Tirana nuk mundi ta shfrytëzonte shansin për të fshirë nga memoria humbjen e javës së parë të kampionatit me Kamzën. Edhe në ndeshjen e dytë radhazi shtëpiake, të besuarit e trajnerit Ze Maria nuk mundën të shkonin te fitorja, por këtë herë të paktën shmangën humbjen, të ndihmuar jo pak edhe nga fati. U mbyll 0-0 ndeshja mes Tiranës dhe Teutës në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku edhe këtë herë spektaklin më të madh e dha tifozëria bardheblu.
Trajneri brazilian i Tiranës, Ze Maria, kishte bërë dy ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen me Kamzën. Hasani u aktivizua në mesfushë, në vend të Dajës, dhe Bllazhevski në sulm, në vend të Grecës. Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, i besoi formacionit të javës së parë. Loja në fakt ka qenë e hapur dhe me raste në portat respetkive, por goli duket një mision i pamundur, si për Tiranën, ashtu edhe për Teutën. Të dyja skuadrat nuk kanë mundur ende ta gjejnë rrugën e rrjetës në këto 180 minuta të luajtura deri tani. Bardhelutë kanë pasur fat në këtë ndeshje, pasi durrsakët goditën dy herë shtyllën me Avdylin dhe Beqjan. Por rastin më të pastër për Teutën e humbi afrikani Latif, i cili, i vetëm shumë afër portës, gjuajti jashtë. Edhe Tirana pati mundësitë e saj për të shënuar, por sulmi duket se ka probleme.
Me një pikë në dy ndeshje dhe për më tepër të luajtura në shtëpi, Tirana është që në start shumë larg objektivit për të shkuar në Europë, sepse titulli me këtë paraqitje është i pakapshëm. Trajneri Ze Maria tha pas ndeshjes së i duhet patjeter një përforcim në sulm. “Na duhet patjetër në skuadër lojtari që di të shënojë golin. Klubi e di këtë. E kemi “batanijen” të shkurtër dhe nëse mbulohemi në njërin krah, zbulohemi në tjetrin. Nuk kam në skuadër as Mesin dhe as Ronaldon. Të shpresojmë”, - ka thënë trajneri brazilian pas ndeshjes. Duhet theksuar se pas ndeshjes tifozët bardheblu, të cilët e bënë shumë mirë punën e tyre, kontestuan ekipin për çfarë dha në fushë. Po ashtu, gjatë ndeshjes ka pasur edhe thirrje kundër presidentit Refik Halili. Me këtë të fundit, "lufta" e tifozëve ka kohë që ka filluar, pasi Tirana ka humbur shumë nga reputacioni i saj.
Kurse Shkëmbi, që në dy javët e para ka marrë dy pike, me dy barazime 0-0, shprehu keqardhjen pas ndeshjes për rastet e humbura, sidomos nga sulmuesi Latif. Java e dytë e kampionatit vazhdon me ndeshje interesante, siç janë Kamza-Partizani dhe Kastrioti-Skënderbeu, për t’u mbyllur me kryesfidën Flamurtari-Kukësi në Vlorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.