Ne rrjet

Tre sekonda për një shtrëngim duarsh historik

Shtrëngimi i duarve zgjati vetëm tre sekonda, por në kontekstin kur ky shtrëngim mbërriti e bën atë historik. Donald Trump dhe Vladimir Putin u takuan kokë më kokë në Pallatin Presidencial në Helsinki.

Shtrëngimi i duarve para mediave ndodhi 50 minuta me vonesë. Shkak ishte Presidenti rus, Vladimir Putin. Avioni me shefin e Kremlinit mbi të u ul në kryeqytetin finlandez në orën 13:00 me orën lokale, ndërkohë që në 13:10, po me orën lokale ishte përcaktuar takimi me Trump.

Gjithsesi, Trump u tregua i duruar dhe e priti homologun e tij rus. Që të dy folën shkurtimisht para se të mbylleshin në një dhomë pa praninë e gazetarëve dhe përkthyesëve për të diskutuar ndasitë jo të pakta mes dy vendeve.

“Shpresoj dhe besoj që e gjithë bota kërkon e pret nga ne që ta hedhim pas krahëve gjithë këtë tension”, deklaroi Presidenti rus, Vladimir Putin.

Për tensionet, Donald Trump fajësoi më herët përmes një postimi në Tëitter vetë Shtetet e Bashkuara, fillimisht për “qasje të gabuar” dhe tani për “gjueti shtrigash”, me gjasë duke iu referuar akuzave dhe hetimeve për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet Presidenciale amerikane. Nivelin e tensioneve mes dy vendeve e cilësoi si më të lartin të historisë, duke shpërfillur kështu Luftën e Ftohtë dhe krizën e raketave në Kubë, që për pak ndezi botën në një luftë frontale bërthamore.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më keq se tani falë budallallëkut shumëvjeçar të Shteteve të Bashkuara dhe tani, falë gjuetisë së shtrigave”, shkroi ai.

Po përmes rrjeteve sociale, Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin kokë më kokë mes dy Presidentëve pa praninë e përkthyesve. Takimi pritet të zgjasë rreth 90 minuta dhe sipas mediave ndërkombëtare gama e diskutimeve është e gjëra, që nga Koreja e Veriut, Kina, Siria, Irani e deri tek Ukraina.

Më pas, dy Presidentët do të zhvillojnë një tjetër takim, këtë herë më të zgjeruar me anëtarë të dy delegacioneve, para se të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Pikërisht në këtë konferencë, me pyetjet e vështira do të përballet Donald Trump, mes të cilave edhe ato për dyshimet në lidhje me rolin e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Para takimit, Presidenti amerikan kishte deklaruar se do të diskutonte personalisht me Vladimir Putin për këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë