Ngjarje

Tre të dyshuar për vrasjen e Malkos u arrestuan që në prill, por u liruan

Të paktën tre nga nga tetë personat e dyshuar nga policia si të përfshirë, ose persona që kanë dijeni për vrasjen mafioze të ish-policit Santiago Malko në ngjarjen e rëndë të ndodhur në fund të muajit gusht në Tiranë, janë arrestuar nga policia gjatë një operacioni të ndërmarrë në muajin prill të këtij viti.

Në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit gjendet ende në seksionin e arkivës njoftimi i datës 8 prill 2019. Në këtë njoftim, policia e konsideron superoperacion që në bashkëpunim me qytetarët çoi në pranga katër persona me akuza të rënda, që nga “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të municionit luftarak”, deri tek “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Gjatë operacionit u sekuestrua një mjet BMW i blinduar dhe me targa ruse, një pistoletë, fishekë dhe lëndë narkotike.

"Bashkëpunimi me qytetarët për të luftuar krimin vë në pranga katër shtetas për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”m ndërsa në pranga përfunduan shtetasit Leonard Duka, 33 vjeç, Dritan Agaj, 38 vjeç, Oltion Loga, 38 vjeç dhe Ergys Gaçaj, 44 vjeç", thuhej në njoftim.

Burime policore pohonin në atë kohë se të arrestuarit po përgatiteshin për realizimin e një atentati ndaj një personi tjetër, por pa dhënë më shumë detaje se kush ishte shënjestra e sulmit. Gazetari Artan Hoxha zbuloi së fundmi për Report TV se në shënjestër ka qenë pikërisht Santiago Malko.

Por, as kapja në kushtet e flagrancës, as sekuestrimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve narkotike dhe as indiciet që kishin uniformat blu se personat në fjalë po përgatiteshin për kryerjen e një ekzekutimi mafioz nuk e bindën prokurorinë që të hetohej më tej ndaj këtyre personave.

Provat e policisë u rrëzuan dhe të gjithë të ndaluarit më parë dolën nga qelia sesa hynë në të. Pesë muaj nga ky episod, emrat e Oltion Logës, Leonard Dukës dhe Dritan Agaj rikthehen në zyrat e policisë dhe prokurorisë, këtë herë si të dyshuar dhe të përfshirë në një akuzë më të rëndë; atë të vrasjes së Malkos.

Rrethanat sesi këta persona u lanë të lirë pas arrestimit më 8 prill mbeten të paqarta, por e qartë është se nëse prokuroria dhe policia do të hetonin siç duhej pas atij episodi, këto institucione sot nuk do të mbanin “peshën e bashkëfajësisë” për vrasjen e Santiago Malkos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë