Futboll

Tirana “pengohet” që në start, e mund Kamza në shtëpi

E dinte shumë mirë trajneri Ze Maria se Superiorja është shumë e vështirë, kur deklaroi se në këtë kategori të “masakrojnë”, nëse nuk ke skuadrën e duhur. Për këtë arsye ai kishte kërkuar që grupi të përforcohej me elementët e duhur në merkaton e verës, por drejtuesit e klubit, me sa duket, nuk ia kanë plotësuar këtë dëshirë. Tirana e ka humbur ndeshjen e parë në Superiore, ku kthehej pas një sezoni në Kategorinë e Parë. Është mundur 0-1 në fushën e saj nga Kamza, që gjeti golin me vlerën e tri pikëve në minutën e fundit të kohës së rregullt, falë një devijimi të Sebino Plakut. Ky i fundit u kthye te Kamza pas aventurës europiane me Kukësin.

Tirana, edhe pse kishte mbështetjen e madhe të tifozërisë së saj në stadiumin “Selman Stërmasi”, nuk ia doli të marrë qoftë edhe një pikë, duke dëshmuar se ka probleme dhe ata që e kanë konsideruar pretendente janë nxituar. Problemet më të mëdha i pati mbrojtja, jo vetëm në momentin e golit të pësuar, ndërsa lojtarëve afrikanë, të cilët klubi bardheblu i ka afruar me bujë dhe që trajneri brazilian u besoi nga minuta e parë, u duhet shumë kohë për të treguar kualitetin e tyre, nëse vërtet e kanë. Në portë luajti Habibi, pasi Lika është i dëmtuar, kurse Moçka ka ardhur vetëm pak ditë më parë. Hasani dhe Bllazhevski, dy blerje të verës, u aktivizuan në pjesën e dytë, por nuk arritën ta çonin Tiranën te goli.

Nga ndeshja Tirana-Kamza, 0-1

Ashtu si Partizani, edhe Tirana e nis kampionatin në mënyrën më të keqe, me humbje. Kuptohet që është ende herët për konkluzione, por një humbje në shtëpi dhe ndaj një kundërshtari si Kamza, mjafton për të krijuar një ide: Tirana është ende larg asaj skuadre që tifozët bardheblu presin. Ka pasur edhe tension nga këta të fundit në momente të caktuara të ndeshjes, duke hedhur edhe ndonjë shishe plastike në fushë, por në “Selman Stërmasi” nuk pati probleme si në Korçë.

Pas ndeshjes, trajneri Ze Maria u shpreh: “Askush s’e imagjinonte humbjen, prisja fitoren. Shumë lojtarë nuk kishin luajtur në këtë kategori dhe presioni ndihet. Tifozët meritojnë notën më të mirë, por jo skuadra. Megjithatë, është ndeshja e parë dhe është normale të ndodhë kështu. Mund të humbim pikë në kampionat dhe kemi humbur tri që në start, por jam i sigurt se Tiranën do ta shohim pas ndeshjes së tretë. Ju garantoj. Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, gjysma e ekipit, ndaj duhet kohë. Ngo është një lojtar i rëndësishëm, por mungon edhe Lika, një nga liderët e ekipit. Nuk është e thjeshtë. S’mund të bëhet një skuadër e fortë pa pasur minimumin e kohës për të punuar bashkë. Shpresojmë të fitojmë në ndeshjen tjetër.”

Ze Maria, trajneri i Tiranës

Edhe Luftëtari ka humbur në fushën e tij në ndeshjen me Kastriotin, që debuton me një trepikësh mjaft të rëndësishëm në transfertë. Ndeshja e Gjirokastrës u vendos nga një 11-metërsh 20 minuta para fundit, që u kthye në gol nga Sokol Mziu. Vazhdon periudha e errët e Luftëtarit, që pas paraqitjes skandaloze në Europa League, ka treguar probleme serioze edhe në kampionat. Pa yjet Bregu e Abazaj, me Rrocën të dëmtuar dhe disa largime të tjera me peshë, gjithçka duket ndryshe nga një sezon më parë. Stafi slloven i gjirokastritëve duket se nuk është në gjendje ta nxjerrë Luftëtarin nga kjo situatë.

Kampionati kryesohet nga Skënderbeu, Kastrioti dhe Kamza, me nga tri pikë. Tani është radha e Kukësit, që pret Laçin në “Elbasan Arena”, ndërsa Teuta pret Flamurtarin.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë