Futboll

Tirana dhe Partizani “nxehin motorët” para derbit

Është java e derbit dhe i gjithë kryeqyteti është i përfshirë nga atmosfera festive e një ndeshje që mungon prej më shumë se një vit. Vetëm tre ditë para sfidës së madhe, dy skuadrat kryeqytetase kanë zbritur në fushë për të matur forcat e tyre në Kupën e Shqipërisë. Tirana ka luajtur në kompleksin stërvitor “Skënder Halili” me Ilirinë, ku triumfoi me rezultatin 4-0. Ndërsa Partizani ka pritur në kompleksin "Internacional" në Pezë, Tërbunin, që e ka mposhtur me shifrat 4-0.

Përballja me Ilirinë në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë ka qenë një ndeshje më shumë me karakter stërvitor për Tiranën. Bardheblutë kishin zgjedhur të përdornin fushën e “Skënder Halilit” ku zhvillojnë stërvitjen, pasi sfida e parë ishte mbyllur me rezultatin 1-4. Skuadra e Ze Maria ka reaguar mirë në këtë përballje, duke treguar nivel të kënaqshëm fizik, pas një ndeshje të lodhshme në Korçë me Skënderbeun. Në këtë përballje tekniku brazilian përveçse ka eksperimentuar me skemën, ka hedhur në fushë edhe disa lojtarë të rinj premtues. Golat për ekipin bardheblu u shënuan nga Yunus në minutat 23’, 28’, 39’, dhe Ngoo në minutën 80’.

Ndryshe nga Tirana, Partizani në mungesë të një kompleksi stërvitor e ka zhvilluar këtë ndeshje në Pezë. Me Tërbunin, Skënder Gega hodhi në fushë një ekip me shumë të rinj dhe pak më ndryshe nga takimet e fundit në kampionat. Me një fitore 0-1 në transfertë, pak dilema kishte nëse “të kuqtë” do të avanconin në raundin tjetër dhe Tërbuni më shumë kishte mbërritur në kryeqytet për të respektuar kompeticionin. Sfida u mbyll shumë shpejt me Eraldo Çinarin që mori për dore skuadrën e tij me dy gola, por edhe ndihmoi shokët e tjerë të skuadrës të zhbllokohen. Sfida u mbyll me shifrat 4-0, ku dy golat e tjerë u shënuan nga Bardhi dhe Hebaj.

Me këto dy fitore 4-0, Partizani dhe Tirana përveçse kaluan në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë kanë krijuar një atmosferë pozitive në dhomat e zhveshjes para derbit. Përballja Tirana-Partizani, e vlefshme për javën e gjashtë të Superligës luhet të premten ora 19:45 në stadiumin “Selman Stërmasi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë