Futboll

Tre pretendentët për futbollistin më të mirë të vitit

UEFA ka shpallur nominimet për lojtarët më të mirë të sezonit 2017-18. Ashtu siç pritej, tre prendentët kryesorë sipas Uefa janë Kristiano Ronaldo, Mohamed Salah dhe Luka Modriç. Për herë të parë në 10 vitet e fundit Lionel Messi është jashtë listës së tre vendeve të para.

Luka Modriç është nominuar nga Uefa me motivacionin se ishte një nga lojtarët më të mirë të Real Madrid që fitoi Champions League për të tretën herë radhazi. Gjithashtu ai ishte udhëheqësi i Kroacisë në Kampionatin Botëror, duke shkuar deri në finale. Në këtë kompeticion, Modriç u shpall edhe lojtari më i mirë.

Kristano Ronaldo konsiderohet si lojtari më i rëndësishëm i Real Madrid në fitimin e Ligës së Kampionëve këtë sezon. Portugezi këtë vit ka fituar trofeun e pestë personal në Ligën e Kampionëve.

Mohamed Salah futet në treshen pretendente pas sezonit spektakolar që bëri me Liverpool në Champions League dhe Premier League. Egjiptiani ishte golashënuesi më i mirë i ekipit të tij.

Lista e lojtarëve më të mirë të sezonit të shkuar sipas renditjes që ka bërë UEFA vijon si më poshtë:

4 Antoine Griezmann

5 Lionel Messi

6 Kylian Mbappé

7 Kevin De Bruyne

8 Raphaël Varane

9 Eden Hazard

10 Sergio Ramos

Më datë 30 gusht UEFA do të shpërndajë edhe disa çmime të tjera, për të cilat kandidatët janë si më poshtë:

Portieri i sezonit: Alisson Becker, Gianluigi Buffon, Keylor Navas

Mbrojtësi i sezonit: Marcelo, Sergio Ramos, Raphaël Varane

Mesfushori i sezonit: Kevin De Bruyne, Toni Kroos, Luka Modrić

Sulmuesi i sezonit: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Mohamed Salah

Futbollistja më e mirë e sezonit: Pernille Harder, Ada Hegerberg, Amandine Henry

Lojtari më i mirë i Europa League: Diego Godin, Antoine Griezmann, Dimitri Payet

Për të vendosur për fituesit e këtyre çmimeve, Uefa ka vendosur që votojnë 80 trajnerët e skuadrave që marrin pjesë në fazën e grupeve dhe 55 gazetarë sportivë nga e gjithë Europa. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet si zakonisht në Monako më datë 30 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë