Nga Gazeta Si- Transporti publik urban brenda qyteteve do të jetë i përjashtuar nga detyrimi për instalimin e pajisjeve POS/POI që mundëson pagesat e biletave me kartë bankare.
Më herët, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar institucioneve shtetërore me një kërkesë zyrtare për sqarime mbi vendosjen e pajisjeve elektronike të pagesave.
Ndërkohë, Ministria e Financave nëpërmjet një letre dërguar Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas ka sqaruar se bazuar në ligjet për “Për procedurat tatimore” dhe “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, shitja e biletave të transportit urban nga shoferi ose personi i autorizuar përjashtohet nga detyrimi për lëshimin e faturës elektronike.
Ky përjashtim shtrihet edhe në detyrimin për pajisje me POS, pasi ligji përkatës e lidh detyrimin për POS me subjektet që janë të detyruara të fiskalizojnë transaksionet.
Debati për instalimin e pajisjeve POS/POi u ngrit pas shqetësimeve të shprehura nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, e cila kishte argumentuar se vendosja e detyrimit për pagesa elektronike në çdo autobus ishte teknikisht e vështirë për t’u zbatuar dhe do të sillte kosto shtesë për qytetarët rreth 30 lekë më shumë për çdo biletë të paguar.
Më herët, pëërfaqësues të Shoqatës thanë se i vlerësojnë nismat për formalizim dhe modernizim, por konsideron se zbatimi në sektorin e transportit publik qytetas kërkon analizë të veçantë teknike dhe ekonomike, për shkak të natyrës së shërbimit, tarifave shumë të ulëta dhe numrit shumë të lartë të transaksioneve ditore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje