë ose ndjellin më pak frikë, tregu synon të rivlerësojë.

Edhe një rënie e zgjeruar në tregje nuk garanton domosdoshmërisht një recesion. Që prej 1929-ës, ka pasur 20 herë bear markets, të përkufizuar si aksionet amerikane në rënie prej 20 % nga kulmi i tyre.
“Ne po shkojmë në një riadaptim të dhimbshëm,” tha Tobias Levkovich, shef i kapitalit tek Citigroup. “Por shumë prej të dhënave që ne po shohim nuk mbështesin një recesion të mundshëm”.


Taylor Telford/ *Burimi: Washington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë