Analize

Mbledhja Shqipëri-Kosovë, Rama e Haradinaj mungojnë. Marrëveshjet ende në letër

Edhe pse e shpallën veten si “kumbarët” e një sërë marrëveshjesh premtuese për të forcuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, as kryeministri Ramush Haradinaj dhe as Edi Rama nuk ishin të pranishëm të hënën gjatë takimit koordinues mes dy qeverive.

Gjatë mbledhjes së përbashkët në Pejë, Haradinaj dhe Rama mbajtën fjalime me tone të forta para mediave, duke deklaruar se dy qeveritë kishin një vullnet të fortë për të ecur krah për krah përpara dhe për të përballuar së bashku sfidat rajonale, sidomos ato që lidhen me Serbinë. Por gjashtë muaj më vonë, marrëdhënia mes dy kryeministrave duket më e ftohtë se kurrë, duke u pasqyruar edhe në vullnetin e autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimit. Tanimë dy kryeministrat duket se ua kishin lënë vendin dy zëvëndësve të tyre, duke shmangur përballjen pas akuzave të ashpra kundër njëri-tjetrin.

I pakënaqur me implementimin e pakteve të nënshkruara në nëntor, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj bëri bashkë në Tiranë disa nga ministrat e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Pa praninë e dy krerëve të qeverive, Limaj, zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe zyrtarët të tjerë të lartë kanë diskutuar mbi sfidat kryesore dhe i bënë një bilanc zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

“Ajo që mund të them me kënaqësi është se nga katër marrëveshjet e arritura në Pejë ka pasur progres por sot do të shohim ku jemi me katër marrëveshjet e nënshkruara”, tha Limaj në deklaratën e përbashkët për shtyp, duke theksuar se muaji qershor duhet të jetë afati i fundit për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe

Braçe u përgjigj duke deklaruar se Prishtina dhe Tirana po punojnë për krijimin e një zone ekonomike të përbashkët në rajon, ku legjislacioni lehtëson tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, por në të njëjtën kohë është i përafruar dhe me legjislacionin e BE-së.

Zëvendëskryeministri shqiptar veçoi marrëveshjen rajonale të nënshkruar në mars 2019 për Roaming, e cila do të ketë efekte reale në tarifat telefonike duke filluar nga 1 korriku.

Ai rikujtoi se kanë kaluar 5 vite nga mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive në Prizren, ku u nënshkrua dokumenti bazë i partneritetit strategjik. Por sa janë zbatuar marrëveshjet e arritura përgjatë këtyre viteve dhe a ka të ngjarë të ndikojnë përplasjet Rama-Haradinaj në bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy qeverive?

“Puna jonë dhe sfidat kryesore janë në 4 fusha të mëdha: tregu, shërbimet dhe lëvizshmëria, siguria, kultura dhe diaspora dhe aksioni diplomatik dhe bashkëpunimi politik”, tha Braçe.

Megjithatë tensionet mes kryeministrit Rama dhe Haradinaj duket se ishin pjesë e pashmangshme e këtij takimi. Dy ditë përpara se të mbërrinte në Tiranë, Limaj i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Ai kishte shprehur se Tirana dhe Prishtina duhet të ruajnë marrëdhënien e mirë miqësore, mirëpo pa ndërhyrë në politikat e brendshme duke ruajtur këtë distancë.

“Kosova dhe Shqipëria kanë pasur një traditë ku është mbajtur një distancë në ndërhyrje të politikave të brendshme. Kemi miq nga të gjitha grupet politike, nga pozita dhe opozita, gjithmonë ka qenë rregull që duhet të punohet me institucionet e vendit. Ajo që unë kërkoj nga miqtë e mi në Tiranë është që ta ruajmë këtë distancë sepse as nuk i ndihmojnë miqtë në Tiranë dhe as ata nuk mund të na ndihmojnë nëse ndërhyjmë në politikat e brendshme”, është shprehur ai.

“Roli ndihmues i Tiranës është i padiskutueshëm. Këshillat, bashkëbisedimet dhe ndihma nuk duhet të ndalet, madje po të ndodhte ndryshe, do të isha i shqetësuar. Edhe duhet të jemi të kujdesshëm në respektimin e miqësive tona. Apeli im është ta ruajmë traditën e mirë dhe miqësinë tonë si dhe t’i kthehemi temës kryesore bashkëpunimit tonë Kosovë-Shqipëri që ka qindra tema që nuk janë bërë”, deklaroi Limaj.

Fatmir Limaj

Edhe pse gjuha e tij është më diplomatike se ajo e Haradinajt, Limajt nuk ka mundur ta fshehë tensionimin e marrëdhënieve mes kryeministrit Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.
Përplasjet duket se arritën kulmin kur i pari i qeverisë së Kosovës akuzoi Ramën se ka biseduar me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh. Reagimi i kryeministrit shqiptar ishte edhe më i ashpër, duke iu referuar Haradinaj si budalla dhe gënjeshtar që po artikulon gënjeshtra jashtë çdo realiteti.

“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën apo për të krijuar një hartë të re për botën, më kujton atë shprehjen që pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet... sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe”, tha Rama në një konferencë për shtyp. “Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës, që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, vendime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund. Por unë besoj që jo. Çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht të mund të shitet dhe të blihet në territorin e marrëzisë online”.

Duke iu përgjigjur komenteve të kreut të qeverisë shqiptare, Haradinaj deklaroi se sulmet e Edi Ramës ndaj tij nuk i bëjnë përshtypje, duke thënë se ai e ka detyrë që thotë të vërtetën për atë që ndodhi në Samitin e Berlinit.

“Unë jam i detyruar ta them të vërtetën për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, e jo për shkakun tim ose të Ramës, por për shkak të së vërtetës” tha Haradinaj, duke këmbëngulur se është e vërtetë se kur Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron i kërkonin heqjen e taksës, Rama dhe Thaçi nuk e kanë mbështetur.

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive

Marrëveshjet vetëm në letër?

Në katër mbledhjet e deritanishme të përbashkëta janë nënshkruar 50 marrëveshje bashkëpunimi, memorandume bashkëpunimi mes palëve. Prej tyre 14 memorandume e marrëveshje dhe tri zotime i takojnë fushës së ekonomisë, përfshirë këtu sistemin fiskal, doganor, energjinë, zhvillimin ekonomik ndërkufitar, bujqësinë, tregun e punës dhe një segment tjetër me rëndësi, ai i nxitjes së zhvillimit ekonomik në Luginën e Preshevës. Por pak prej këtyre marrëveshjeve kanë kaluar nëpër dyert e parlamenteve të dy vendeve dhe për më tepër as nuk i gjen në databazat apo prezencën online të qeverive të dy vendeve apo ministrive përgjegjëse

Gjatë mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kabinetit qeveritar të Shqipërisë ministrat e dy qeverive nënshkruan ndër të tjera marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming dhe një protokoll për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë.
Heqja e tarifave të Roaming ka qenë në fakt një marrëveshjet e para që ka shkuar drejt zbatimit. Ajo pritet të hyjë në fuqi zyrtarisht në korrik.

Ajo vjen pasi edhe Bashkimi Europian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që ta heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve. Agron Dida, ekspert për çështje të telekomunikacionit thotë se se heqja e kësaj tarife është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve. “Duhet bërë çmos që diplomacia jonë të veprojë me partnerët e tyre në Shqipëri dhe të ecim përpara. Kosova ka nevojë për komunikime me botën, veçanërisht me Shqipërinë”, thotë ai.

Megjithatë marrëveshja më e bujshme ishte ajo për lehtësimin e lëvizjes në kufij dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor. Marrëveshja zyrtare u firmos më 29 dhjetor në Morinë, nga Ramush Haradinaj dhe dy ministrat e Brendshëm respektivë.
Megjithatë nuk është realizuar plotësisht deri më tani, pasi edhe pse kanë kaluar gati 5 muaj, bisedimet me Kosovën kanë mbetur në ngërç.

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive

“Qeveritë e dy vendeve kanë nënshkruar në fund të dhjetorit një marrëveshja e cila synon krijimin e pikave të përbashkëta dhe kontroll të përbashkët kufitar. Ka pasur një frymë bashkëpunimi për këtë për të zbatuar lehtësira që shmangin vonesat për qytetarët”, shpjegonte në mars për gazetën “Si”, Mentor Tahiri, shef i Kabinetit në Ministrinë e Brendshme të Kosovës.

Tahiri shpjegon se dy vendet kanë ngritur grupe punë për të përcaktuar hollësitë mbi aplikimin e mënyrave alternative të kontrollit, që do të shmangnin ndalesat e kontrollet fizike të automjeteve dhe udhëtarëve, sidomos në periudha fluksi.

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan po ashtu një protokoll ndërmjet ministrive të bujqësisë së dy qeverive për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit. Por në takimin e sotëm, mungonte Ministri i Bujqësisë, Bledi Cuçi, ndërkohë që progresi i bërë në këtë drejtim mbetet deri më tani i panjohur.

E vetmja marrëveshje që është publikuar në Fletoren Zyrtare është ajo për njohjen reciproke të patentave. Por progresi për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik, bashkëpunim në fushën e rinisë, nxitja e biznesit dhe të informimit të diasporës është i paqartë pasi as autoritetet në Prishtinë dhe as ato në Tiranë nuk publikuar progres raporte në lidhje më këto çështje.

Në kuadër të lehtësive prej vitesh qëndron varur një premtim i hershëm i Shqipërisë për t’i mundësuar Kosovës një port detar.

U përfol ca kohë Shëngjini, por ky variant u zbeh dhe në dritë doli Porti i Durrësit. Në mbledhjet e shkuara afate nuk u dhanë, por në mbledhjen e fundit, Kryeministri Edi Rama premtoi datën 1 janar për hapjen e një sporteli të Kosovës në Portin e Durrësit, aty ku i premtoi të njëjtën gjë edhe kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev në takimin e përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë e Maqedonisë në Korçë.

Por, si duket thotë se problemi më i madh nuk është nënshkrimi i marrëveshjeve, por zbatimi i tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë