Futboll

Tirana përmbyset në pjesën e dytë, Flamurtari mposht Kukësin

Me dy ndeshje shumë të forta dhe rezultate befasuese ka nisur kjo javë e 10-të e Superligës Shqiptare. Teuta ka fituar me përmbysje ndaj Tiranës 2-1, ndërsa Flamurtari ka mposhtur Kukësin në fushën asnjanëse të Kamzës në shifrat 1-2.

Në stadiumin e Shijakut, gjithçka ka shkuar për dreq për Tiranën dhe dita e keqe për kryeqytetasit u duk që pa filluar ndeshja. Tifozët ultras të kësaj skuadre “Tirona Fanatiks”, para se të fillonte sfida kanë shpalosur një banderolë kundër presidentit Refik Halili. Për shkak të kësaj banderole ndeshja nisi me disa minuta vonesë. Për të kaluar me lojën zhvilluar në fushën e vështirë në stadiumin e Shijakut, bardheblutë në minutat e para luajnë mirë. Është Tirana e cila sulmon dhe ka raste të pastra për të shënuar. Ndërsa në minutën e 26’  Edon Hasani, kalon në avantazh kryeqytetasit. Teuta kërkon të reagojë pas këtij goli, por Tirana mbrohet mirë dhe deri në fund të pjesës së parë ia del ta mbajë portën të paprekur.

Në 45 minutat e dyta ndryshon gjithçka. Teuta është shumë më agresive dhe kërkon të ndryshojë fatin e kësaj përballje. Durrsakët i afrohen disa herë golit, por pa sukses deri në minutën e 70’. Do duhej një dopietë e mbrojtësit Ditmar Bicaj që të përmbysej Tirana dhe Teuta të dilte më tre pikë nga kjo përballje.

Në fillim, mbrojtësi lezhjan gjuan saktë me kokë pas një krosi në zonë nga goditja e këndit për të barazuar shifrat. Nuk vonoi shumë deri sa të vinte goli i barazimit. Këtë herë Bicaj shënon po me kokë, por pas një topi të dhënë nga një goditja e dënimit. Tirana shokohet nga këto dy gola të shpejtë dhe provon të reagojë, por është e pafuqishme për të dalë me një pikë nga kjo përballje. Sërish rezultat negativ për bardheblutë, që as më trajnerin e ri, Ardian Mema nuk reagojnë.  Ky i fundit në prononcimin pas ndeshjes ishte shumë i zhgënjyer për rezultatin duke thënë se  skuadra e tij nuk luajti keq dhe se i pati rastet për të dalë me tre pikë.

“Të vjen keq, sepse janë 10 raste të humbura, nuk di të gjej fjalë çfarë të them për pjesën e lojës. Ekipi u shpreh mirë, kemi luajtur, kishim raste për shënim. Një problem ishte edhe pjesa e arbitrit, nuk e kuptoj se çfarë kishte, loja ishte e qetë, filloi të jepte faulle dhe e afroi ekipin kundërshtar me portën tonë. Nuk dua të justifikohem me arbitrin, por nuk shkon kështu. Tirana nuk ka nevojë që ta ndihmojë kush, as mua, thjesht të marrë atë që meriton në fushë. Secili do të shohë pozicionin e vet për përgjegjësitë e veta. Duke filluar nga unë se lojtarëve i kam besuar unë që i aktivizova.”- tha ndër të tjera trajneri bardheblu, Ardian Mema.

Ndërsa Bledi Shkëmbi u shpreh i pakënaqur për mënyrën se si luajti skuadra e tij, por e gëzon rezultati final dhe tre pikët.

“Doja të shënonim të paktën një gol, nuk ishte një ndeshje e mirë nga ana jonë, por ishte meritë e lojtarëve se si e kthyen rezultatin, nuk diskutohet edhe me fat. Ishte meritë e tyre që shënuan, por edhe e Islit që na shpëtoi në disa raste. E filluam mirë, pastaj luajtëm dobët sidomos pas pësimit të golit, patëm shumë momente të dobëta. Gabonim pasime të thjeshta dhe vihej re. Nuk mund të ndryshoj shumë një futbollist nga ana psikologjike gjatë lojës, ndaj them se është gjë e madhe të fitosh ndeshje kur vuan si sot.”- u shpreh pas ndeshjes trajneri i Teutës.

Tirana mbetet në kuotën e 9 pikëve dhe tashmë rrezikon në luftën për mbijetesë. Sakaq Teuta e Bledi Shkëmbit, duket se ka gjetur ritmin e duhur në kampionat, duke shkuar në kuotën e 18 pikëve, bashkë me Flamurtarin dhe tani është vetëm 4 pikë më pak nga Partizani i vendit të dytë.

Spektakolare dhe me gola të bukur ka qenë ndeshja e luajtur në Kamëz mes Kukësit dhe Flamurtarit. Vlonjatët ia kanë dalë që të marrin tre pikë shumë të rëndësishme në këtë përballje.

Në minutat e para të ndeshjes, është Kukësi ai që ushtron presion dhe kërkon vazhdimisht golin. Agresivitetit të verilindorëve, Flamurtari i përgjigjet me një vendosje më të mirë në fushë dhe bllokon me saktësi të gjitha inkursionet e rrezikshme. Një lojë e barabartë dhe me aksione nga të dyja krahët, por që ai prish balancat e kësaj sfidë është Franc Veliu. Mbrojtësi vlonjat përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shënon golin e parë. Kukësi tenton të reagojë me anë të Rexhinaldos, por ky i fundit humbet një rast flagrant para portës. Kur gabon e pëson. Është një ligj i pa shkruar në futboll, por që edhe një herë është vërtetuar në këtë ndeshje. Kundërsulmi i vlonjatëve konkretizohet nga Danilo Alvesh që shfrytëzoi shumë mirë pasimin e Bushiç dhe i çon shifrat në 0-2.

Në pjesën e dytë Kukësi është akoma dhe më agresiv dhe nuk pajtohet me këtë rezultat. Në minutën e 49’ Sephar shkurton diferencën për Kukësin dhe ngjall shpresat për një barazim. Deri në fund verilindorët do të tentonin për ta gjetur golin e baraspeshës, por pas sukses. Një Rexhinaldo jashtë forme dhe disa aksione të humbura bën që Kukësi të mos e gjente golin e barazimit dhe Flamurtari ta marrë fitoren e dytë në katër ndeshjet e fundit.

Në fund të ndeshjes, trajneri i Kukësit nuk e ka fshehur zhgënjimin për mënyrën se si shkoi loja dhe rezultatin që prodhoi. Por në fund Armando Cungu ka lëshuar akuza të forta në drejtim të arbitrit të ndeshjes.

“Edhe pse kemi punuar gjatë javës, përsëri gabojmë. Edhe në golin e dytë ekipi humbi toruan e ekuilibrin, me pak forca mbrapa. Habitem nga dëshira për të shënuar e nuk mbron e pëson. Në pjesën e dytë, kundërshtari kishte marrë masat në çdo aspekt, jo vetëm në fushën e lojës. Shënuam shpejt, kishim raste të tjera por futbolli i tillë është. I lumtë kundërshtarëve, janë të aftë të ndryshojnë gjyqtarët e ndeshjeve dhe të vendosin ata të cilat kanë preferencë. Deri në ndeshjen me Skënderbeun në Korçë çdo gjë ishte mire, por më pas ju e keni parë vetë çfarë ka ndodhur në këtë ndeshje dhe në atë me Partizanin.”- tha Cungu.

Ndryshe nga tekniku shkodran, Ilir Daja ishte shumë i kënaqur si më gjyqtarin, por edhe me lojtarët e tij.

“Në pjesën më të madhe ne e kemi vënë në vështirësi skuadrën kundërshtare. Natyrshëm që në minutat e fundit kundërshtari do të vijonte presionin. Kjo ndeshje është vazhdimi i pjesës së parë me Teutën, por këtë herë më kohëzgjatje më të madhe. Unë dua të falënderoj futbollistët, pasi janë ata që e bën të mundur këtë fitore. Ne nuk mund të kënaqemi më shumë pak që do të thotë vetëm me lojën e bukur, por na duhen edhe pikët.”- u shpreh trajneri i Flamurtarit.

Me këtë fitore Flamurtari vijon të jetë në vendin e katërt, me pikë të barabarta me Teutën, por tashmë Kukësi dhe Partizani duken shumë më afër. Sakaq Kukësi vijon të jetë edhe për këtë javë në podiumin e tabelës, por rrezikon që të shkëputet shumë nga Partizani dhe Skënderbeu që luajnë të dielën ndeshjet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë