Ne rrjet

Tjetër triumf, Maqedonia e Veriut merr presidencën e Samitit të Berlinit

Pas marrjes së milionave fondeve të BE-së, kryeministri Zoran Zaev duket se ka shënuar një tjetër fitore të madhe, duke marrë presidencën e Procesit të Berlinit.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, një anëtare e BE-së dhe një vend kandidat, kanë vendosur të marrin bashkërisht presidencën e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Vendimi i pazakontë u mor në samitin e mbajtur në qytetin polak të Poznańit javën e kaluar.
Udhëheqësit e BE konfirmuan angazhimin e tyre për të forcuar bashkëpunimin me rajonin në fushat kyçe si dixhitalizmi, transporti dhe energjia, ekonomia, siguria dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Ata gjithashtu shprehën mbështetje për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për hapjen e bisedimeve të pranimit. Nga 180 milionë euro që u shpërndanë për vendet e rajonit, shumat kryesore të kësaj pakete i morën Bosnja dhe Maqedonia e Veriut. Kjo e fundit shpuri në shtëpi për projekte konkrete 43 milionë Euro, teksa në të 6 samitet e procesit ka shpënë rreth 250 milionë Euro. Edhe Kosova nga kjo paketë këtë vit përfitoi 27 milion euro. Shqipëria për të gjashtën herë radhazi u kthye duarbosh nga samiti i Procesit të Berlinit pa ndonjë projekt konkret mbi të cilin mund të investohej.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon të rrisë bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojë integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se planifikon të punojë ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor për t'i afruar më pranë BE.

Megjithatë, sipas Dušan Reljić nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, është e vështirë të vlerësohet nëse procesi i Berlinit ka qenë i suksesshëm që nga fillimi i tij në 2014.

"Në nivel diplomatik, ai ishte i suksesshëm. Udhëheqësit e BE-së dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit kane kaluar shumë kohë së bashku dhe vazhduan komunikimin diplomatik. Në nivelin e ekonomik unë jam skeptike. Unë nuk shoh se procesi i Berlinit ka arritur shumë, ", tha ai për “Euroactiv”.

Por tanimë, presidenca ardhshme e Procesit të Berlinit do të mbahet për herë të parë si presidencë e përbashkët e dy vendeve, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Bullgaria e vui integrimin e Ballkanit Perëndimor në qendrën e presidencës së saj të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2018, megjithëse pati pak rezultate konkrete.

Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn përgëzoi Shkupin për reformat në fushat e sundimit të ligjit, të të drejtave themelore dhe qeverisjes së mirë. Ai përsëriti se qëndron pranë rekomandimit të Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se shpreson që Këshilli i BE-së në tetor do të japë një vlerësim pozitiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë