Lajme

Mesi refuzon medaljen dhe akuzon sërish: Brazili ka fituar në tavolinë!

Ndeshja e Lionel Mesit zgjati 37 minuta, po aq sa edhe ajo e kilenit Geri Medel. Të dy u ndëshkuan me karton të kuq në “finalen” për vendin e tretë në Kupën e Amerikës, që u fitua 2-1 nga argjentinasit. Pas asaj që ndodhi, ylli i Barcelonës shpërtheu sërish në akuza për korrupsion dhe refuzoi medaljen.

Kartoni i kuq i Mesit ka marrë gjithë vëmendjen, sidomos në Argjentinë, ku ai ndëshkim konsiderohet krejtësisht i padrejtë. “I ndëshkuar padrejtësisht, pagoi atë që tha pas ndeshjes me Brazilin”. Ky është titulli i gazetës “Olé”, që përmbledh gjithë opinionion e shtypit argjentinas. Lionel Mesi refuzoi të merrte pjesë në cëremoninë e dhënies së medaljeve për vendin e tretë. "Të gjithë e panë atë që ndodhi”, - tha Mesi pas ndeshjes, duke iu referuar debatit me Medel, që i kushtoi kartonin e dytë të kuq në karrirrë. "Mjaftonte një karton i verdhë dhe ishte gjithçka në rregull. E vërteta është se pagova deklaratat e pak ditëve më parë. Ai karton më është dhënë par ato që thashë, është e qartë", shtoi sulmuesi argjentinas.

Nga zënka mes Mesit dhe Medelit

Mesi dhe Medel u përplasën ashpër mes tyre, me fjalë fyese dhe duke shtyrë njëri-tjetrin. Arbitri i dërgoi para kohe në dhomat e zhveshjes, por mund ta kalonte situatën me një karton të verdhë për secilin. Mesi u shfaq mjaft nervoz para mikrofonëve, duke i hedhur benzinë zjarrit: "Mungesa ime në ceremoni? Është e thjeshtë, nuk duhet të jemi pjesë e kësaj historie korrupsioni. Nuk ka dyshime për Brazilin kampion. Ka qenë gjithçka e vendosur në tavolinë”, - tha “Pleshti”. Medaljen e vendit të tretë e refuzoi edhe Otamendi. Ndeshja u fitua nga Argjentina, që shënoi dy herë në pjesën e parë me Aguerro dhe Diabala. Kili shkurtoi në pjesën e dytë me një penallti të shndërruar në gol nga Vidal, por vetëm kaq dhe në fund vendi i tretë në pod i takoi Argjentinës.

Momenti kur Mesi ndëshkohet me karton të kuq

Mbrëmjen e sotme, në orën 22:00, luhet finalja e Kupës së Amerikës mes Brazilit, vendit organizator, dhe Perusë, që ishte surpriza e madhe e këtij kompeticioni. Brazili është favorit absolut për fitimin e trofeut për kualitetin që ka në raport me kundërshtarin, por edhe për faktin se do të ketë mbështetjen e madhe të tifozëve të tij. Dhe fakti që trofeun mund ta fitojnë “armiqtë e përjetshëm” të Argjentinës duket se e ka tërbuar edhe më shumë Mesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë