Më të mirat 2022

Tinka Kurti rrëfen rolin që i hapi rrugën e artit: Si ndryshoi gjithçka prej Mehmet Shehut

Nga Gazeta Si - “Ndamja e roleve të ‘Kopracit’, ishte një ngjarje me randësi për Teatrin tonë. Unë hala, në atë kohë isha gjysmë profesioniste dhe as që mendojsha se do të më besonte regjisori ndonjë rol, aq më tepër se në këtë periudhë vihej paralel drama ‘6 Dashnorët’. Lec Shllaku, regjisori, u justifikue me faktin se; ‘Nuk të dhashë rol te ‘Kopraci', se më duheshe për heroinën te drama tjetër’, shfaqje e cila nuk pati fare sukses. Ndërsa komedia e Molierit, tronditi skenën, me lojën e mrekullueshme të artistit Zef Jubani, aq sa kur e pa shoku Enver, shfaqjen, në një takim me punonjësit e fermentimit tha: ‘Si mundet të ketë në Shkodër perçe, Shkodra, vendi, ku lot kaq bukur Zef Jubani – Harpagonin?!’ Unë, pata fatin të los me këtë partner, tue dublue rolin e Marianës, por në kondita shumë të vështira...”, kështu i kujton aktorja Tinka Kurti sakrificat për të marrë një rol të rëndësishëm në veprën “Kopraci” nga Molieri në vitin 1952 me regji të Lec Shllaku në veprën “Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti”, një ditar i mbajtur nga i shoqi i saj, Palokë Kurti pas çdo shfaqjeje që ajo interpretonte.

Kur Tinka mbaronte shfaqjet, ai do ta priste zgjuar, do ta regjistronte dhe do të ulej të shkruante. Paloka do të gjente gjithmonë formën për të marrë më të mirat nga rrëfimet e saj. Ndaj shumë pjesë të ditarit trajtojnë me detaje pjesë nga jeta e saj artistike dhe ndodhi prapaskenash.

Në ditarin e mbajtur nga bashkëshorti i saj deri në vitet ’90, ajo do të rrëfejë shumëçka për nisjen e karrierës së saj artistike, duke zbardhur kohët e vështira të të bërit art.

Në faqet e ditarit ajo rrëfen kohët kur nuk i jepeshin role dhe kur kolegët i thoshin se “je e paaftë për të qenë aktore”. Por ajo rrëfen edhe anën tjetër të medaljes kur u desh vetëm një fjalë e një prej drejtuesve të kohës, kur e pa të luante në shfaqjen “Koprraci”, fjalë e cila do të shënjonte fatin e saj artistik, duke na dhënë një artiste të pakohë.

“E dhashë premierën në qytetin e Durrësit, por nuk kam dëshirë ta kujtoj atë shfaqje, pasi edhe pranimi i regjisorit për ta luejt unë rolin e Marianës ishte tendencioz për mue. Ai nuk kishte fare besim tek unë. Sipas tij, unë isha një partnere e dobët për një aktor aq të madh si Zef Jubani. Por qe pikërisht ky rol, shumë ma vonë, që më hapi rrugën e artit. Shoku Mehmet, kur erdhi me pa shfaqjen e çmoi shumë punën e bukur të Teatrit, punën e Zef Jubanit, e në mënyrë të veçantë edhe mue. Ai kishte pyet njerëzit që e shoqërojshin:

– Kush asht’ kjo aktore?

– Asht’ nji aktore e re, e kemi aktivizue ta provojmë, – u kishin përgjigj ato.

Ndërkohë Mehmet Shehu ishte shpreh tekstualisht kështu:

-Jepini dorën! Kjo do të jetë artistja e ardhshme e Shqipërisë.

Fjala e tij mori dhen’ dhe po aq shpejt ndërroj edhe opinioni për mue. Sa e çmueshme ishte për mue kjo fjalë. Sikur të mos e shifte këtë shfaqje shoku Mehmet dhe mue në këtë rol (se kjo ka randësi), unë ndoshta as sot, nuk do të isha aktore. Unë këtu fola shkurt, por nesër do të shkruej për jetën time. Pikërisht në këtë periudhë do ndalesha shumë, sepse me këtë çast u hap një rrugë e re në karrierën time. Një orë para se të fliteshe kjo gja, unë isha një aktore e zakonshme. Por dhjetë minuta mbasi foli ai, unë isha një aktore e madhe”, kujton aktorja Tinka Kurti fjalët që iu thanë pas shfaqjes “Koprraci”, dhe rolin që ka luajtur Mehmet Shehu në karrierën e saj, vlerësim i cili do ta shkëpuste atë nga përkufizimet si “aktore diletante”.

Nëpër faqet e ditarit të sjellë nga autorja Anila Mema ajo tregon për çdo rol të luajtur, për çdo shfaqje nga ato të suksesshmet e deri tek ato më të dobëtat.  

Një moment i rëndësishëm për të në karrierën e saj është kur ka interpretuar në filmin e parë artistik shqiptar në vitin 1958, filmin “Tana”.

Ishte koha kur i sajuan sa e sa marrëzira vetëm për të mos qenë pjesë e filmit të parë shqiptar. Ajo rrëfen se ka qëndruar për ditë të tëra në spital me të birin, me pretekstin e mjekëve se ky i fundit vuante nga një sëmundje shumë e rëndë e deri te turnetë të vendosur aty për aty për në Kukës a Tropojë, vende ku teatrit nuk i njihej ekzistenca.

Teksa shfleton faqet e librit dhe peripecitë për çdo shfaqje të dhënë, kuptohet se sa shumë e ka sprovuar jeta në të gjitha format nga më të thjeshtat e deri tek ato më banalet në dukje e deri më të paimagjinueshmet.

“Ka pasur shumë makinacione që unë të mos marrën pjesë te filmi ‘Tana’. Ishin shtatë aktore që pretendonin të luanin ‘Tanën’ dhe njëkohësisht shtatë luftë klasash. Unë kam kenë e teta ‘Tanë’. Atë periudhë mua më shtruan në spital bashkë me djalin me pretekstin se ai ka sëmundje infektive. Atë ditë pasi dolëm nga spitali, na nisën fill për në turne, për me dhanë shfaqjen ‘Toka jonë’, në Kukës, Tropojë. Por teatri i Kukësit ishte pa pullaz e shfaqjen nuk e dhamë”, rrëfen ajo peripecitë për të marrë rolin në filmin “Tana”.

Por pavarësisht se ajo mori pjesë, sprovat do ta shoqëronin dhe komentet nuk do t’i ndaheshin. Ndaj dhe rolet sado që ishin të dashura për të, nuk do t’i konsideronte si fitore.

“Kur mbaruam filmin, kam kenë më pak aktore se të tjerët dhe për mua është fol shumë keq. Më kanë cilësuar si një aktore të patalentuar. Unë hëngra një kritikë shumë të madhe pas filmit. Dhe ‘Tana’ nuk ka kenë një fitore për mue”, rrëfen më tej ajo.

Aktorja po ashtu tregon episode, debate dhe ngjarje që tregon se jeta e saj artistike është përshkuar nga sprova të vazhdueshme.

Mbrëmjet me rrëfime do të vijonin deri në vitin 1990 për çiftin Kurti, kur bashkëshorti i saj u nda nga kjo jetë.

E njëjta rutinë; ajo ulej, ai dëgjonte dhe shkruante. Ndoshta vetë aktorja s’do të kishte mundur të shkruante një ditar të tillë. Edhe pse ishte e vështirë kjo rutinë dhe ndonjëherë e mërzitshme për aktoren, por siç rrëfen vetë ajo në hyrje të librit “ai e dinte: dikur ato shënime do të hynin në punë”.

Në brendësi botimi sjell jo vetëm rrëfime, por edhe imazhe të aktores, të shfaqjeve, kujtimeve të saj.

“Ditari i bashkëshortit”, jo vetëm na sjell më afër aktoren Tinka Kurti, me shumë ndjesi personale të saj, por sjell edhe shumë histori të artit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë