Futboll

Tjetër dështim për Flamurtarin, ish-trajneri i merr 80 mijë euro

Kur Flamurtari hedh një hap pozitiv, duke formuar një ekip të mirë, sërish nuk ka kohë për të festuar, pasi hijet e së shkuarës shfaqen në Vlorë për të prishur punë. Siç zakonisht ka ndodhur në tre vitet e fundit, ku klubi vlonjat është penalizuar për shkak të detyrimeve të prapambetura me ish-lojtarë apo trajnerë, rrezikon të përsëritet edhe këtë sezon. Këtë herë ai që ka fituar betejën ligjore dhe ekonomike me klubin kuqezi nga Vlora është ish-trajneri çek, Stansislav Levi.

Tekniku nga Çekia ka fituar gjyqin në Fifa dhe tashmë klubi i Flamurtarit do duhet t’i paguaj atij një shumë prej 80 mijë eurosh nëse nuk dëshiron që të pezullohet sërish në arenën ndërkombëtare. Lajmin e ka zbuluar “Gazeta Panorama”, që ndër të tjera shton se Levi e kishte ngritur prej kohësh gjyqin për rrogat e prapambetura, por tashmë ia ka dalë të shpallet fitues.

Çeku Levi ishte trajner i Flamurtarit për sezonin 2015-2016, ku skuadra mbijetoi vetëm në fund për të mos rënë nga kategoria, ndërkohë që në fillim të sezonit ishte nisur me pretendimin për të rivalizuar për titullin kampion. Më herët Levi kishte qenë trajner edhe në Korçë, ku drejtoi për një sezon të plotë Skënderbeun, duke fituar edhe titullin kampion.

Për Flamurtarin kjo shumë e majme që do duhet të paguhet, nuk është hera e parë dhe me gjasë nuk do të jetë as e fundit. Kanë qenë disa rastet e futbollistëve që kanë kërkuar rrogat e tyre dhe për këtë shkak klubi vlonjat është penalizuar me mospjesëmarrje në Kupat e Europës. Edhe sezonin e fundit në muajin mars, FSHF dhe Flamurtari u njoftuan nga Uefa, që për shkak të detyrimeve të prapambetura, skuadra nuk mund të merrte pjesë në Kupat e Europës.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë