Politike

‘Harresa’ e Tiranës zyrtare, ose miqësia e prishur me Haradinajn

Duhet të ishim të parët që do të reagonim zyrtarisht për largimin e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi Tirana zyrtare preferoi heshtjen. Kryeministri Edi Rama do të reagonte vetëm një ditë më pas për dorëheqjen e Haradinajt, por duke shmangur komentet mbi këtë akt të ndërmarrë.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK,janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, do të shkruante sot Rama në rrjetin social Twitter.


Në këtë deklaratë vërehet se Rama nuk përmend fare Haradinajn, duke nxjerrë kështu në pah edhe faktin se marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë të mira dhe se për këtë, shkak kanë qenë përplasjet për zgjidhjen e çështjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Rama dukshëm ka mbajtur anën e presidentit Hashim Thaçi, ku e ka mbështetur për arritjen e një pakti mes dy shteteve që do të sillte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
I pari që do të kishte guximin nga qeveria “Rama” për dorëheqjen e Haradinajt do të ishte Pandeli Majko, i cili me anë të një statusi në rrjetet sociale do ta vlerësonte si një burrë shteti.
“Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti. Ai kreu një akt që i bën nder Kosovës shtet që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare. Veprat e një njeriu vlejnë më shumë se dobësitë e tij. Sot jam me Ramushin! Të falënderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes”, shkruan Majko, socialisti që mbante postin e kryeministrit në kohën e luftës mes Serbisë dhe Kosovës.

Statusi i ministrit të Diasporës, Pandeli Majko

Një reagim tjetër nga radhët e socialistëve do të ishte ai i ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili do të ishte i ndryshëm nga ai që mbajti kryesocialisti Rama.
“Akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt si Kryeministër i Kosovës për tu ballafaquar sërish me drejtësinë është forca e shembullit të një shtetari për të cilin Kosova vjen gjithnjë e para. Jam i bindur që ky veprim do të lartësojë luftën e shenjtë për liri të Kosovës dhe kontributin e pamohueshëm të Ramush Haradinajt. Ramushi ka fituar luftën e përmes forcës së shembullit po dëshmon së është artizan i paqes. Sot, Kosova ka nevojë për unitet e largpamësi për të tejkaluar sfidat e brendshme e për të fuqizuar më tej subjektivitetin juridiko ndërkombëtar që duan t’ia vënë në pikëpyetje”, thekson Bushati.

Akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt si Kryeministër i Kosovës për tu ballafaquar sërish me drejtësinë është forca e…

Gepostet von Ditmir Bushati am Freitag, 19. Juli 2019


Presidenti Ilir Meta i njohur si mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Haradinajt, do aludonte për pabesi ndaj kryeministrit të Kosovës. “Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij! Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit! Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen evropiane”, do të shkruante Meta.
Ish-kryeministri Sali Berisha do të jepte ngjyra të tjera aktit të Haradinajt, pasi ai përherë ka insistuar për një pakt të fshehtë mes Ramës, Thaçit dhe Vuçiçit për ndarjen e Kosovës. Deklarata e tij të mëparshme kanë shkaktuar përplasje të forta dhe kanë ndikuar jo pak në marrëdhëniet mes liderëve shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë.


“Ramush Haradinaj kundërshtoi me guxim te madh projektin e Serbise se Madhe te Vuçiç, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles dhe Baton Stanishiqit per çka dhe fitoi admirimin, mbeshtetjen e madhe te qytetareve te Kosoves dhe mbare kombit shqiptar. “Me këtë rast unë shpreh nderimin tim të palëkundur për veprën dhe aktin e tij burrëror të kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit te AAK, Ramush Haradinajt dhe besimin e palëkundur në drejtësine ndërkombetare, e cila e ka shpallur atë dy herë të pafajshëm. Unë gjithashtu iu bëj thirrje forcave politike në Kosove, qytetarëve të saj dhe mbarë kombit shqiptar të kundërshtojne me vendosmëri të palëkundur të gjitha përpjekjet, prapaskenat për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës të projektit të Serbise së Madhe të Vuçiç, argatëve të tij shqipfolës, albanofobe, Zografit Bis, Miladinit shqipfolës Baton Stanishiqit që festojnë sonte dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe thirrjen e tij nga Gjykata e Hagës, pasi kishin tek ai një digë të pakapërcyeshme”, shkruan Berisha.


Marrëdhëniet mes Ramës dhe Haradinajn kanë qenë të ftohta dhe këto u vërejt dukshëm pas samitit të Berlinit, ku kryeministri kosovar do të bënte të ditur se kreu i qeverisë shqiptare i kishte kërkuar publikisht që të tërhiqej nga vendimi për taksën doganore ndaj Serbisë.
“Kryeministri i Shqipërisë është institucion, për të cilin unë kam shumë respekt. Kryeministri Edi Rama është vëlla i imi ashtu sikurse janë krejt shqiptarët kudo që janë. Të vërtetën do ta them pa marrë parasysh kujt i pëlqen ose jo. Unë kam thënë të vërtetën për Samitin e Berlinit”, do të shprehej Haradinaj disa ditë pas samitit.
Vetë Rama do të reagonte ashpër ndaj këtyre qëndrime dhe do të shigjetonte më pas Haradinajn gjatë konference për shtyp, duke e cilësuar si një marrëzi dhe gënjeshtër se ka një plan për ndarjen e Kosovës.


“Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës, që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, vendime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund. Por unë besoj që jo. Çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht të mund të shitet dhe të blihet në territorin e marrëzisë online”, do të deklaronte Rama gjatë konferencës më të fundit me komisioneren Federicha Mogherini, e cila ishte prezent në samitin e presidentëve të Ballkanit të zhvilluar në Tiranë më 8 maj. Kur Haradinaj u emërua si kryeministër, Rama do të “vraponte” të shprehte si bashkëpunimi do të vijonte dhe kjo u pa edhe me zhvillimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Mbledhja në Tiranë, ku fotoja e Haradinajt dhe Ramës me dy duar të bashkuara mbi flamurin kombëtar kuqezi do të shkaktonte reagimin e Beogradit asaj kohe, ku shprehej se po punohej për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Ndërsa mbledhja e dytë mes dy qeverive një vit më vonë në 2019 do të shmangte përballjen mes Haradinajt dhe Ramës, të cilët ishin “kacafytur” në samitin e Berlinit për çështjen e taksës doganore. Mbledhja e dytë u drejtua nga zv.kryeministri Braçe dhe ai koordinatori Fatmir Limaj.

Rama e Haradinaj në mbledhjen e parë të dy qeverive


Përplasjet mes tyre do të dilnin në pah edhe në urimet për pavarësinë e Kosovës, ku Rama do të uronte me foton e përbashkët me shqiponjën kuqezi Haradinajn. Ndërsa ky i fundit do ta thumbonte Ramën, duke i deklaruar që të mos merrej me shpikje. “Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll” shkruan Haradinaj në Facebook.
Ky reagim vinte pas një deklarate të Edi Ramës dhënë në një debat televiziv në Kosovë ku shprehej se demarkacioni ishte një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi të ardhmen e Kosovës në integrimet europiane.

 

Më Shumë