Lajme

Tite dhe brazilianët i përvishen Mesit pas festës: Trego respekt!

Festë e madhe në Rio de Zheneiro, deri në mëngjes. Brazili fitoi titullin e 9-të kampion në Kupën e Amerikës, pasi mundi 3-1 në finale Perunë. Festë e ligjshme për brazilianët, të cilët nuk kanë humbur rastin t’i përgjigjen Lionel Mesit, i cili kishte vënë në dyshim rregullsinë e aktivitetit, duke e akuzuar Brazilin për korrupsion.

Shigjetën e parë ndaj Mesit e lëshoi trajneri i Brazilit, Tite, i cili u shpreh: “Mesi është një jashtëtokësor, kjo nuk mund të mohohet, por në këto rrethana duhet të tregojë respekt. Duhet ta pranojë humbjen, të ruajë qetësinë dhe të flasë me respekt. Jam dakord që nuk duhet të ishte ndëshkuar me karton të kuq ndaj Kilit, por në ndeshjen ndaj nesh u bënë vetëm tre faulle ndaj tij. Faulli i katërt, ai i Kasemiros, nuk ishte, por iu dha gjithsesi. Nga ai faull erdhi goditja me kokë e Agueros dhe topi përfundoi në traversë. Brazili luajti ndershëm me Argjentinën, nuk ka asnjë dyshim”.

Mesi, duke folur me arbitrin e ndeshjes Brazil-Argjentinë

Edhe titullarët e Brazilit i janë përveshur yllit argjentinas. Njëri prej tyre, Tiago Silva, solli në vëmendje precedentin e ndeshjes mes Barcelonës dhe PSG-së, ku skuadra e Mesit fitoi 6-1 me një arbitrim të dyshimtë. “Fjalët e Mesit? E vështirë t’i komentosh, sepse kur dikush humb kërkon që të fajësojë të tjerët për të hequr përgjegjësitë nga vetja. Ndoshta nuk i ka thënë me qëllim të keq ato fjalë, por i ka thënë, janë fjalë që kanë dalë nga goja e tij. Kur Barcelona fitoi 6-1 ndaj PSG-së me një arbitrim qesharak, askush, në asnjë moment, nuk tha fjalë të tilla. Duhet respektuar historia. Ne kemi 5 yje dhe asnjë prej tyre nuk e kemi vjedhur”, tha Silva.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Markuinjos, i cili ka theksuar: “Është frustuese të dëgjosh të thuhen fjalë të tilla nga një lojtar me kualitetin e tij, i admiruar nga e gjithë bota. Arbitrat kanë marrë edhe shumë vendime në favor të tij, me Barcelonën dhe me Argjentinën, por askush nuk ka folur për korrupsion. Mesi humbi dhe duhet ta pranojë, edhe ne na ka ndodhur të humbin trofe. Në Botërorin e Rusisë humbëm ndaj Belgjikës, madje duke luajtur një ndeshje të mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë