Futboll

Trajneri Mançini teston Italinë me “9 false”

Mungesa në Botërorin e Rusisë ka lënë gjurmë në futbollin italian, kjo nuk ka diskutim. Italia e “erës Mançini” është në ndërtim e sipër dhe trajneri i njohur italian vazhdon të eksperimentojë me skemat e lojës. Ai dështoi në dy ndeshjet e para në grup të Ligës së Kombeve, ku barazoi me Poloninë dhe u mund nga Portugalia. Që do të thotë vend i fundit dhe ndryshim i domosdoshëm për të mos i komplikuar më shumë gjërat. Trajneri i axurrëve nuk ka humbur kohë në përgatitjet për miqësoren e së mërkurës me Ukrainën, që do të luhet në Xhenoa, si dhe për transfertën e së dielës me Poloninë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Gjatë përgatitjeve në Koverçiano, trajneri Mançini ka provuar skemën 4-3-3, me një “tredhëmbësh” sulmues të përbërë nga Kieza, Insinje dhe Bernardeski, me këtë të fundit që ka provuar të bëjë sulmuesin e qendrës, apo atë që quhet "9-a false", por duke u alternuar herë pas here me lojtarin e Napolit. Kurse treshja alternative e sulmit përbëhej nga Berardi, Imobile dhe Zaza. Sulmuesi i Lacios ka pasur njërën dorë të fashuar, për shkak të dëmtimit që pësoi në ndeshjen ndaj Fiorentinës, ndërsa sulmuesi i Torinos la stërvitjen për dëmtim.

Nga një seancë stërvitore e Italisë

Së fundi trajneri italian ka thirrur Tonelin e Sampdorias dhe Piçinin e Valencias. Pavarësisht testeve të deritanishme, nuk përjashtohet mundësia që të mërkurën Italia të zbresë në fushë me klasiken 4-4-2, ku të sigurt në formacion janë Donaruma, Bonuçi, Kielini, Krishito, Zhorzhinjo, Bernardeski, Kieza dhe Insinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë