Shkencë

Tre çështje etike rreth transplantimit të zemrës nga derri te njeriu

Një burrë amerikan është bërë personi i parë në botë që i është transplantuar zemra nga një derr i modifikuar gjenetikisht.

57-vjeçari David Bennett, për të cilin mjekët thonë se ishte shumë i sëmurë për t'u kualifikuar për një zemër njerëzore, po kalon mirë tre ditë pas trajtimit eksperimental shtatë-orësh.

Ndërhyrja është përshëndetur nga shumë njerëz, si një zbulim mjekësor që mund të shkurtojë kohën e pritjes së transplantit dhe të ndryshojë jetën e pacientëve në mbarë botën. Por lind pyetja nëse procedura mund të justifikohet nga pikëpamja etike.

Shumë njerëz kanë vënë në dukje probleme të mundshme morale mbi sigurinë e pacientëve, të drejtat e kafshëve dhe shqetësimet fetare. Pra, sa të diskutueshme janë transplantet nga derrat?

Përfshirjet mjekësore

Ky është një operacion eksperimental dhe sjell me vete rreziqe të mëdha për pacientin. Edhe organet e dhuruesve të njeriut që përputhen mire, mund të refuzohen pasi të transplantohen dhe me organet e kafshëve rreziku ka të ngjarë të jetë më i lartë.

Mjekët janë përpjekur të përdorin organet e kafshëve për atë që njihet si kseno-transplantim për dekada, me sukses të ndërsjellë.

Në vitin 1984, mjekët në Kaliforni u përpoqën t'i shpëtonin jetën një foshnjeje, duke i dhënë zemrën e një babuni, por ajo vdiq 21 ditë më vonë.

Ndërsa trajtime të tilla janë shumë, shumë të rrezikshme, disa specialist thonë se ato duhet të vazhdojnë nëse pacienti i di rreziqet.

"Asnjëherë nuk mund ta dini nëse personi do të vdesë në mënyrë të dhimbshme menjëherë pas trajtimit, por nuk mund të vazhdoni pa rrezikuar", - thotë Profesor Julian Savulescu, kreu i Etikës Praktike në Universitetin e Oksfordit.

"Për sa kohë që individi kupton gamën e plotë të rreziqeve, unë mendoj se njerëzit duhet të jenë në gjendje të pranojnë këto eksperimente radikale", - shton ai.

Profesor Savulescu, thotë se është e rëndësishme që atyre t'u jepen të gjitha opsionet në dispozicion, duke përfshirë mbështetjen mekanike të zemrës ose një transplant njerëzor.

Mjekët që punuan në rastin e Bennett, thonë se operacioni ishte i justifikuar, sepse ai nuk kishte mundësi të tjera trajtimi dhe do të kishte vdekur pa të.

Profesor Savulesku thotë se përpara çdo operacioni, procedura duhet t'i jetë nënshtruar "testimit shumë rigoroz të indeve të kafshëve", për t'u siguruar që është e sigurt.

Transplanti i Bennett, nuk u krye si pjesë e një prove klinike, siç kërkohet zakonisht për trajtimet eksperimentale. Edhe barnat që i janë dhënë, nuk janë testuar ende për përdorim te primatët jo-njerëzorë.

Por Dr Christine Lau nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Maryland, e cila ishte e përfshirë në planifikimin e procedurës së Bennett, tha se asnjë pjesë e zemrës nuk ishte prerë kur përgatitej për operacionin.

"Ne e kemi bërë këtë për dekada në laborator, te primatët, duke u përpjekur të arrijmë në pikën ku mendojmë se është e sigurt t'ia ofrojmë këtë një marrësi njerëzor", - tha ajo për BBC.

Të drejtat e kafshëve

Trajtimi i Bennett ka ringjallur gjithashtu një debat mbi përdorimin e derrave për transplantim njerëzor, gjë që shumë grupe të të drejtave të kafshëve e kundërshtojnë.

Njëri prej tyre, “People for Ethical Treatment of Animals” (PETA), e ka dënuar transplantin e zemrës së derrit të zotit Bennett si "joetik, të rrezikshëm dhe një humbje të jashtëzakonshme burimesh".

"Kafshët nuk janë kasolle për t'u bastisur, por qenie komplekse dhe inteligjente", - tha PETA.

Aktivistët thonë se është e gabuar të modifikohen gjenet e kafshëve për t'i bërë ato më shumë si njerëzit. Shkencëtarët ndryshuan 10 gjene tek derri, zemra e të cilit u përdor për transplantin e Bennett, në mënyrë që të mos refuzohej nga trupi i tij. Derrit iu hoq zemra në mëngjesin e operacionit.

Një zëdhënës i “Animal Aid”, një grup për të drejtat e kafshëve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i tha BBC-së se ishte kundër modifikimit të gjeneve të kafshëve ose kseno-transplanteve" në çdo rrethanë.

"Kafshët kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre, pa u manipuluar gjenetikisht me gjithë dhimbjen dhe traumën që kjo sjell, vetëm për t'u vrarë dhe për t'u marrë organet e tyre", tha organizata.

Disa aktivistë, kanë shqetësime në lidhje me efektet e panjohura afatgjata të modifikimit gjenetik në shëndetin e derrit.

Dr Katrien Devolder, një bashkëpunëtore në bioetikën në Universitetin e Oksfordit, thotë se ne duhet të përdorim vetëm derrat e modifikuar nga gjenet për organet nëse mund të "sigurojmë që ata të mos pësojnë dëmtime të panevojshme".

"Përdorimi i derrave për të prodhuar mish, është shumë më problematik sesa përdorimi i tyre për të shpëtuar jetë, por sigurisht kjo nuk është arsye për të injoruar mirëqenien e kafshëve edhe këtu", thotë ajo.

Feja

Një problem tjetër mund të lindë rreth atyre, besimet e të cilëve mund të nënkuptojnë se është e ndërlikuar për ta të marrin një organ kafshësh.

Derrat zgjidhen, pasi organet përkatëse kanë përmasa të ngjashme me njerëzit- dhe për shkak se derrat janë relativisht të lehtë për t'u shumuar dhe rritur.

Por si ndikon kjo zgjedhje te pacientët hebrenj apo myslimanë, fetë e të cilëve kanë rregulla strikte për kafshën?

Megjithëse ligji hebre i ndalon hebrenjtë të rrisin ose hanë derrat, marrja e një zemre derri, "nuk është në asnjë mënyrë shkelje e ligjeve dietike hebraike", thotë Dr Moshe Freedman, një rabin i lartë në Londër, i cili është pjesë e Këshillit Moral dhe Etik të Departamentit të Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar.

"Meqenëse shqetësimi kryesor në ligjin hebre është ruajtja e jetës njerëzore, një pacient hebre do të ishte i detyruar të pranonte një transplant nga një kafshë, nëse kjo ofronte shansin më të madh për mbijetesë dhe cilësinë më të mirë të jetës në të ardhmen", - tha rabini Freedman për BBC.

Për Islamin, ekziston një përfundim i ngjashëm që përdorimi i materialit shtazor, lejohet nëse i shpëton jetën një personi.

Dar al-Ifta i Egjiptit, autoriteti qendror i vendit për nxjerrjen e vendimeve fetare, ka thënë në një fetva, se valvulat e zemrës së derrit lejohen nëse "rrezikohet  jeta e pacientit, humbjen e një prej organeve të tij, përkeqësim ose vazhdim të sëmundjes ose një përkeqësim dërrmues i trupit”.

Prof Savulescu, thotë se edhe nëse dikush refuzon transplantin e kafshëve për arsye fetare ose etike, atij nuk duhet t'i jepet domosdoshmërisht më pak përparësi në listat e pritjes për dhuruesit e organeve njerëzore.

"Disa njerëz mund të thonë se sapo të kesh një mundësi për një organ, duhet të zbresësh në listë; të tjerë do të thonë se duhet të kesh aq të drejtë sa kushdo tjetër", - thotë ai. "Këto janë vetëm pozicione që do të duhet t’I rakordojmë”.

Burimi: BBC; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë