Futboll

Tirana kap “trenin e fundit”, Partizani ndalet në Laç

Nuk kishte asnjë alternativë tjetër veç fitores Tirana në ndeshjen me Luftëtarin dhe ia ka arritur qëllimit për të marrë tri pikët. Nuk ka qenë e lehtë në “Selman Stërmasi”, ku bardheblutë janë paraqitur më mirë se në ndeshjet e mëparshme, por kanë qenë vetë ata që i kanë komplikuar situatat në momente të caktuara. Trajneri Ze Maria, siç kishte paralajmëruar, kishte bërë ndryshime, duke i bësuar Eni Imamit një vend në qendër të mbrojtjes, kapiteni Karabeci është ulur në stol, kurse Oduamadi u aktivizua në majë të sulmit.

Ndeshja nisi ashtu siç lojtarët e Tiranës do të donin, me golin e shënuar nga maqedonasi Bllazhevski, por vetëm pas pak minutash një devijim i topit nga i pafati Doka e çoi topin në rrjetën e Likës për të rikthyer baraspeshën. Tirana kaloi sërish në epërsi me mbrojtësin Turtulli në minutën e 24-t. Loja ka pasur ritëm të kënaqshëm dhe Tirana mund të shënonte sërish. Hoxhallari u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë 10 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, duke e detyruar trajnerin Ze Maria të hedhë në fushë Berishën më pas. Por në fushë u vendos shpejt barazia numerike, sepse edhe mbrojtësi i Luftëtarit, Janiçiç, shkoi në dhomat e zhveshjes para kohe. Tirana u mbrojt mirë dhe në shtesë shënoi edhe golin e tretë me Grecën, që sapo kishte hyrë në fushë. Luftëtari duket në kolaps total dhe trajneri i tij, Kostic, është shumë i rrezikuar.

Tirana feston golin e Turtullit

Fitorja e parë për Tiranën, që ngjitet në kuotën e 4 pikëve dhe mbetet ende prapa kreut, por nuk e ka humbur “trenin e fundit” në pretendimet e saj për vendet e kreut. Kjo fitore i jep sadopak qetësi trajnerit Ze Maria në punën e tij. Pas ndeshjes, trajneri brazilian i bardhebluve u shpreh: “E prisja këtë fitore, që është shumë e rëndësishme, sepse edhe loja jona ka qenë e mirë. Vendosa të aktivizoj Imamin, pasi e kam parë në miqësore dhe kam besim tek ai, pasi mbulon disa role. Edhe Ngo po kthehet, por nuk mund të luajë ende titullar. Skuadra ka nevojë për të. Të gjithë ata që janë aktivizuar, kanë bërë mirë, duke e përmirësuar grupin. Dalja e Hoxhallarit na dëmtoi dhe ishim pak të stresuar. Lojtarët kishin emocione, por pasi shënuan, u shprehën më mirë. Kapiteni Karabeci është profesionist. Tani dikush po luan më mirë dhe Karabeci duhet të presë radhën”.

Trajneri i Tiranës, Ze Maria

Partizani ndërkohë ka barazuar pa gola në Laç dhe është barazuar me pikë me Skënderbeun, Flamurtarin dhe Kukësin, por vlonjatët dhe korçarët nuk e kanë zhvillluar ende ndeshjen e tyre të javës së katërt. Goli mungoi në Laç, edhe pse ndeshja ishte e pasur me raste. Më të mirët e ndeshjes ishin portierët Gentian Selmani dhe Alban Hoxha, vendimtarë me pritjet e tyre. Të kuqtë kanë pasur rezerva për një penallti të padhënë në favor të tyre nga arbitri Beqiri, megjithatë trajneri Gega pranoi se ndeshja nuk u vendos nga ai episod. Laçi ka një skuadër simpatike dhe barazimi është i pranueshëm për Partizanin, që vinte pas dy fitoreve radhazi.

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, dhe stafi i tij

Trajneri i ekipit të kuq, Skënder Gega, komentoi pas ndeshjes se ndihej i kënaqur me lojën: “Impresioni i parë ndaj fushës ishte zhgënjyes, diçka që ndikoi për të dyja skuadrat. Kishim ardhur për të fituar në Laç dhe loja pati momente të mira, kishim rastet tona, ashtu si dhe Laçi. Penalltia? Në gjykimin tim nuk jam emocional dhe mendoj se kundërshtari e ka shtyrë lojtarin tonë. Arbitri ka mendimin e vet dhe them se do guxim të madh të japësh penallti në Laç. Për mua ishte penallti dhe ndoshta klubi mund të dalë me një deklaratë. Gjithsesi, nuk e vendosi ai episod ndeshjen. Jam i kënaqur me lojën dhe në vazhdim do të mundohemi të rritemi”, – tha Gega.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë