Mendim

T’u gjejmë engjëjve një arkivol

Nga Sokol Bregu - Engjëjt nuk përcillen kështu. Jo në kuti kartoni, jo në kosha plehrash. Gjtihë bota i përcjell me arkivolë të bardhë. Unë nuk e di pse, por një ide siçdokush e kam. Sepse është ngjyra e pafajësisë, është ngjyra e ëngjëjve. Nuk kam ndër mend të gjejë fajtorë, në ngjarjen e së martës, ku një foshnje e vdekur u gjet në një kosh plehrash. Kurrsesi nuk fajësoj njeriun që e la aty nën presionin e madh psikologjik që jetonte, absolutisht atë që e la të merrte me vete foshnjën e vdekur, aq më pak mjekë, psikologë apo administratorë, askënd.

Thjesht kam një propozim: T'u gjejmë engjëjve që lindin të vdekur një arkivol. Ata nuk marrin bonusin e lindjes, të paktën të marrin bonusin e vdekjes. Nuk mund t'i përcjellim kështu si të martën. Kjo është e pafalshme, shokuese. Le t'i kalojmë burokracitë, le t'i kalojmë ndarjet administrative, le t'i kalojmë paragjykimet, ëngjëjt kanë nevojë të përcillen në një arkivol, mundësisht të bardhë. Di fare mirë që 1 në miliona raste mund të ndodhë si të martën, por kjo nuk ka rëndësi, një shtet, një ministri, një drejtori politikash, duhet të shkruajë një rresht që kjo të mos ndodhë asnjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë