Futboll

Titull dhe rekord, Palmeiras në historinë e futbollit brazilian

Skuadra e drejtuar nga trajneri Skolari ka mundur 1-0 Vasko da Gamën dhe është shpallur kampione një javë para fundit të kampionatit. Palmeirasi është skuadra e parë në historinë e futbollit brazilian, që kap numrin me dy shifra për titujt e fituar.

Festë e madhe për Palmeirasin. Fitorja ndaj Vasko da Gamës, me gol të Deiverson, vlen titullin e 10-të në historinë e klubit, një rekord për futbollin brazilian. Palmeirasi është i vetmi ekip me 10 tituj, i ndjekur nga Santosi me 8, Korinthiansi me 7, San Paolo me 6 dhe Flamengo me 5. Palmeirasi, i mbiquajtur “Palestra Italia”, është themeluar më 26 gusht 1914 nga emigrantët italianë, pas një turneu në Brazil të Torinos dhe Pro Verçelit. Protagonistë të sezonit kanë qenë “italianët” Felipe Melo, ish-lojtar i Fiorentinës, Juventusit dhe  Interit, dhe Gustavo Gomez, i huazuar nga Milani.

Palmeiras feston golin e fitores ndaj Vasko da Gamës, që vlen titullin kampion

Rekord mbi rekorde për Felipe Skolarin, trajnerin e njohur të Palmeirasit. 70-vjeçari, ish-trajner i Brazilit, kampion bote në 2002-shin, është trajneri më i madh në moshë që fiton kampionatin brazilian. Flamengo ka shpresuar më kot dhe fitorja2-0 nuk ka mjaftuar për të evituar triumfin e Palmeirasit, që ka 77 pikë në klasifikim një javë para mbylljes së kampionatit, ndaj 72 të rivalit. Simbol i skuadrës është Felipe Melo, një idhull i tifozërisë së Palmeirasit. “Vendosa të kthehem në vendin tim pikërisht për të përjetuar këto emocione. Kam refuzuar shumë gjëra, shumë para, sepse kisha nevojë të jetoja emocione si këto”, - ka deklaruarMelo, i cili ka fituar tre tituj në Turqi. Më tej ka theksuar: “Kam kaluar momente të vështira, më kanë kritikuar se kam thënë se ndihem një idhull, por tani jam shpërblyer dhe kam treguar se kisha të drejtë. Kam hyrë në historinë e Palmeirasit dhe jam krenar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë