Ana e errët

Korrupsioni për makinat, si e ndoqën ish-policin Malko para se ta vrisnin

Pas vrasjes së Santiago Malkos, kamerat e sigurisë kanë hedhur dritë mbi dinamikën e ndjekjes së tij këmba-këmbës nga dy automjete. E ndërsa njëra nga makinat që kuptohet se nuk i ndahet shënjestrës rezultoi se ishte vjedhur në Fushë-Milot, tjetra afroi hetuesit me të dyshuarit kryesorë, çka solli edhe arrestimin e njërit prej tyre që në fakt ka rrëfyer jo pak për autoritetet. Automjeti i dytë tha një burim i sigurt i Gazetës “Si”, është mjet tip “Skoda” dhe ndërsa dallohet që ai po përgjonte 32-vjeçarin, kamerat e sigurisë zbuluan edhe targat. Nga verifikimi në gjoba shpjegohet më tej për Gazetën “Si”, u zbulua se ky mjet i përkiste një vajze të re.

Menjëherë hetuesit kanë marrë në pyetje të renë, e cila është befasuar dhe ka deklaruar se ajo nuk posedon asnjë automjet, por ka dhënë detaje tepër interesante. “E. – thotë dëshmitarja – është shoku im dhe një vit më parë më kërkoi kartën e identitetit dhe më tha se i duhej. Më vonë mësova se në Durrës kishte regjistruar një automjet nën emrin tim, por nuk i vura rëndësi”. Personi që përmendet nga dëshmitarja është një tjetër i dyshuar, që i çon hetuesit drejt gjurmëve të dy vëllezërve, një vlonjati dhe dy shtetasve të tjerë. Me shumë mundësi, pohon një nga burimet për Gazetën “Si”, Santiago Malko mund të jetë vrarë për shkak të përplasjeve mes dy grupeve, për sa kohë ai njihej si ushtar i Ervis Martinajt. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë vjelë “detyrimet” për lojërat e fatit, aq më tepër kur edhe dy vëllezërit e dyshuar përmenden si ish-pronarë të lojërave të fatit. Por, pas publikimit të plotë të dëshmisë së të arrestuarit, prokuroria gjendet në pozitë të vështirë për ta ftuar atë që të rrëfehet dhe të përfitojë statusin e dëshmitarit të drejtësisë. Aq më tepër shton një tjetër burim pranë sektorit të vrasjeve, që vetë i arrestuari u duk më shumë i frikësuar nga gjithë ç’kishte ndodhur. Kjo pasi ai tregoi që pasi ishte ngrënë mishi i pjekur, personat e dyshuar kishin thënë: “Çuna hajde ta bëjmë”, dhe pas eliminimit të Malkos, ai e kishte kuptuar që bëhej fjalë për ç’kishte dëgjuar ai.

Skema- Vjedhje targash, makina në emër të dikujt tjetër

Por jo vetëm vjedhja e targave për të kryer eliminime të paramenduara, por edhe pajisja e makinave me dokumente nën emrin e një personi tjetër është një skemë që përdoret prej kohësh. Sikundër edhe përdorimi i  numrave të telefonave të vjedhur në zonat rurale që asnjëherë nuk denoncohen nga të dëmtuarit, por që shpesh rezulton të jenë përdorur në ngjarje të krimit të organizuar. Gazeta “Si” sjell ekskluzivisht hetimin e tre shtetasve, të cilët siguronin jo vetëm dokumente false, por edhe kalonin mjetet për kolaudim ose pajisnin me karta identiteti persona të ndryshëm. Në një rast kanë pajisur me leje drejtimi shtetasin Maretil Gjini nën emër të shtetasit Nino Menchini. Ndërsa, më poshtë Gazeta “Si” sjell përgjimet nga dëshmitari Robert Lufa, i cili tregon se si të dyshuarit ndihmonin dhe ndikonin në kalimin e mjeteve pa radhë si edhe për kolaudimin e tyre.

“U interesova për të kolauduar mjetin “Ford fokus” me targa aa840es. Për ta kryer këtë gjë sa më shpejt u takova me Altin Topallin (i dyshuar) dhe më tha që makinën ta parkoja te bilardo dhe çelësat dhe lekët t’i lija po te bilardo. Lashë në kroskot 15 mijë lekë të reja, një pjesë të të cilave Altini do i përdorte për pagimin e taksave, dhe të tjerat t’i mbante për kafe. Të nesërmen shkova në qendrën e kontrollit teknik dhe në radhë gjeta makinën time. Hipa në të dhe hyra në kolaudim”.

Kontrolli Teknik i Automjeteve te Nisharaku

Dëshmitari shton se fillimisht kishte ngelur për frenat dhe dritat dhe menjëherë sapo i kishte rregulluar, kishte kaluar. Por, dëshmitari kujton bisedën për lekët e dhëna Altinit, që i kishte treguar se 50 ishin mbajtur për kafe nga ai vetë, kurse të tjerat ishin shpenzuar për pagimin e taksave pa treguar se me kë ai kishte folur dhe bashkëpunuar në qendrën e kontrollit teknik.

Në fakt, shmangia e radhëve të gjata në qendrën e kontrollit teknik apo edhe kalimi i mjetit edhe pse parametrat teknikë lënë për të dëshiruar, me shumë mundësi është “ëndrra “e çdo shoferi që heq të zitë e ullirit. Por, përgjimi i kryer mes disa personave në Tiranë zbulon se në fakt edhe këtij problemi i është gjetur zgjidhja. Skema quhet korrupsion. Aktualisht, nën masën “arrest me burg” gjenden Altin Topalli, Adrian Haxhija dhe Erald Nazeraj nën “arrest shtëpiak”. Gazeta “Si” posedon përgjimin e bisedave të tyre për mënyrën sesi ata i kalojnë mjetet, duke shfrytëzuar lidhjet familjare apo edhe njohjet. Fillimisht, hetimi pasi ka startuar pasi një person ishte nën përgjim për çështje korrupsioni pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, policia vendosi grupe vëzhgimi ndaj shtetasve që ai komunikonte. Raporti i vëzhgimit që Gazeta “Si” disponon tregon se si në bulevardin “Gjergj Fishta”, i dyshuari Altin Ismaili takohet me tre persona veç e veç. Njëri prej tyre hyn në qendrën e kontrollit teknik dhe pasi hipën në makinën “Ford focus” që gjendet i parkuar aty, largohet. Më vonë, i dyshuari takohet me personin tjetër i moshës rreth 60 vjeç, të cilit i jep disa dokumente. Ky i fundit afrohet pranë një makine “Golf” dhe i përcjell dokumentet tek një femër.

Ekziston dyshimi i arsyeshëm pohon prokuroria, se Altin Topalli bashkë me persona të tjerë kundrejt vlerave monetare, ndihmojnë për kolaudimin dhe për shmangien e radhëve. Biseda e transkriptuar që Gazeta “Si” zbardh zhvillohet mes të dyshuarve dhe qytetarëve të ndryshëm, që në një rast njëri prej tyre duke folur në mënyrë të rezervuar teksa bën pazar shton: “Se nuk flitet edhe në telefon nga këto përgjimet”. Siç rezulton, në fakt, atë nuk e ka gabuar nuhatja, përgjimet pikërisht po bënin punën e tyre, po regjistronin biseda e detaje, mbi pagesën, formën si prezantohen me njëri-tjetrin, si shkëmbejnë të dhënat personale. Në një moment pasi shkëmbejnë edhe mesazhe, njëri nga të hetuarit i thotë numrit 0699310313:  “Pasaporta bën 1300 euro” që nënkupton çmimin për punën.

Altin Topalli: Po

..768: Përshëndetje, si kalove?

Altin Topalli: Mirë, si kalove ti?

..768: Altin, ai shoku i Visit jam.. call centerit, që të kam sjellë atë Reno Meganon

Altin Topalli: Po..

..768: Për një Audi A4, një pikë gjashtë benzinë

Altin Topalli: ë ..hëë

..768: për ta kaluar..

Altin Topalli: Se di duhet parë njëherë në çfarë gjendjeje është

..768: Mirë është kështu, i mbajtur qamet

Altin Topalli: Po bjere njëherë ta shoh si është, ta dëgjoj si punon

..768: Sa mund të shkojë në total.. dy plus tetë?

Altin Topalli: Po

..768: OK..dy plus tetë .. në rregull..ta sjell unë ti them atij çunit.

Altin Topalli: Do të bëjë prenotim, pa prenotim harroje.

..768: Po ç’ke ti, se i bëjmë të gjitha.

Altin Topalli: Prenotimin ta bësh te Nishraku, jo në vend tjetër.

..768: Këtu te Nish ushtaraku?

Altin Topalli: Po

..768: OK, ja sa të bëj unë një telefon pastaj.

Altin Topalli: hajd mirë

Biseda e dytë zhvillohet mes një personi me emrin Renato dhe Altin Topallit.

..310 : Renato.. Renato jam, se i ka rënë telefonit po s’kam pasur ofertë unë.

Altin Topalli: S’ka gjë.

..310: Nuk është ai shoku, po ku di gjë unë, është shumë, se nuk flitet as në telefon nga këto… ça desha me than Renato… ma sill një mesazh vëllait, se është një tjetër, ça duhet të sjellë ai, ça s’duhet, i sill një çikë me mesazh

Altin Topalli: Po nuk ka asgjë ore, një foto, ngjyrën e syve, flokët

..310: dhe gjatësinë, ngjyrën e syve

Altim Topalli: ëëëë

..310: OK, greke, u bonë the ti

Altin Topalli: ëëë

..310: OK, vëlla se do të lajmëroj

I njëjti person vazhdon bisedën sesi duhej dërguar fotografia me WhatsApp o në një rrugë tjetër, për sa kohë personi që ishte i interesuar ishte gjithashtu i paqartë.  

Altin Topalli: Po joo me e dërgon një..s’ka nevojë e la vetë ai, dalin katër copë, dy mijë lekë bajnë

..310: E la ai, dalin katër copë? Po ajo si bëhet trup apo bëhet veç ajo ngjitet

Altin Topalli: Jo o vlla se s’merret vesh, e bojnë vetë ata pastaj, nji më duhet mu vetëm

Pas këtyre bisedave, Topalli dërgon një mesazh te numri tjetër nën përgjim ku pasi i kishte dërguar një mesazh me përmbajtje: “Pasaporta bën 1300 euro”, pyet. 

Altin Topalli: A e more mesazhin?

..313: Po, ja do ta shoh se nuk e kam parë prandaj

Altin Topalli: një pikë tre më tha ai mua

..313: total apo vetëm e madhja?

Altin Topalli: Vetëm e madhja

Më pas, nga numra të tjerë nisin negociatat për ta ulur pazarin. Në lojë hyn edhe i   dyshuari tjetër, Adrian Haxhia që flet me Topallin. Haxhia e pyet bashkëpunëtorin nëse bëri muhabet me shokun?

Topalli: Bona bona po ju duk shumë shtrenjtë.

Haxhia: Po mirë… ulja një çikë, s’ka problem ulja një çikë.

Topalli: Ishte shumë shumë shtrenjtë

Haxhia: Po mirë thuaji te mijsha. Apo te nonshja..

Topalli: Dojshin më lirë ata, dojshin më lirë.

Haxhia: Pyete njëherë dhe më kthe përgjigje.

Topalli: Ai më tha mua, po të jetë te njëmijshja i dua të treja… jo vetëm atë teken më tha.

Haxhia: Po mirë mo.. hajde thuaji hajde

Hetimi zbuloi sesi qytetarët telefonojnë për të lënë takimin.  

Topalli: Jo, jo, thashë për javën tjetër nga e hëna e mbrapa

544: Pse nuk je të premten ti?

Topalli: jo mor.. nuk është ai robi, osht me pushime, fillon të hënën punë.

Përgjimet e siguruara nga Gazeta Si

Më pas, Topalli telefon bashkëpunëtorin e tij për të lënë takim për shokun me makinë “golf tresh” benzinë dhe flasin se pazari është i lartë deri në 40.

Përgjimet thuhet në dosje kanë dalë nga aplikacioni WhatsApp, ndërkohë që janë pyetur edhe palët e interesuara, mes tyre edhe Jetmir Krasniqi që ka treguar sesi i   dërgoi fotot në WhatsApp shoku i tij që jeton në Gjermani prej 2018. Me këto dy fotografi dhe 300 euro në xhep ai ka takuar njërin nga të dyshuarit. Më vonë, ai ka marrë dokumente, leje drejtimi për shokun e tij, i cili as që jeton në Shqipëri.

Më Shumë