Futboll

Tirana dhe Partizani në sulm total, siguria problem më vete

“Derbi luhet dhe fitohet”, – theksoi trajneri i Partizanit, Skënder Gega, në konferencën për shtyp para derbit, duke huazuar pak a shumë një shprehje të ish-kapitenit të Romës, Françesko Totit, i cili në fakt ishte më i bindur, kur për derbin me Lacion thoshte: “Derbi nuk luhet, fitohet”. Partizani vjen në një moment shumë të mirë në këtë ndeshje të nxehtë. Ka më shumë pikë se Tirana, është në vend të dytë dhe ka në anën e vet edhe faktorin psikologjik, pasi triumfon gati sistematikisht vitet e fundit ndaj bardhebluve. Këta të fundit, edhe pse vijnë pas barazimit me Skënderbeun në transfertë, e ndjejnë trysninë e derbit, ku nuk fitojnë prej 4 vitesh.

Duke parë deklaratat në të dy kampet, duket se trajnerët Ze Maria dhe Gega janë të prirur për të hedhur në fushë formacione sulmuese, që të luajnë së pari futboll të bukur. Është derbi i parë i sezonit dhe nuk vendos për objektivat, ndaj dhe lojtarët pritet të jenë më të lirshëm në fushë për të dhënë gjithçka, duke përligjur edhe pritshmëritë e madhe të dy tifozërive, që po e përjetojnë disi ndryshe këtë derbi, ngaqë sezonin e kaluar nuk patën mundësinë ta shijonin. Do të jetë një derbi “all-in”, në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Nuk do të jetë një ndeshje “shahu”, ku vendosin episodet, por një ndeshje e hapur, ku të dyja skuadrat do të shkarkojnë të gjitha “bateritë” e tyre.

Formacionet e mundshme të dy skuadrave

Me shumë gjasa, si Tirana, ashtu edhe Partizani, do të zbresin në fushë me skemën 4-3-3. Përtej rezultatit, dy skuadrat duan të kënaqin tifozët dhe t’u tregojnë atyre se këtë sezon mund të arrijnë diçka të madhe. Ze Maria dhe Gega nuk kanë mungesa të rëndësishme dhe ky është një plus që derbi të jetë spektakolar në fushë. Trajneri i Tiranës ka të gatshëm edhe mbrojtësin e majtë, Erjon Hoxhallari, i cili kthehet pas mungesës në Korçë për arsye kartonësh. Imami, i cili luajti në vendin e tij, u paraqit mirë, por pritet ta nisë nga stoli. Përpara Likës pritet që braziliani të aktivizojë Dokën, Turtullin, njërin mes Berishës dhe Imamit (i pari i favorizuar) dhe Hoxhallarin. Në mesfushë do të jetë treshja Daja-Hasani-Maveje, dhe në sulm Bllazhevski, Oduamadi dhe Kobinah.

Tirana dhe Partizani, duke dalë në fushë para një derbi

Partizani, siç e konfirmoi vetë trajneri Skënder Gega, do ta ketë grupin të plotë, pasi sulmuesi Hebaj e kaloi problemin fizik, madje luajti në kupë dhe shënoi. Megjithatë, trajneri i të kuqve tha se ka një dilemë, që mund të jetë pikërisht ajo e sulmit, që do të thotë se duhet të zgjedhë mes Hebajt dhe Mensah. Ky i fundit shënoi ndaj Flamurtarit dhe nuk do të ishte surprizë ta niste sërish nga minuta e parë, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës që fitoi ndaj Flamurtarit: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Gojkoviç, Trashi, Telushi, Mala, Hila, Mensah, Asani dhe Bardhi.

Siguria në stadium, një çështje delikate

Para derbit është bërë çështje edhe siguria, aq më tepër që parashikohet një “Selman Stërmasi” i mbushur në kapacitetin e tij maksimal. Klubi i Tiranës, që është organizatori, kishte bërë ndarjen e zakonshme të tifozëve, që do të thotë se tifozët miq do të ishin të ulur në dy sektorë, në tribunat A dhe B, por policia kërkon që ata të jenë të grupuar në një sektor të vetëm, sepse kështu mund të jetë më e lehtë për të garantuar rendin nga stjuartët apo policia. Ka pasur takime mes drejtuesve të FSHF-së, drejtuesve të klubeve dhe policisë dhe propozimi është që tifozët e Partizanit të qëndrojnë në tribunën A dhe tifozët e Tiranës në tribunën B. Policia, të paktën deri tani, do të qëndrojë jashtë stadiumit, por situata mund të ndryshojë, duke parë angazhimin e të gjithë faktorëve për mbarëvajtjen e derbit, që kuptohet që është ndeshja më e vështirë për t’u menaxhuar për sigurinë.

Koreografia e tifozëve të Partizanit, një nga më të bukurat e derbeve të fundit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë