Pas disa ditësh "përpëlitje", Tirana dhe Ze Maria kanë vendosur t'i japin fund bashkëpunimit. Pritet vetëm zyrtarizimi, pasi gjithçka është vendosur. Rrugët e tyre ndahen këtu, pasi skuadra bardheblu, me trajnerin brazilian në krye, nuk ka pasur ecurinë që pritej në Superiore. Largimi i Ze Marias u duk fakt i kryer që pas derbit me Partizanin, por "divorci" u shty për disa ditë. Fitorja me Kastriotin e qetësoi disi situatën, ndërsa humbja në shtëpi me Laçin nuk është përtypur nga presidenti Halili dhe durimi ka sosur.
Presidenti i Tiranës ishte në siklet për largimin e trajnerit Ze Maria, pasi duhej të gjente gjuhën e përbashkët me të për ndërprerjen e kontratës, për ta bërë sa më pak të dhimbshme financiarisht ndarjen. Braziliani nuk ka dalë në stërvitje, ku skuadra është drejtuar nga përgatitësi i portierëve, Emanuel Egbo. Duket se palët kanë arritur një marrëveshje për shumën që do të përfitojë Ze Maria për prishjen e kontratës me Tiranën. Ai e drejtoi Tiranën në Kategorinë e Parë dhe rikthimi në Superiore nuk u vu në diskutim, por këtë sezon skuadra ka pasur shumë vështirësi dhe pas 8 javësh qëndron në vendet e fundit, me 8 pikë, shumë larg objektivit.
Pasuesi i brazilianit në stolin bardheblu do të jetë Ardjan Mema, një nga ish-futbollistët më të njohur të Tiranës vite më parë. Mema ka qenë ndihmës i Ilir Dajës vitet e fundit, te Tirana, Skënderbeu dhe së fundi te Flamurtari, por tani do të kthehet në familjen bardheblu për të drejtuar skuadrën që e ka bërë të famshëm. Zyrtarizimin e tij klubi kryeqytetas pritet ta bëjë nga momenti në moment.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.